1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane nuk i redukton ndihmat ndaj Kosovës

Anila Shuka1 Dhjetor 2008

Pas arrestimit të tre agjentëve nuk do të ketë reduktime ndihmash, por Berlini mbase do të jetë më i kujdesshëm me ndihmat për Kosovën.

https://p.dw.com/p/G70N
Thomas StegFotografi: AP

"Jemi të interesuar në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës e nuk kemi ndër mend që të hakmerremi me reduktimin e ndihmave", - ka thënë Tomas Shteg (Thomas Steg) të hënën në Berlin, duke përgënjeshtruar kështu raportet e mediave, sipas të cilave Berlini po shqyrton mundësinë e zvogëlimit të ndihmave për Kosovën.

Qarqet qeveritare nga Berlini bëjnë të ditur për Deutsche Wellen se mbas incidentit të tre agjentëve gjermanë, Qeveria do të jetë më e kujdesshme kur të përcaktojë ndihmën për vitin 2010. Shteg këtë nuk e tha, por kujtoi procedurën e zakonshme të dhënies së ndihmave, se "mbas një periudhe kohore bëhet rishikimi dhe përshtaten shumat dhe sektorët në varësi nga zhvillimet në vendin marrës".

Sipas qeverisë gjermane arrestimi i tre gjermanëve me akuzën për pjesëmarrje në sulmin e 14 nëntorit ndaj Zyrës Ndërkombëtare Civile është i pabazë dhe i paligjshëm. Aq më i pakuptueshëm është për Berlinin mbajtja e tyre në burgim. „Kjo që ndodhi është edhe më për të ardhur keq kur konstatojmë që Gjermania ësh të pikërisht një nga ato vende që po mbështet rindërtimin e shtetit në Kosovë", tha Shteg.

Lirimi i tre gjermanëve u realizua të premten (28 nëntor) në mbrëmje vetëm pas ndërhyrjesh të shumta në nivel të lartë qeveritar. Edhe shefi i zyrës së Merkelit, Thomas de Maizière (Tomas de Meizer), pat telefonuar për këtë çështje me kryeministrin Hashim Thaçi.

Që nga viti 1999 deri në vitin 2009 Gjermania ka vënë në dispozicion gjithsej 340 milionë euro për zhvillimin e Kosovës. Pjesën dërrmuese të tyre e përbëjnë 200 milionë eurot e premtuara në Konferencën e Donatorëve në Bruksel në korrik 2008.

Zëdhënësi i qeverisë nuk pranoi të komentonte motivet që i kanë shtyrë organet kosovare për arrestimin e tre agjentëve. Çështja ka arritur deri në qarqet parlamentare.

Komisioni për shërbimet e fshehta e shqyrtoi çështjen në një seancë të posaçme të enjten e kaluar (27 nëntor). Për këtë javë është planifikuar sërish një takim ku do të raportojnë edhe vetë tre agjentët.