1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës miraton planin e zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiç

24 Maj 2013

Kryeministri Hashim Thaçi, tha se marrëveshja e arritur më 19 prill në Bruksel do të zbatohet brenda gjashtë mujorit të ardhshëm. Serbët e veriut vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen.

https://p.dw.com/p/18dbN
Fotografi: DW/B.Shehu

Ministrat e qeverisë së Kosovës unanimisht miratuan të premten pasdite në një mbledhje planin e dakorduar dy ditë më parë në Bruksel, ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, për zbatimin e marrëveshjes së paqes të arritur më 19 prill. Qeveria e Kosovës marrëveshjen e paqes Kosovë-Serbi vazhdon ta cilësojë historike. Kryeministri Hashim Thaçi, tha se “marrëveshja e 19 prillit dhe zbatimi i saj do të shënojë fillimin e mbylljes së kapitullit të errët ndërmjet dy vendeve”. Kryeministri pranoi se gjatë negociatave në Bruksel, janë bërë kompromise, por siç tha, “në të mirë të qytetarëve të Kosovës”.

Me anë të kësaj marrëveshjeje Kosova vendos kontrollin në tërë territorin

“Kjo marrëveshje ka kompromise, por jemi siguruar që secili kompromis të jetë i tillë që u shërben vetëm interesave të qytetarëve të Kosovës në të gjithë teritorin e Kosovës si në veri ashtu edhe në jug”, tha kryeministri Hashim Thaçi, i cili ftoi qytetarët e veriut që të integrohen në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës.

Plani i detajuar për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, akoma nuk është publikuar zyrtarisht nga qeveria e Kosovës, për faktin që plani është dërguar në Kuvendin e Kosovës, ku pritet edhe miratimi i tij. Mirëpo kryeministri Thaçi bëri të ditur se marrëveshja e paqes së 19 prillit do të zbatohet brenda gjashtë mujorit të ardhshëm.

“Marrëveshja e arritur më 19 prill do të zbatohet brenda gjashtë mujorit të ardhshëm. Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet vetëm pas zgjedhjeve lokale në veri. Shpërbërja e strukturave paralele serbe do të bëhet sapo të fillojë së zbatuari marrëveshja”, tha kryeministri Thaçi.

Serbia nga ana e saj, deri tani vazhdimisht ka insistuar që në vend të institucioneve të tashme paralele serbe në Kosovë të formohet menjëherë bashkësia konstituive e komunave serbe. Me këtë siç shkruajnë mediat serbe, Kosovës i kërkohet që të ndryshojë të paktën 30 ligje, në mënyrë që bashkësia e komunave serbe të marrë edhe kompetenca konkrete në pajtim me marrëveshjen. Ky propozim thuhet se do të zgjaste deri në mbajten e zgjedhjeve lokale. Mirëpo, kjo është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare, e cila pajtohet me një siç thuhet, “vakum institucional në veri deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale”.

Kushtetuta nuk ka nevojë të ndryshohet

Serbët e Veriut të Kosovës vazhdojnë kundërshtimet
Serbët e Veriut të Kosovës vazhdojnë kundërshtimetFotografi: DW/R. Alija

Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit nuk implikon edhe ndryshime në Kushtetutën e Kosovës. Kështu thotë njëri nga hartuesit e kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, i cili koncescionet e mundshme të bëra nga Prishtina, i sheh me origjinë nga pakoja e Marti Ahtisarit.

“Nuk ka asnjë rrezik që mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar me inicialet e kryeministrave Thaçi e Daçiç të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese. Pra, nuk kemi cenim të sistemit unik kushtetues, gjithashtu mendoj se edhe tek legjislacioni nuk do të kërkohen rishikime serioze, sepse, në fakt, disa koncesione që janë dhënë janë me origjinë nga pakoja e Ahtisarit”, thotë Arsim Bajrami.

Prishtina zyrtare vazhdon t'i qëndrojë besnike tashmë pikës kyçe të marrëveshjes së 19 prillit, shpërbërjes së menjëhershme të strukturave paralele serbe në veri dhe organizimit të zgjedhjeve lokale në katër komuna në veri, krahas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen ne vjeshtë të këtij viti.

Ndërkohë, ujdinë në parim për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e kanë kundërshtuar sërish përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës. Mediat lokale serbe citojnë të ashtuquajturin kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic, të ketë thënë se marrëveshja nuk është në të mirë të serbëve të Kosovës.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, sepse marrëveshja nuk garanton as minimumin e kushteve për jetën e serbëve të këtushëm”, citohet të ketë thënë Radenko Nedelkovic.

Sidoqoftë, shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë e kërkoi gjatë vizitës së datës 20 maj në Prishtinë edhe shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle, ndërsa nga qeveria në Prishtinë kërkoi që të ofrojë lehtësira për qytetarët e veriut për integrimin e tyre në jetën shoqërore dhe institucionale.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi