1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria në Austri do të krijohet para krishtlindjeve

Jörg Paas10 Tetor 2006

Me një tetor Austria zgjodhi parlamentin e ri. Tani janë bërë publike edhe rezultatet definitive sipas së cilave socialdemokratët dolën fitues. Befasi e zgjedhjeve është vendi i tretë i ekologjistëve. Ndërkohë gjithnjë e më shumë po spekullohet për mundësinë e një koalicioni të madh, si në Gjermani

https://p.dw.com/p/AqoM
Zgjedhjet ndryshuan hartën politike
Zgjedhjet ndryshuan hartën politikeFotografi: AP

Rezultati tani është përfundimtar: zgjedhjet e një tetorit e kanë ndryshuar hartën politike në Austri. Asnjë parti nuk ka mbetur në vendin e njëjtë, si më parë. Që socialdemokratët do të dalin më të fortë se partia konservatore popullore ishte e qartë para numrimit të rreth 250.000 votave. Gara shumë e ngushtë ishte për vendin e tretë. Më në fund, të gjelbërit dolën para partisë të popullistit të djashtë Kristian Shtrahe.

Mihaela Sburny ishte jashtëzakonisht e lumtur. "Rezultati ishte shumë i ngushtë. Do të jetë një dallim shumë i madh, sepse partia e tretë do të jetë edhe partia më e madhe opozitare . Eshtë me rëndësi nëse në këtë pozicion do të jetë një parti retrograde, armike ndaj të huajve, apo një parti si ajo ekologjiste me orientim drejt ardhmërisë", thotë ajo.


Vetëm 538 vota më shumë bënë që Partia ekologjiste të fitojë 10,5 ndërsa ajo populliste 10,4 përqind të votave. Numri i mandateve në parlament do të jetë i njëjtë për të dyja partitë, por kjo përqindje kaq e vogël epërsie i mundëson ekologjistëve të kenë postin e udhëheqësit të tretë të parlamentit, që paraqet edhe një risi të këtij parlamenti.

Megjithatë një dëshirë e ekologjistëve nuk është plotësuar: që partia e skajshme e djathtë, Lidhja për ardhmërinë e Austrisë të mos tejkalojë katër përqindëshin, sa është e domosdoshme për të hyrë në parlament. Udhëheqës i kësaj partie është Jörg Heider, i cili do të ketë edhe fraksionin më të vogël në parlament. Pas këtyre zgjedhjeve një është e qartë: koalicioni në dukje kaq i padashur, duket i pashmangshëm.

Udhëheqësi i partisë socialdemokrate, Alfred Gusenbauer: "Një koalicion prej dy partish më duket më stabël se ai tripartiak. Përkundër ndryshimeve të shumta, ne do të përpiqemi që me partinë popullore të arrijmë një marrveshje për bashkëqeverisje".

Kjo detyrë nuk do të jetë aspak e lehtë. Analistët sikur edhe ish - kancelari Franc Vranicki, mendojnë se bisedimet me kancelarin aktual Volfgang Shysel do të jenë të gjata dhe të vështira. Në vitin 1995 Vranicki edhe vet ishte negociator si kryetar i partisë popullore. "Në këso rastesh njeriu ka nevojë për shumë durim. Kemi një inflacion gjërash që nuk shkojnë së bashku. Do të ketë shkëmbime të shumtë të mendimeve të ndryshme dhe negociata të gjata".

Përvoja të ngjashme ka edhe ish zëvendëskancelari Erhard Buzek. "Brenga ime është se në qoftë se nuk kemi një, dy ose tri projekte bindëse, që do të mbështetetn prej të dyja palëve, situata do të jetë me të vërtetë e rëndë. Jo vetëm gjatë negociatave, por edhe në funkcionimin e koalicionit", thotë ai.


Presidenti i vendit Hainc, Fisher është ai i cili duhet të caktojë mandatarin e qeverisë së re. Në pyetjen e gazetarëve: a do të kemi para krishtëlindjeve një qeveri të re, presidenti Fisher përgjigjet shkurt: "Kjo është edhe dëshira ime".