1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveritë pa receta zgjidhjeje

Jan Tussing5 Shkurt 2008

Asnjë qeveri nuk ka në dorë ndonjë recetë që mund të përdoret kundër rrjeteve terroriste islamike në vendet e Magrebit. Reformat nuk ju shkojnë në mend. Kështu që atentatet vetëvrasëse do të mbeten në rend të ditës

https://p.dw.com/p/D2rJ
Sulm terrorist në Thenia, 60 km larg Algjerit- 29 janar 2008
Sulm terrorist në Thenia, 60 km larg Algjerit- 29 janar 2008Fotografi: AP

Seria e sulmeve të esktremistëve islamistë në vendet e Magrebit është duke vazhduar me të njëjtin intensitet edhe këtë vit. Sulmet filluan për shembull me një atentat vetëvrasës në Naciria, në veri të Algjerit gjatë të cilit u vranë katër vetë. Më 11 dhjetor 41 vetë u vranë në Algjer nga dy sulme vetëvrasëse, 17 prej tyre ishin punonjës të Kombeve të Bashkuara.

Grupi terrorist "Al Kaida në Magrebin islamist" morri përsipër sulmet. Grupi është duke u organizuar prej vitesh në rajon dhe duket se do të ekzistojë për kohë të gjatë.

„Al Kaida në vendet e Magrebit" - organizatë e re terroriste islamike bëri emër shumë shpejt prej sulmeve të përgjakshme në Algjeri dhe Mauritani. Ndërkohë ajo është bërë pjesë përbërëse e rivierës politike të Afrikës Veriore. Dhe pas disa atentateve vetëvrasëse në muajt e fundit po bëhet gjithnjë e më e qartë se terrori i ushtruar në emër të Allahut është duke marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha në Afrikën islamike të Veriut. Kryesisht në Algjeri. Në muajt prill dhe dhjetor të vitit të kaluar terrori u kthye në kryeqytetin Algjer, pas një kohe të gjatë. Fanatikë fetarë hodhën në erë në mes të qytetit disa dhjetra njerëz të pafajshëm.

Në sulmin kundër parlamentit algjerian, të kryer në muajin prill të 2007-ës u vranë 40 vetë. Presidenti i Algjerisë Abdelaziz Bouteflika, shpëtoi për fije të perit pa u vrarë nga një atentat vetëvrasës, që u krye në muajin shtator. Por dhuna e terroristëve algjerianë nuk drejtohet vetëm kundër institucioneve shtetërore dhe kombëtare. Edhe seksioni për refugjatët i Kombeve të Bashkuara u prek rëndë në muajin dhjetor. Al Kaida e vendeve të Magrebit drejtohet kundër institucioneve të krishtere dhe hebreje. Gjatë të shtënave para ambasadës izraelite, në kryeqytetin e Mauritanisë, Nouakchott u plagosën javën e kaluar dy vetë. Terrori islamist ka përfshirë Afrikën veriore, por në ndryshim nga periudha e Luftës Civile Algjeriane kësaj here rrezikon të mbulojë sipërfaqë të tëra.

Për gazetaren algjeriane Baya Glacemi, në spiralen e dhunës luan rol të madh zhgënjimi në rritje i të rinjve. Atentatori i dhjetorit nuk kishte mbushur 15 vjeç. „Në fillim të viteve nëntëdhjetë njerëzit që ju bashkuan rezistencës kishin një ideal, një ideologji. Ata ishin islamistë që luftonin për idetë e tyre. Por çfarë ideologjie kanë sot të rinjtë 15 vjeçarë që bëjnë atentate? Ata nuk kanë ideologji, ata janë të çoroditur. Dhe pse? Sepse nuk kanë asnjë perspektivë për të ardhmen, sepse jeta e tyre po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Njerëzit shohin përreth vetëm padrejtësi dhe korrupsion, ata shohin se arkat e shtetit janë plot para por jeta e tyre nuk përmirësohet. Prandaj ata kthehen në atentatorë vetëvrasës dhe terroristë. "

Mauretani, Marok, Algjeri apo Tunizi - kudo rritet indinjata kundër regjimeve të patundshme, indinjata për shkak të varfërisë dhe mungesës së demokracisë. Objektivi i deklaruar i shumë grupeve radikale është të luftojnë qeveritë e urryera dhe të bashkohen me organizatën ndërkombëtare terroriste, Al Kaida. Dhe përpjekjet e tyre po japin rezultatet e para. Al Kaida është duke u përhapur në vendet e Magrebit me një strukturë radikale, përqëndrimi i të cilës nuk është vetëm në Algjeri, por është duke kërkuar partnerë të rinj kudo në rajon.

„Nuk ka arsye për të qënë optimist. Nëse qeveritë vazhdojnë me politikën e deritanishme, atëherë unë do thosha se Algjeria, jo se do të humbasë sepse ky vend ka shumë para, por se do të kthehet në vend të paqeverisshëm. Nëse qeveritë nuk marrin masa për përmirësimin e politikave sociale dhe ekonomike, atëherë unë trembem se do të bëhet më keq."

Dhe me siguri që nuk do të ketë ndryshime sepse presidenti algjerian njoftoi javën e kaluar se do të mbajë postin edhe për një legjislacion tjetër, megjithëse kjo bie ndesh me kushtetutën dhe megjithëse ai vetë është i sëmurë. Për fatin e keq të popullsisë. Sepse po duket gjithnjë e më qartë se me qeverine Boueflikas, Algjeria nuk do të dalë nga kriza. Përgjigja e vetme e qeverisë kundër terrorit është kundërterrori. Dhe si përfundon ky konfrontim e dinë mirë algjerianët.