1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qindra të arrestuar për krim të organizuar brenda 6 muajve

8 Korrik 2010

Raporte të ndryshme tregojnë se Kosova vazhdon të përballet me forma te ndryshme të krimit të organizuar, shkaktar kryesor i të cilit cilësohet mosshtrirja e autoritetit të qeverisë së Kosovës në gjithë territorin.

https://p.dw.com/p/OEHr
Fotografi: dpa

Pas luftës së Kosovës, me hapjen e kufijve, lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave, u intensifikua edhe shtrirja e krimit të organizuar në Kosovë. Prezencen e tij e dëshmojnë faktet në terren dhe raportet e ndryshme, ndër të cilat edhe raporti më i fundit i Departamentit amerikan të shtetit. Një konstatim real, fatkqesisht-pohon Fatmir Xhelili, zëvendësminister i Punëve të Brendshme të Kosovës.

"Mirëpo, vetëdija e institucioneve të shtetit tonë për prezencën e këtyre dukurive ka bërë që ne të marrim hapa adekuat dhe t´i koordinojmë aktivitetet në luftimin e tyre. Në parandalim po investojmë bukur shumë, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë, Minsitrinë e Kulturës me OJQ-të në partneritet. Investimet në prokurori dhe në gjyqësi çojnë një hap përpara. Plotësimet dhe ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedures Penale do të ndikojne në lehtësimin e veprimtarisë së organeve të ndjekjes dhe rritjen e masës së ndëshkimit të të inkriminuarve. Ndërsa, themelimi i një agjensie për konfiskimin e pasurisë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, do të jetë një goditje determinuese ndaj krimit të organizuar në Kosove,“-thotë zëvendësministri Xhelili, sipas të cilit mungesa e i ligjeve bazë edhe më tej është pengesë që produkti kundër krimit të organizuar të finalizohet.

Buim, tranzit dhe destinacion trafikimi

Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, Kosova mbetet vend burimi, tranziti dhe destinacioni i trafikimit të drogave, qenieve njerëzore dhe formave të ndryshme të krimit të organizuar. EULEX-i, ndryshe nga UNMIK-u, ka autoritet ekzekutiv tejet të kufizuar, ndërsa trafikantët përfitojnë nga kontrolli i dobët i kufirit. Por, sfida kryesore rreth e qark kufijve të Kosovës në evidentimin dhe parandalimin e formave të ndryshme të krimit të organizuar është mungesa e paisjeve dhe mosshtrirja e përgjegjësisë në tërë territorin e Kosovës-thotë nënkolonel Kamer Jonuzaj, u.d. i Drejtorit të Policisë Kufitare të Kosovës: "Vështirësia më e madhe për ne është mosmenaxhimi i pjesës veriore të kufirit dhe mungesa e shkëmbimit të informacioneve me Republikën e Serbisë. Pastaj, mungesa e paisjeve adekuate për mbikëqyrje të kufirit, siç janë paisjet e sofistikuara natën dhe lëvizjet ilegale, sikurse na mungon edhe vëzhgimi ajror, me ç`rast ne e shfrytëzojmë KFOR-in i cili bën vëzhgime me helikopter," - thotë nënkolonel Jonuzaj, sipas të cilit sfidë tjetër për menaxhim të kufirit është korrupcioni, arsye për të cilën në dy javët e fundit janë suspenduar tre zyrtarë policorë.

Por, ShBA-të dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë mbështetjen e tyre për Policinë e Kosovës. "Kemi ndihmë teknike dhe në ngritj kapacitetesh. Donacioni më i fundit nga BE me paisje të ndryshme për kontrollimin e kufirit, për makina, etj. është tre milionë euro. Po ashtu, SHBA dhe BE na kanë ofruar paisje tekonlogjike për kontrollimin apo evidentimin e personave si dhe trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit," -thotë nënkolonel Januzaj, sipas te cilit Policia e Kosovës menaxhon me të gjitha pikat kufitare, por jo edhe me ato në brezin kufitar me Serbinë, mbikëqyrjen e të cilit e bën KFOR-i, ndërsa përgjegjësinë ekzekutive në pikat 1 dhe 31 e ka EULEKS-i. Vijën e gjelbërt të kufirit në tërë territorin e Kosovës, me përjashtim të kufirit me Shqipërinë, e menagjon KFOR-i.

Mungon bashkëpunimi midis vendeve

"Ndërsa, bashkëpunimi ndërkufitar me policitë e rajonit është vetëm në kuadër të integrimit të kufijve, por jo edhe të luftimit e përbashkët të krimit të organizuar. Jo fort larg patëm rastin në Maqedoni ku u ndërmorrën operacione, ndërsa se si polici kufitare nuk kemi pasur asnjë informacion për zhvillimin e tyre," - thotë nënkolonel Jonuzaj.

Me gjithë vështirësitë e një shteti në formim, Strategjia Shtetrore e Republikës së Kosovës kundër krimit të organizuar dhe plani i veprimit 2009-2012, ka ndihmuar dukshëm në bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve relevante dhe në rritjen e efikasitetit të Policisë së Kosovës, në luftë kundër krimit të organizuar. Ndërsa, bilanci i këtij gjashtëmujori me 260 të arrestuar për narkotikë, rreth 90 të arrestuar për trafikim me qënie njerëzore si dhe arrestime të tjera të grupeve kriminale është rezultat i centralizimit të njësive hetuese-thotë major Gazmend Hoxha, u.d. i Kryesusit të Departamentit Kundër Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili sjell hollësi për operacionin e koduar "APAQI": "Pas një hetimi disamujor, në Ferizaj, kemi arritur të fusim prapa grilave një grup kriminal prej 20 presonave. Në fakt, tre prej tyre janë në arrati, por që janë të njohur për Policinë e Kosovës. Dhe, meqënse ata nuk gjenden në Kosovë ne kemi bërë kërkesa tek policitë ndërkombtare t´na ndihmojnë për kapjen e tyre. Tek të 7 personat e arrestuar në fazën e tretë të këtij operacioni janë gjetur edhe 7.5 kg heroinë, e cila kishte për destinim Zvicrën dhe shtetet e tjera perëndimore. Jemi në përgatitje shumë intensive për operacione të tjera, ndërsa do të ketë luftë edhe më efikase në luftë kundër drogave dhe formave të tjera të krimit të organizuar," - thotë major Hoxha.

Sipas të dhënave të drejtorisë së hetimit të trafikimit me narkotik, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë konfiskuar 20 kg heroinë, 56 kg marihuanë dhe 700 bimë kanabisi; janë hapur 132 raste; janë zhvilluar 480 operacione dhe janë arrestuar 222 persona. Drejtoria Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore gjatë këtij gjashtë mujori ka zhvilluar dy operacione, të cilat kanë rezultuar me 413 lokale të kontrolluara, 71 lokale të mbyllura, 57 të arrestuar dhe 18 viktima të identifikuara. Ndërsa, zëvendësministri I Punëve të Brendshme Fatmir Xhleili flet për ngushtimin e rrethit të të dyshuarve për vjedhjen spektakulare te 25 prillit 2009, kur në objektin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës janë vjedhur 47 kilogramë heroinë dhe më shumë se 3 milionë euro në valuta të ndryshme.

"Nuk muj me fol sa afër apo larg jemi, mirëpo në bazë të optimizmit të njerëzve që po udhëheqin këtë rast, unë besoj se ky rast do të zgjidhet. Përndryshe, moszgjidhja e tij do të jetë një barrë e rëndë për Policinë e Kosovës."

Pavarësisht pasqyrës jo të mirë për Kosovën ndërkohë, aksionet e fundit të Policisë së Kosovës inkurajojnë për një luftë të vendosur kundër krimit të organizuar. Ndërsa, deklaratat e EULEKS-it se "së shpejti do të korren frutat e hetimeve në të gjitha fushat e krimit," japin shpresë se Kosova, pas shumë peripetive e sfidave, megjithatë në një të ardhme të afërt do të jetë një shtet i rendit dhe i ligjit. Në rast tjetër, realizimi i synimit për t´u bërë së shpëjti pjesë e Evropës, do të mbetet larg.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama