1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria italiane negocion me Libinë

Stefan Troedle3 Gusht 2006

Pas tragjedisë së refugjatëve në Lampeduza dhe Maltë, qeveria italiane do të forcojë luftën e saj kundër emigrimit ilegal. Planet e ministrit të brendshëm italian, Xhuliano Amato parashohin bashkëpunim më të ngushtë me Libinë, njoftojnë mediat italiane

https://p.dw.com/p/Aqov
Refugjatë në Lampeduza
Refugjatë në LampeduzaFotografi: AP

Janë të njëjtat tabllo, të njëjtat njoftime dhe të njëjtit njerëz, gjithmonë me lëkurë të errët dhe fytyra të frikësuara, bërryl më bërryl të ulur në motoskafe të vjetër. Shumica e këtyre skafeve zbulohen në kohën e duhur. 2000 "clandestini" ka ndihmuar Italia vetëm në dy javët e fundit, të ardhur nga Somalia, Mali, Eritrea apo shtete të tjera afrikane, për të cilët udhëtimi riskant drejt Europës është shpresa e fundit.

Por situata bëhet e rrezikshme, kur ka avari gjatë këtij udhëtimi. Në fundjavë humbën jetën më shumë 30 afrikanë. Para Maltës u fundos njëra nga motorbarkat, një tjetre i mbaroi benzina, njerëzit u vërtitën në det të hapur 20 ditë.

Maria Readi nga Maroku ka humbur motrën e saj në një transport të tillë, pikërisht javën e shkuar:

"Ne ishim 22 vetë, por mbërritëm 13. Kur erdhi policia, nuk e pashë më motrën. Motra ime nuk kishte qenë kurrë në det më parë, kur policët thanë, ka një femër ndër të vdekurit, e dija që ishte motra ime."

Motoskafi, i cili do të sillte në Itali Readin dhe motrën e saj, nuk kishte më benzinë, pastaj u mbarua edhe uji i pijshëm.

Michele Niosi, shef i komandës së portit në Lampeduzë, përgjegjës edhe për misionin e rojës bregdetare, vëren se kohët e fundit janë shtuar rreziqet për transporte të tilla. Më parë emigrantët vinin me motorbarka të mëdha peshkimi. Tani kontrabandistët i nisin njerëzit me gomone.

"Edhe rrugët sigurisht kanë ndryshuar. Kur filloi kjo, skafet vinin nga Tunezia. Tanimë ata vinë më shumë nga jugu, pra nga bregdeti i
Libisë."


Qeveria e Italisë synon të provojë edhe njëherë të ndërmarrë diçka kundër fluksit të refugjatëve. Në Romë zhvillohen sot për të satën herë bisedime me përfaqësues të qeverisë libiane. Ministri i jashtëm italian, Massimo d'Alema ka ftuar në Romë kolegun e tij nga Libia, zëvendësministrin e jashtëm, Al Obeidi.

Takime të tilla janë zhvilluar edhe më parë, por Italia vëren sërish një shtim të fluksit të refugjatëve.

Për komisarin e BE-së, Franko Fratini, problemi është se bandat e kontrabandistëve i përshtaten shumë shpejt situatave të reja. Ditën e djeshme, Fratini ka nisur tre vëzhgues të agjensisë evropiane të kufijve "Frontex" në Lampeduza.

"Ata duhet të vendosin prioritetet. Paralelisht ne do të organizojmë misionin evropian të vëzhgimit. Ujërat para Lampeduzës, Maltës dhe bregdetit të Libisë mund të mbikqyren nga forcat evropiane."

Në takimin e sotëm në ministrinë e brendshme italiane do të flitet për detaje të tjera të këtij misioni vëzhgues.