1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane miraton fondin për shpëtimin e euros - Kritika të opozitës

12 Maj 2010

Pjesëmarrja e Gjermanisë në fondin gjigant të miratuar së fundi për vendet e Eurozonës me borxhe të larta duhet të miratohet së shpejti nga parlamenti. Por ashtu si në rastin e ndihmës për Greqinë, opozita ka kritika

https://p.dw.com/p/NLaS
Nën kërcënimin e spekulantëve - A do të rezistojë euro?
Nën kërcënimin e spekulantëve - A do të rezistojë euro?Fotografi: AP

Në thelb bëhet fjalë për mbrojtje nga risku prej 720 miliardë eurosh. Nëse kjo shumë do të nevojitet vërtet, aktualisht askush nuk mund ta vlerësojë me seriozitet. Vëllimi i mundshëm i kredisë përbëhet nga tri pjesë: 60 miliardë vihen në dispozicion nga BE-ja; paratë sigurohen nga buxheti i përbashkët i vendeve anëtare. Maksimalisht 440 miliardë euro duhet të vihen në dispozicion nga vendet e veçanta.

Pjesa e Gjermanisë bazuar në fuqinë e saj ekonomike do të ishte 28 për qind, ose 123 miliardë euro. Dhe së fundi FMN-ja do të kontribuonte në rast nevoje me 220 miliardë euro. Në mënyrë që Gjermania të marrë pjesë në formën e rënë dakord në të ashtuquajturën parashutën e euros, duhet të miratohet një ligj përkatës. Projektligjin e miratoi qeveria gjermane nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në një takim të kabinetit të martën (11.5.).

Kancelarja Angela Merkel, dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle në konferencë shtypi rreth planit të shpëtimit të BE-së për euron. Berlin, 10.05. 2010.
Kancelarja Angela Merkel, dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle në konferencë shtypi rreth planit të shpëtimit të BE-së për euron. Berlin, 10.05. 2010.Fotografi: AP

Një nga zëdhënësit e qeverisë, Christoph Steegmans, deklaroi: "Këto masa dërgojnë një sinjal të qartë se tregjet financiare mund të kenë besim tek stabiliteti financiar në Eurozonë dhe se spekulimet kundër saj nuk janë me fitim."

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Michael Offer, shpjegoi se si do të funksiononte në rast nevoje transferta financiare për vendet në nevojë të Eurozonës: "BE-ja do të merrte kredi. Kreditë do të ripaguhen nën kushte të rrepta, në mënyrë që nga kredimarrja të prekej vetëm buxheti i BE-së. Me sa shoh unë deri tani shtetet e veçanta nuk do të prekeshin prej saj."

Kancelarja Angela Merkel mbrojti masat e ndërmarra nga qeveria gjermane, duke iu përgjigjur kritikave që kanë ardhur edhe nga radhët e veta. Vetëm pak orë pas takimit të ministrave të financave të BE-së kancelarja gjermane e cilësoi paketën e shpëtimit "një rast unik në historinë e euros dhe BE-së": "Ne mbrojmë monedhën tonë në një situatë të jashtëzakonshme. Ose mund t'ua shpjegoja kështu qytetarëve: ne mbrojmë paratë e njerëzve në Gjermani."

Kryetari i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel.
Kryetari i socialdemokratëve gjermanë Sigmar Gabriel.Fotografi: AP

Aksioni i shpëtimit të euros do të kalojë rrugën e zakonshme legjislative. Nëse socialdemokratët si forca më e madhe opozitare do të votojnë për ligjin është ende e hapur. Në votimin për ndihmën për Greqinë socialdemokratët abstenuan pasi qeveria nuk ishte e gatshme të pranonte vendosjen e një taske mbi transaksionet financiare. Edhe miratimin për paketën e shpëtimit për euron ajo pritet ta kushtëzojë me këtë kërkesë.

Ka të ngjarë që Partia Socialdemokrate këtë herë të ketë edhe mbështetje nga kampi i partive qeverisëse. Disa politikanë konservatorë janë ndërkohë të gatshëm të pranojnë taksën mbi transaksionet financiare. Vetëm demokratët e lirë të partnerit në koalicion FDP vazhdojnë ta refuzojnë kategorikisht këtë taksë.

Autor: Marcel Fürstenau / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti