1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qindra mijëra vetë në Pakistan ende pa asnjë lloj ndihmë

Christoph Heinzle22 Tetor 2005
https://p.dw.com/p/ArNd
Viktimat e tërmetit në Pakistan ende pa ndihmë mjekësore
Viktimat e tërmetit në Pakistan ende pa ndihmë mjekësoreFotografi: AP

Dy javë pas tërmetit me pasoja të rënda në Pakistan disa qindra mijëra vetë ende nuk përfitojnë ndihmë. Ushtria pakistaneze dhe ekipet e mjekëve nga e gjithë bota tentojnë që më këmbë, me gomerë apo me helikopterë të depërtojnë në fshatrat malorë ende të izoluar. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara tërmeti ka shkatërruar infrastrukturën në Pakistanin verior në një sipërfaqe prej rreth 28.000 kilometrash katrorë. Përparimi në zonat deri tani të bllokuara po tregon se numri i viktimave është më i madh se shifra zyrtare. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se ky numër mund të rritet edhe më për shkak të dimrit që po afron, plagëve dhe sëmundjeve të pa mjekuara.

Janë fëmijët në malet në veri të Pakistanit ata që vuajnë më shumë. Të shumtë ishin ata edhe në mes të viktimave të tërmetit të rëndë dy javë më parë dhe tani rreziku për jetën për shkak të plagëve, sëmundjeve dhe të ftohtit është tek fëmijët më i madh se tek të rriturit. Për shumë prej tyre ndihma nuk është e mundur edhe aty ku ajo ka mbërritur. Ja çfarë tregon një baba:"Dje kam çuar në spital vajzën time. Atje ishte një ferr i vërtetë. Iu luta mjekut të shtronte vajzën pasi gjendja e saj është shumë e rëndë por ai ishte shumë i zënë për ta vizituar. Pra s'më mbeti gjë tjetër veçse ta merrja në krahë e ta sillja këtu ku mund ta ndihmojnë."
Më shumë se njëqind mijë fëmijë ende nuk kanë marrë ndihmë paralajmëron organizata e Kombeve të Bashkuara për fëmijët UNICEF sipas së cilës 10.000 mund të vdesin javët e ardhshme nëse nuk u vihet shpejt në ndihmë. Rreziqet janë të ndryshme tregon Khalida Ahmad e UNICEF-it: "Prej të ftohtit njerëzit mund të sëmuren me pneumoni. Ata janë të rraskapitur. Kemi parë njerëz të pijnë ujin në të cilin më parë kishin larë rrobat. Përmes ujit mund të përhapen sëmundje ngjitëse. Njerëzit do të vuajnë edhe më shumë dhe kjo është e tmerrshme."
Problemi kryesor i skuadrave të ndihmës është që duhet të jenë kudo në të njëjtën kohë, pasi edhe ata që përfitojnë mjekim nuk mund të thuhet se kanë shpëtuar. Dr.Ghulam Popal nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë: "Problemi më i madh për pacientët është tani strehimi pas operacionit. Pjesa më e madhe e shtëpive janë shkatërruar, edhe të ato të të afërmve që shoqërojnë pacientët. Ata nuk kanë asgjë ku mund të rikthehen."
Temperaturat janë ulur në mënyrë drastike brenda vetëm pak ditësh, në shumë vende gjatë natës ka ngricë. Për këtë arsye ndihma është akoma më urgjente. Qindra mijëra çadra e kabina janë të nevojshme për të prekurit nga tërmeti. Zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze gjenerali Shaukat Sulltan thotë: "Shqetësimi më i madh është për momentin strehimi i të gjithë njerëzve përpara ardhjes së dimrit. Të ftohtët ka filluar tashmë e në disa vende ka rënë edhe dëborë. Tani po përpiqemi të arrijmë në zonat që deri tani kanë qenë të izoluara - më këmbë, hipur mbi gomerë e në disa rajone edhe me varka për të kaluar lumet. Po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë."
Por shumë përpjekje për ndihmë vonohen për shkak të mungesës së parave. Qeveritë e shteteve kryesore donatore në perëndim vonohen ankohen Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se ndihmat nga privatët janë të pamjaftueshme. Kështu mungojnë paratë për ushqime dhe sende të tjera jetike si dhe për logjistikën e shtrenjtë si p.sh. marrjen me qera të helikopterëve. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan në një letër i ka bërë përsëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së të ndihmojnë sa më shpejt. Bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojë tani të njëjtën gadishmëri si pas Tsunamit në Azi, ka kërkuar Anan.