1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja për demarkacionin Kosovë Mali i Zi

Bekim Shehu1 Shtator 2016

Kryeministri Isa Mustafa thotë se tërheqja e projektligjit nuk nënkupton ndryshim të tij dhe as rinegocim të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

https://p.dw.com/p/1Ju3r
Kosovo Parlament macht Weg für Sondertribunal frei
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Qeveria e Kosovës akoma pa filluar debati për çështjen e demarkacionit, vendosi ta tërheqë nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Këtë tërheqje, kryeministri i arsyetoi me faktin që “një grup parlamentar nuk është i pranishëm në sallë dhe ka kërkuar koncesione në këmbim të pjesëmarrjes dhe votimit të këtij projektligji. Ai nuk e përmendi emrin e grupit parlamentar, mirëpo, fjala është për vendimin e paradites të deputetëve të komunitetit serb”Serpska”, për të mos marrë pjesë në mbledhjen e sotme të parlamentit.

Jo rinegoci i marrëveshjes

Deputetët serbë thanë se për shkaqe sigurie ata nuk do të marrin pjesë në seancë. Lista Serpska është pjesë e koalicionit qeveritar dhe pa votën e tyre, nuk do të mund të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi. Megjithë, tërheqjen nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri Isa Mustafa, tha se “tërheqja nuk nënkupton ndryshim të projektligjit e as rinegocim të marrëveshjes, por do të ketë përpjekje për të siguruar një pajtim në shkallë më të gjerë”. Që nga ora dhjetë e paradites simpatizantët e lëvizjes Vetëvendosje ishin mbledhur para parlamentit të Kosovës, duke protestuar në këtë mënyrë për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit. Qindra forca policore në anën tjetër kishin barrikaduar hyrjet dhe daljet e kuvendit të Kosovës në përpjekje për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Policia arrestoi disa protestues, të cilëve u janë gjetur qanta me mjete të dyshimta, kryesisht shishe me benzin, apo sic njihet “Koktej-Molotov”.

Panorama Kosovo
Fotografi: picture alliance/blickwinkel/B. Trapp

Opozita: Rishikim i plotë i marrëveshjes

Përfaqësues të partive opozitare nga ana e tyre pas tërheqjes nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës, të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacioni me Malin e Zi, thanë se kjo në fakt nënkupton “rënie e kësaj marrëveshjeje”, dhe tash është koha për rishikim të plotë të saj. Pas shtyrjes së votimit të ligjit për Demarkacion, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, para simpatizantëve të vet me një gjuhë të ashpër, tha se “rezistenca e deputetëve opozitar dhe protestuesve, detyroi qeverinë që ta tërheq nga rendi i ditës marrëveshjen”.

“Kjo dorëheqje e Qeverisë kriminale është fitore për popullin dhe për qindra mijëra qytetarë dhe fitore e gjithë sakrificës që kemi bërë një vit. Këtë fitore ua dedikoj qytetarëve dhe aktivistëve që u angazhuan për të mbrojtur këtë vend nga klani ‘Pronto'. Edhe sot rezistenca jonë dhe deputetëve të VV e ndali ratifikimin e marrëveshjes”, tha Visar Ymeri.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, u nënshkrua me 26 gusht të vitit të shkuar. Partitë politike opozitare thonë se me këtë marrëveshje Kosova humb mbi 8200 hektarë tokë. Këto pohime hedhen poshtë nga qeveria e Kosovës e cila thotë se komisioni shtetërorë që shënoi kufirin me Malin e Zi, ka përdorur dokumentet në fuqi, që përfshihen edhe në planin e Marti Ahtisarit mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës. Sidoqoftë, ditëve të fundit kishte një ashpërsim të gjuhës politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, cka e shtyri faktorin ndërkombëtar që të bëjë thirrje për ulje tensionesh. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u bëri thirrje të gjithëve që të angazhohen për një debat të qetë dhe konstruktiv.

“BE-ja në Kosovë, po ashtu rikujton se e drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike, me kusht që ajo të jetë e shprehur në mënyrë paqësore dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”, thuhet në një deklaratë të zyrës së BE-së në Prishtinë.