1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendime të “befasishme” të qeverisë së Kosovës për ushtrinë

Bekim Shehu
13 Shtator 2018

Presidenti Hashim Thaçi veprimin e qeverisë, që në këtë fazë me ligj ta shndërrojë FSK-në në ushtri të Kosovës e quan të ngutshëm. Ai thotë se veprimi i qeverisë është një mesazh i gabuar për bashkësinë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/34oCC
Kosovo Präsident Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente miratoi tre projektligje që i hapin rrugë shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës. Ky veprim i ngutshëm i qeverisë, e ka habitur Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili veprimin e qeverisë e cilësoi "krye në vete”, pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Haradinaj mbron vendimin e qeverisë

Që të ndryshohet misioni i FSK-së dhe emri, nga forcë e sigurisë në ushtri duhet të ndryshohet kushtetuta, e kjo mund të bëhet vetëm edhe me pëlqimin e deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës. E këta të fundit tashmë disa herë janë deklaruar se nuk e përkrahin një gjë të tillë, madje do ta kundërshtojnë në çdo formë. Por kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, tha se "veprimi i qeverisë është ligjor dhe në bazë të kushtetutës”, ndërsa, ndërrimin e emrit të FSK-së në ushtri, Haradinaj tha se "kur të vijë ai momenti edhe do ta bëjnë”.

"Kjo sot nuk është konflikt, kur ka vullnet politik për ndryshime kushtetuese veprojmë më tutje. Ajo që mund t'ju siguroj sot është që qeveria ka votuar forcën e vet mbrojtëse, e ka ushtrinë në këtë rast dhe kjo ka ndodhë. Parlamenti e ka pjesën e vet, presidenti pjesën e vet dhe Kosova ka ecur në këtë temë. Mos harroni ne rrugëtojmë bashkë me NATO-n dhe me aleatët tonë qe 20 vjet pra është një dinamikë kohore dhe i ka ardhë koha me ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosovo Primierminister Ramush Haradinaj
Fotografi: Reuters/H. Reka

Haradinaj: Ftojmë NATO-n  të na përshëndesë

Ai tha se miratimi i këtyre ligjeve nuk e ka zënë askënd në befasi, ndërkohë, siguroi që koordinimi me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje do të vazhdojë. "Mos harroni nuk është që e kemi nxënë dikë në befasi, nuk ka faktorë vendor e ndërkombëtarë që sot është në befasi. Ne i ftojmë të gjitha qeveritë e vendeve të NATO-s që ta përshëndesin këtë dhe njëkohësisht ne jemi të gatshëm jo vetëm të marrim sigurinë, por edhe ta ofrojmë sigurinë. Ky është qëllimi i Kosovës, një Kosovë që është vetëm shqetësim për të tjerët nuk mjafton, duhet të kthehet në partner dhe kjo është rruga drejt partneritetit për paqe dhe drejt anëtarësimit në NATO. Moment ideal kurrë nuk ka, sot është kështu, nesër është një temë tjetër, ne i kemi dhënë 20 vjet kohë të gjithëve për të ardhur te kjo ditë”, tha i vendosur Ramush Haradinaj.

Hashim Thaçi i zënë në befasi

Mirëpo, miratimi i ligjeve në qeveri për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, e ka zënë "në befasi”, Presidentin Thaçi, siç është shprehur, ndonëse disa muaj më parë ishte vetë Presidenti që me anë të ligjit tentoi ta shndërrojë FSK-në në ushtri të Kosovës, por, hasi në kundërshtim të ashpër të faktorit ndërkombëtar, sidomos të SHBA-së.

Presidenti Thaçi tha se vendimi i qeverisë për ushtrinë është "një mesazh i gabuar dhe në ditë të gabuar". "Tani rrethanat janë ndryshe. Ne kemi filluar tash e një kohë, pas iniciativës sime, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare një proces të vetëdijësimit dhe kemi arritur në një fazë shumë të rëndësishme të koordinimit. Sepse, kur themelohen Forcat e Armatosura të Kosovës, duhet të jenë të mirëpritura, një proces i hapur, i sigurt për partneritetin për paqe dhe NATO-n, dhe jo ndonjë veprim kokë në vete, i cili lëndon rëndë misionin shumëetnik të Forcave të Armatosura të Kosovës. Një veprim i njëanshëm e çon në izolim vendin, ndërsa një veprim i bashkërenduar i hap rrugë zhvillimit dhe lëvizjes drejt partneritetit për paqe dhe pastaj edhe në NATO.

FSK-Soldaten
Fotografi: DW

Thaçi nënvizon rrezikun e krijimit të pështjellimeve të panevojshme. "A kemi të drejtë, kemi të drejtë, a duhet të lëvizim, duhet të lëvizim por në një proces plotësisht të bashkërenduar me SHBA-në dhe NATO-n. Çdo lëvizje tjetër mund të sjellë vetëm ngatërresa dhe pështjellime politike të panevojshme por edhe ndikime negative ndërkombëtare në raport me të sotmen dhe të ardhmen e Ushtrisë së Kosovës", tha Presidenti Thaçi. Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009, si një forcë shumë-etnike ku duhet të ketë mbi 10 për qind të përbërjes së saj nga komunitetet pakicë.

Në fillim të vitit të shkuar, kur Presidenti Thaçi tentoi që me ligj ta shndërroi FSK-në në ushtri të Kosovës, hasi në rezistencë të ashpër të faktorit ndërkombëtar, por edhe të Serbisë, me të cilën Kosova tash e disa vjet zhvillon dialog për përmirësimin e marrëdhënieve. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, pati thënë se "në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të KS-it”.  "Në Kosovë mund të jetë vetëm një forcë e armatosur dhe kjo është KFOR-i. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e saj kështu do të jetë, dhe për Serbinë”, pati thënë Aleksandër Vulin, duke nënvizuar se "ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë brutale”.

Aleksandar Vulin
Serbia reagoi ashpër me nismën për ushtrinë para një viti të Thaçit, në foto ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar VulinFotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Foggo: Ushtria pas ndryshimeve kushtetuese

Edhe bashkësia ndërkombëtare e kundërshtonte idenë që me ligj FSK-ja të shndërrohet në ushtri. Ata preferojnë që kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese dhe këtë e pati thënë gjatë një vizite në Prishtinë, komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo. "Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë Fogo.

Forca e Sigurisë së Kosovës e krijuar pas transformimit të TMK-së, është forcë shumetnike. Ajo është e armatosur lehtë dhe me uniformë dhe mund të marr pjesë vetëm në operacione për të shpëtuar civil në rast të krizave natyrore. Në Kosovë akoma janë të pranishme forcat e KFOR-it me rreth pesë mijë trupa. Sidoqoftë, miratimi i tri ligjeve të qeverisë që e shndërrojnë FSK-në në ushtri duhet të kalojnë edhe disa procedura. Ato duhet të miratohen në Parlamentin e Kosovës e më pas të nënshkruhen nga Presidenti i vendit.