1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria italiane ndërmerr hapa të ashpra kundër emigracionit ilegal

Jörg Seisselberg4 Tetor 2004

Opozita në Itali, organizatat humanitarë dhe Amnesty International janë tepër të shqetësuara. Kthimi kaq i shpejtë i klandestinëve është sipas organizatave për të drejtat e njeriut një shkelje e rëndë e ligjit italian dhe atij ndërkombëtar. Mesa duket qeveria italiane ka filluar një politikë më të ashpër kundër emigracionit ilegal.

https://p.dw.com/p/ArGF
Qindra klandestinë ilegalë arrijnë çdo ditë në brigjet e Italisë
Qindra klandestinë ilegalë arrijnë çdo ditë në brigjet e ItalisëFotografi: AP

Që prej fundjavës së fundit në Itali ekziston një ligj i ri: Varkat që vijnë çdo ditë me qindra klandestinë, do të kthehen pas brenda ditës, menjëherë pasi klandestinët t´i jenë nënshtruar trajtimit mjekësor. Qëllimi i kësaj politike është sipas ministrit të brendshëm italian Pisanu, që t´i dëshmojë çdo refugjati të mundshëm se nuk ja vlen që të vijë në Evropë në mënyrë ilegale nëpërmjet detit Mesdhe duke rrezikuar kështu jetën.

Konsekuenca e politikës së re italianë është se brenda 24 orëve të kaluara Italia i ktheu mbi 500 klandestinë nga Lampedusa me aeroplanë direkt në Libi. Alitalia i vuri në dispozicion aeroplanet e saj për këtë qëllim. Kjo mënyrë fluturimi për të kthyer refugjatët pas u bë e mundur pas një kontrate mes Libisë dhe Romës. Italia i ofroi Tripolit javën e kaluar ndihmë financiare si edhe mbështetje për ndërtimin e kampeve të refugjatëve.

Më 11 tetor Bashkimi Evropian do ta heqë zyrtarisht embargon kundër Libisë. Pas këtij vendimi do të lejohen sërisht varkat e patrullave bregdetare në bregdetin e Tripolis. Sidomos qeveria italiane kish ngulur këmbë që BE ta hiqte embargon kundër Libisë.


Kthimi i menjëhershëm masiv i klandestinëve ilegalë është reagimi i Italisë kundrejt valës më të madhe me refugjatë të këtij viti në drejtim të Lampedusës. Në ishullin më jugor të Evropës arritën javën e kaluar mijëra njerëz nga Libia. Shumica e tyre vinin me varka të vjetra druri. Sipas policisë bregdetare shkaku për numrin e madh të varkave më klandestinë është klima e butë. Deti është i qetë dhe tani është perudha më e mirë për të lëvizur mbi të. Së shpejti me ashpërsimin e klimës do të jetë më e vështirë për ta kaluar detin Mesdhe në mënyrë ilegale.

Gjatë kësaj jave në Itali do të fillojë aksioni i BE "Neptun 3". Italia, Spanja, Malta dhe Sllovenia do ta kontrollojnë detin Mesdhe me rreth 20 anije. Qëllimi i këtij aksioni është që varkat me klandestinë të ndalohen që në ujërat ndërkombëtare dhe të kthehen menjëherë drejt ishujve afrikano veriorë. Ky aksion do të zgjasë disa javë.

Ndërkohë përballë ishullit të Tunezisë ka nodhur një tragjedi e re. Një varkë e mbimbushur me klandestinë, e cila ishte nisur për Itali, u shkatërrua gjatë rrugës. 17 njerëz u mbytën dhe 50 të tjerë janë zhdukur pa gjurmë.