1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e ShBA shtyn afatin

Daniel Scheschkewitz16 Qershor 2005

Europianët mund të hyjnë ende në ShBA pa të dhëna biometrike në pashaportat e udhëtimit

https://p.dw.com/p/ArOw
Kancelari gjerman Shrëder, në sfond pashaportë virtuale me të dhënat biometrike të tij.
Kancelari gjerman Shrëder, në sfond pashaportë virtuale me të dhënat biometrike të tij.Fotografi: AP

ShBA kanë shtyrë afatin për futjen e të dhënave biometrike në pashaportat e udhëtimit për qarkullimin pa viza të personave. Fillimisht ShBA donin t'i bënin këto lloj pashaportash kusht për hyrjen në territorin e tyre të qytetarëve nga 27 vende ndër të cilat edhe ato të Bashkimit Europian. Kundër këtij plani protestuan shumë vende dhe si rrjedhojë afati u shty me një vit.
Të dhënat biometrike, si tiparet dalluese të fytyrës, shenjat e gishtërinjve apo skanimi i irisit të syrit, pritet ti bëjnë pashaportat e udhëtimit të sigurta ndaj fallsifikimeve. Të dhënat do të ruhen në një çip elektronik i cili është i integruar në pashaportën e udhëtimit. Nga futja e këtyre pashaportave qeveria e ShBA pret një siguri më të madhe në qarkullimin pa viza të personave kryesisht përmes transportit ajror. Kjo ishte një nga kërkesat qëndrore në raportin përfundimtar të komisionit hetimor parlamentar për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ilein Dizinksi nga shtabi planifikues i ministrisë së brendshme të ShBA thotë:"Të dhënat biometrike janë një hap përpara në rrugën drejt një sigurie më të lartë. Ato na ndihmojnë të mbajmë larg terroristët e mundshëm dhe sjellin më shumë siguri për vendin tonë dhe për vende të tjera. Mundësitë egzistuese për kalimin e kufijve tanë me dokumenta të falsifikuar dhe ato për shkeljen e rregullave për qëndrimin në vendin tonë, përbëjnë aktualisht një problem serioz."
Por prodhimi i këtyre pashaportave nuk nënkupton vetëm hyrjen në një territor të ri teknologjik. Futja e tyre lidhet edhe me kosto të larta burokratike. Duhen mbledhur të dhënat biometrike, duhen bërë kërkesat për pashaporta të reja dhe këto më pas duhen shpërndarë, pa folur pastaj për rregullat për ruajtjen e të dhënave personale.
Një numër vendesh nuk ishin në gjendje të respektonin afatin dhe informuan për këtë qeverinë amerikane. Një tjetër kritikë ishte që ShBA i kërkonin këto pashaporta për turistët dhe biznesmenët nga Europa, Japonia apo Australia por vetë ende nuk e kishin futur pashaportën elektronike.Tani qeveria amerikane ka vendosur shtyrjen e afatit. "E ashtuquajtura pashaportë elektronike duhet të përmbajë një çip në të cilin janë të ruajtura të dhënat personale si dhe një fotografi digjitale", thotë Ilein Dezenski nga ministria e brendshme amerikane. Më tej ajo shpjegon se në të ardhmen mund të shtohen edhe të tjera të dhëna biometrike. Ky çip elektronik duhet të jetë i pranishëm në të gjitha pashaportat që do të jepen pas 26 tetorit 2006. Pashaportat e dhëna përpara kësaj date dhe që vlejnë përtej 26 tetorit 2006 mbeten të përjashtuara nga ky rregull. Megjithatë që nga 26 tetori i këtij viti udhëtarët nga Europa duhet të kenë në pashaportat e tyre një fotografi digjitale. Në pjesën më të madhe të shteteve të BE-së pashaportat i përmbajnë këto fotografi.
Gjermania do të fusë pashaportat elektronike në muajin nëntor të këtij viti. Por pashaportat gjermane do të kenë fillimisht vetëm një foto digjitale me tiparet e fytyrës. Vetëm nga marsi 2007 do të përmbahen në to edhe dy shenja gishtërinjsh.
Që tani turistët dhe biznesmenët nga vendet e interesuara duhet të lënë një shenjë gishtërinjsh kur hyjnë pa vizë në ShBA. Kjo shenjë ruhet në mënyrë digjitale. Masa që u fut në vjeshtën e vitit të kaluar dhe nga e cila preken çdo vit rreth 13 milionë udhëtarë konsiderohet si një zgjidhje e përkohshme deri në futjen e pashaportave elektronike me të dhëna biometrike.