1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria spanjolle mbrohet.

Oliver Glaap18 Mars 2004

Arrestime të reja.

https://p.dw.com/p/ArHz
Një javë pas atentateve me më shumë se 200 të vdekur qeveria spanjolle ka hedhur poshtë akuzat për manipulim të medieve. Ndërkohë policia në vijim të kërkimeve për atentatorët ka arrestuar edhe katër afrikano-veriorë të tjerë. Qeveria konservatore në pushtet në Spanjë është vënë në pozita mbrojtjeje megjithëse ndoshta për këtë është shumë vonë. Pas takimit javor të kabinetit qeveritar zëdhënësi i qeverisë Eduardo Zaplana u prononcua sot zyrtarisht rreth akuzave për mashtrim, fshehje të fakteve dhe manipulim që një ditë më parë u ngritën me furi kundër qeverisë së kryeministrit Aznar. "Asnjë anëtar i qeverisë nuk i ka bërë bisht detyrimit për vërtetësi. Askush nuk ka gënjyer, askush nuk ka manipuluar dhe askush nuk ka mbajtur të fshehta informacionet që dispononte"- ka thënë Zaplana. E meqenëse qeveria aktuale e di se deklarata të tilla nuk janë më të mjaftueshme ajo ka bërë publike dokumente të fshehta të shërbimeve sekrete. Prej tyre pritet të dalë se çfarë hetimesh janë kryer dhe çfarë përfundimesh u nxorën prej tyre. Ministri i rendit Angel Acebes citoi nga një raport që u bë publik ditën e ndodhjes së atentateve më orën 15:51. "Në këtë raport të shërbimit sekret për qeverinë thuhet:Konsiderojmë pothuaj të sigurt se organizata terroriste ETA është autore e këtyre atentateve." Ministri spanjoll i rendit përpiqet të bëjë kështu të qartë se cilësimi i organizatës terroriste ETA si e dyshuara kryesore ishte i mbështetur në raportet e shërbimit sekret. E njëjta gjë duket se vlen edhe për letrën që deklaronte autorësinë e atentateve të bërë publike më 11 mars në Londër. Ministri i rendit Acebes citon vlerësimin e shërbimit sekret spanjoll:Prej tyre konkludohet me probabilitet të lartë se kjo letër është përpunuar nga një person i cili ka lidhje me Xhihadin ndërkombëtar por që nuk ka brenda kësaj organizate peshën e mjaftueshme për të folur në emër të saj." Nga i njëjti grup që në mbrëmjen e 11 marsit mori përsipër autorësinë e atentatit ka dalë ndërkohë një komunikatë e dytë. Në të autorët njoftojnë se nuk do të ketë atentate të tjera në Spanjë derisa të bëhet e qartë nëse qeveria e re socialiste do të dalë nga koalicioni i luftës së Irakut. Atentate do të kryhen megjithatë në vende të tjera si p.sh. në Britaninë e Madhe kërcënohet më tej në komunikatë. Në konferencën e tij për shtyp ministri i rendit iu referua vetëm raporteve të shërbimit sekret të datave 11 dhe 12 mars. Përsa i përket ditëve më pas gjatë të cilave u shtuan provat për autorësinë e Al Kaidës ndërkohë që qeveria vazhdonte të fajësonte ETA-n ministri nuk u prononcua. Pyetjes se përse kryeministri spanjoll Aznar pati telefonuar personalisht në disa medie të vendit dhe të huaja për t'i bindur për autorësinë e ETA-s, zëdhënësi i qeverisë Zaplana iu përgjegj: "Unë e konsideroj një shenjë të rëndësishme të transparencës demokratike që kryeministri u vuri në dispozicion medieve më të rëndësishme informacionet që dispononte."