1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët e Shqipërisë (me pasaporta biometrike) mund të udhëtojnë pa viza

8 Nëntor 2010

Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE vendosi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kreu i PE për Ballkanin Perëndimor, Eduart Kukan thotë se Shqipëria i ka plotësuar kriteret e kërkuara.

https://p.dw.com/p/Q1Kp
Në të ardhmen pa vizaFotografi: picture-alliance/chromorange

Nga Brukseli erdhi lajmi i shumëpritur për qytetarët e Shqipërisë: më në fund edhe ata do të gëzojnë lëvizjen e lirë, pa viza në hapësirën Shengen. Po-ja e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE është përfundimi i një procesi që nisi me propozimin e KE, vijoi me vlerësimin e tij pozitiv për plotësimin e kushteve teknike nga qeveria e Tiranës, për të shkuar deri në miratimin para një muaji, me një maxhorancë të gjërë votosh nga Parlamenti Europian, i rezolutës së komisioneres Tanja Fajon.

Paralajmërimet

I gjithë procesi deri në vendimin e sotëm është shoqëruar nga paralajmërime të forta për pasojat e mosrespektimit strikt të procedurave dhe afateve kohore të përcaktuara nga BE.

Eduard Kukan
Eduard KukanFotografi: AP

“Komisioni Europian do të ndjekë nga shumë afër qytetarët shqiptarë që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, që ata të mos kërkojnë azil politik, leje qëndrimi apo leje pune. Ata duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat, afatet kohore dhe procedurat e BE për heqjen e vizave”, thotë për programin shqip të DW, europarlamentari Eduard Kukan.

Pasojat

Tanimë dihet edhe se cilat do të jenë pasojat në rast të thyerjes së rregullave: çdo vend i hapësirës Shengen gëzon të drejtën të rikthejë regjimin e vizave nëse konstaton thyerje të procedurave. Kjo ka një arësye të fortë: reagimin e qytetarëve të këtyre vendeve.

“Qytetarët e vendeve të hapësirës Shengen duhet të ndihen të sigurtë nga vizitorët prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Këtë siguri ua japin pasaportat biometrike dhe kontrollet në pikat kufitare . Por gjithsesi nëse do të ketë përpjekje për të thyer rregullat dhe proceduarat kjo mund të rikthjejë regjimin e vizave. Të gjitha vendet e hapësirës Shengen kërkojnë që heqja e vizave të mos rrezikojë sigurinë e tyre”, thotë Eduard Kukan.

Kriza politike


Drita e gjelbër e Këshillit të Ministrave nuk varet nga kriza politike në vend dhe paraqet një hap cilësor perpara në procesin e integrimit europian.

Kjo do të duket qartë të martën më 9 nëntor, kur Komisioni Europian do të publikojë variantin zyrtar të vlerësimit të progresit demokratik të Shqipërisë, të kërkuar nga Këshili Europian, si bazë për të marrë vendimin.

Parlament in Albanien, Innenansicht
Kriza të zgjidhet në parlament e jo në rrugëFotografi: AP Photo

“Jam i sigurtë se do të ketë shumë përgjigje pozitive, pasi Shqipëria ka shënuar arritje në kryerjen e reformave. Por Shqipëria duhet të vazhdojë reformat. Shumë e rëndësishme për Këshillin Europian është edhe çështja e stabilitetit në funskioniomin e institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, në rastin konkret në funksionimin e plotë të Parlamentit”, pohon Kukan.

Pikërisht në këtë pikë përqendrohet gjithë mangësia e Shqipërisë. Kriza nisi menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për shkak të saj nuk është i mundur miratimi i ligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar ose kushtetuese, pasi opozita kërkon në këmbim të votës së saj, transparencën e pakushtëzuar të zgjedhjeve të qershorit 2009. Kjo situatë ka krijuar shqetësim tek Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian, pasi stabiliteti i institucioneve ka të bëjë me përmbushjen e kriterit politik të Kopenhages, të vendosur në vitin 1993 nga Këshilli i Ministrave të BE.

“Nuk ka shenja se kriza politike do të zgjidhet së shpejti. Por kjo situatë, nëse vazhdon do të dëmtojë ambiciet e Shqipërisë për integrimin europian” thotë Eduard Kukan.

Ai pranon se të gjitha përpjekjet e Komisionit dhe Parlamentit Europian për të bindur qeverinë dhe opozitën të arrijnë në një kompromis për transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare dhe kapërcyer krizën, kanë dështuar. Europarlamentari Eduart Kukan shmanget të bëjë prognoza për raportin e ditës së martë.


Rruga e integrimit vazhdon, protestat nuk ndihmojnë

“Cilido qoftë rezultati i raportit të Komisionit Europian, pozitiv apo do ta shtyjë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, rruga e Shqipërisë drejt BE do të vazhdojë. Partitë politike duhet ta konsiderojnë si një apel, si një sfidë për të dyfishuar përpjekjet e tyre për të dalë nga kriza politike përndryshe do të jetë shumë e vështirë që kriza të mos ndikojë në situatën e përgjithshme politike të Shqipërisë", shpjegon Kukan.

Ai nuk e konsideron rifillimin e protestave, të paralajmëruara nga opozita, si një mënyrë që ndihmon zgjidhjen e krizës.

“Parlamenti është vendi për të diskutuar çështjet politike, vendi ku duhet të zhvillohet lufta politike. Grevat e urisë dhe protestat në rrugë nuk janë të dobishme”, përfundon ai.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani