1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës ndalon vizitat e delegacioneve nga Serbia pa leje paraprake

25 Mars 2009

Qeveria e Kosovës ka disa javë që ka marrë vendimin e moslejimit të vizitave pa leje të delegacioneve të qeverisë së Serbisë. Ka disa raste, ku zyrtarët serbë janë ndaluar në kufijtë e Kosovës, por jo në veri të vendit.

https://p.dw.com/p/HJZc
Ura në MitrovicëFotografi: Refki Alija

Autoritetet serbe thonë se ata kërkojnë leje vetëm tek UNMIK-u, qe te vizitojne Kosoven, por misioni i Kombeve të Bashkuara thotë se ata nuk kanë më policë dhe nuk mund t´u garantojnë siguri zyrtarëve serbë.

Asnjë zyrtar i Serbisë, i cili për qëllime politike dëshiron të hyjë në territorin e Kosovës, nuk mund të realizojë vizita, nëse paraprakisht nuk këkohet leje dhe ajo të miratohet nga ministria e brendshme e Kosovës. Ky është një vendim i qeverisë së Kosovës, i cili tash e disa javë po praktikohet në disa pika kufitare të Kosovës. Zyrtarë të qeverisë në Beograd thonë se ata asnjëherë nuk do të kërkojnë leje tek institucionet e Kosovës, që të vizitojnë vendbanimet serbe, por vizitat do t'i njoftojnë në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Prishtinë. Zyrtarë të UNMIK-ut thonë se ata vazhdimisht marrin kërkesa nga delegacione të Serbisë, që të vizitojnë Kosovën, por kërkesat ato i procedojnë menjëherë tek misioni evropian EULEX dhe tek ministria e brendshme e Kosovës. Kjo për faktin që UNMIK-u nuk ka më policë ndërkombëtarë dhe nuk mund t´u sigurojë mbrojtje zyrtarëve serbë në Kosovë. Organet e vetme policore, që mund ta bëjnë përcjelljen dhe ruatjen e delegacioneve nga cilido vend qofshin ato, janë vetëm policia e Kosovës. Por problemi me delegacionet e Serbisë qëndron në faktin që ata nuk dëshirojnë që policia e Kosovës ta bëjë përcjelljen e tyre. Kështu thotë Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të rendit të Kosovës.

“Kanë injoruar realitetin e ri të krijuar në vend, nuk kanë komunikuar me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Ne do të vazhdojmë të respektojmë vetëm ligjin, i cili shumë qartë përcakton procedurat se si duhet të sillen delegacionet e huaja në rast se vizitojnë Kosovën. Nuk dua të paragjykoj, por delegacionet, që i injorojnë dhe nuk i respektojnë këto procedura, nuk do të lejohen të hyjnë zyrtarisht në territorin e Kosovës, ndërsa privatisht atë mund ta bëjë çdokush”, thotë Fisnik Rexhepi.

Ekspertë të çështjeve të sigurisë thonë se ministria e brendshme e Kosovës po vepron drejt dhe sipas tyre ky vendim është dashur të merret shumë më herët edhe nga faktori ndërkombëtar. Nuredin Ibishi, është ekpert i çështjeve të sigurisë.

“Qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë këtë hap ndoshta të vonuar pak, por sidoqoftë ky hap është i mirë, sepse me këtë tregohet se në Kosovë duhet respektuar Kushtetuta dhe ligjet e vendit", thotë Nuredin Ibishi.

Nuredin Ibishi thotë se çdo delegacion serb, që deri tani ka vizituar Kosovën, ka pasur për qëllim që të takojë strukturat paralele serbe në Kosovë, të cilat tash e disa vjet vetëm i kanë shkaktuar telashe jo vetëm institucioneve të Kosovës, por edhe vetë faktorit ndërkombëtar.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë në shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë, sepse ato vazhdimisht paraqesin rrezik për sigurinë në vend. Janë rojat serbe të Urës, garda e Car Lazarit, strukturat paralele të pushtetit lokal dhe të gjitha këto kanë ndikuar edhe tek policët serbë të Kosovës, që ata mos të bashkëpunojnë me komandën qëndrore të policisë”, thotë Ibishi.

Sidoqoftë vendimi i ministrisë së brendshme të Kosovës, që mos të lejojë hyrjen pa leje në Kosovë të zyrtarëve të Serbisë, nuk po praktikohet në veri të Kosovës. Kjo për faktin që pikat kufitare në veri akoma nuk janë tërësisht funksionale dhe situata e sigurisë në këtë rajon vazhdon të jetë shumë e ndjeshme. Një javë më parë zëvëndësministri serb për Kosovën, Bojan Anxhelkoviq, hyri në Kosovë pa leje nga një pikë kufitare në veri, mirëpo ai u ndalua në urën qëndrore mbi lumin Ibër. Atij nuk iu lejua që të vizitojë një fshat serb në Kosovën qëndrore, edhe pse u deklarua se dëshiron që të dërgojë disa ndihma humanitare për serbët.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica