1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane e preokupuar mbi zhvillimet në Lindjen e Afërt

Marcel Fürstenau29 Qershor 2006

Qeveria gjermane është e bindur se eskalimi i situatës në Rripin e Gazës pas marshimit të trupave izraelite aty, përbën një rrezik serioz për procesin e paqes në Lindjen e Afërt.

https://p.dw.com/p/AqpT
Tanke izraelit në kufi me Gazën
Tanke izraelit në kufi me GazënFotografi: AP
Qeveria gjermane është e shqetësuar mbi zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane Ulrich Vilhelm. Ne u bëjmë thirrje qeverisë palestineze dhe të gjitha organizatave të tjera palestineze, që të ndihmojnë në lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të ushtarit peng izraelit, tha më tej Vilhelm. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Martin Jäger, u shpreh: "Këtu kemi të bëjmë në lidhje direkte dhe logjike me pengmarrjen e ushtarit izraelit, lirimin e të cilit po e presim me ngut. Dhe megjithatë qeveria gjermane e përsërit thirrjen për të dyja palët, që të veprojnë me kujdes në këtë situatë kaq të nderë, për të mos e tensionuar atë edhe më tej." Edhe ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmeier, shpreson që ushtari i marrë peng të lirohet sa më parë. Pas takimit që zhvilloi me homologun e tij italian, Massimo D'Alema, në Berlin, Steinmeier tha: "Unë kam telefonuar me presidentin palestinez Abaz dhe i jam lutur atij që të ndërmarrë çdo hap, që ushtari i marrë peng të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi. Dhe di nga telefonata të tjera që kam zhvilluar me vende të botës arabe, se disa shtete mund të ndihmojnë vërtet për lirimin e pengut." Presidentja e Këshillit Qëndror të Hebrejve në Gjermani, Charlotte Knobloch, e mbroi hyrjen e trupave izraelite në Rripin e Gazës. Izraeli duhet ta mbrojë jetën e qytetarëve dhe fëmijëve të tij, tha ajo gjatë konferencës së "Botës Hebreje", që po zhvillohet në Berlin:"Arsyet për marshimin e trupave izraelite dihen nga të gjithë. Palestinezëve dhe përgjegjësve për pengmarrjen iu vu një ultimatum. Por askush nuk ju përmbajt atij. Dhe tani shteti përpiqet sigurisht që të shpëtojë jetën e ushtarit 19 vjeçar." Thirrjes për lirimin e pengut iu bashkangjitën të gjitha partitë politike në Gjermani. Politikani i Partisë së Majtë, Volfgang Gerhke, zëdhënës për marrëdhëniet ndërkombëtare të fraksionit të bundestagut, e kritikoi bombardimin e urave dhe hidrocentraleve në Rripin e Gazës. Këto akte jo vetem që nuk e shpejtojnë lirimin e ushtarit izraelit, por nuk i shërbejnë gjithashtu ndryshimeve të rëndësishem politike të qeverisë palestineze.