1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane angazhohet më shumë në luftën kundër Sidës

Sabine Ripperger11 Nëntor 2004

Në vitin 2003 rreth 38 milionë njerëz ishin të infektuar me virusin e HIV-së. Më shumë se 25 milionë nga këta njerëz jetojnë në Afrikë, në jug të Saharës. Këtë vit mendohet se ky numër është rritur në 5 milionë njerëz të tjerë. Pjesa më e rrezikuar e popullsisë janë gratë dhe fëmijët. Vetëm në Afrikë ka mbi 12 milionë fëmijë që kanë humbur të paktën një prind nga kjo sëmundje. Gjermania ka vendosur ta rrisë angazhimin e saj në luftën kundër epidemisë së Sidës në vendet në zhvillim. Këtë e bëri të ditur ministrja gjermane për zhvillim, Heidemarie Wieczorek-Zeul në Berlin

https://p.dw.com/p/Aquf
AIDS apo SIDA vazhdon të jetë epidemia më e rrezikshme në botë
AIDS apo SIDA vazhdon të jetë epidemia më e rrezikshme në botë

"Bashkësia ndërkombëtare i ka vënë vetes si qëllim që rritja e epidemisë së HIV-së dhe Sidës të ulet deri në vitin 2015. Dhe qeveria jonë e mbështet plotësisht këtë qëllim" - thotë ministrja Heidemarie Wieczorek-Zeul.

Gjermania mbështet në të paktën 20 vende tregun e shitjes së preservativëve të lirë. Sipas ministres Wieczorek-Zeul, do të vihen në dispozicion edhe ilaçe të lira, në mënyrë që çdo njeri të ketë mundësi t´i blejë ato. Sidomos iniciativat që merren me prodhimin dhe vënien në dipozicion të ilaçeve në mënyrë sa më të lirë, mbështeten në mënyrë të veçantë nga ministria gjermane për zhvillim.

Ministrja Wieczorek-Zeul vlerëson mbi të gjitha sukseset që janë arritur në Brazil falë politikës së këtij shteti me sëmundjen e Sidës:

"Brazili ka një licencë për të ashtuquajturat generika, pra ilaçe që prodhohen në mënyrë më të lirë në vend dhe ka që në vitin 1995 një program të veçantë, sipas të cilit të gjithë të sëmurët me sidë, mund të marrin ilaçe pa para. Dhe falë pikërisht kësaj mënyre veprimi dhe ndihmës së shumë organizatave joqeveritare, në Brazil numri i të infektuarve më HIV është ulur ndjeshëm. Niveli i infektimeve në Brazil është 0,7% ndërkohë që në Botsvana ky nivel arrin 38%."

Por sipas Wieczorek-Zeul, lufta kundër Sidës nuk mund të jetë e sukseshme, nëse ndihma do të kufizohej vetëm tek sektori i shëndetësisë. Ministrja gjermane kërkon që kjo ndihmë të jepet edhe në fushën e edukimit dhe atë të luftës kundër varfërisë. Vetëm kështu lufta kundër Sidës do të jetë efikase në të gjithë botën.