1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët serbë ftohen të pranojnë realitetin e Kosovës

Bekim Shehu31 Tetor 2006

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës qëndruan sot në Mitrovicë, ku u shpjeguan nga afër qytetarëve rrjedhën e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Tubimi u mbajt në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës me qytetarë shqiptarë, pa asnjë pjesëtar të pakicës serbe

https://p.dw.com/p/ArbW
Mitrovica veriore
Mitrovica verioreFotografi: DW


Udhëheqësit politik kosovarë vazhdojnë të jenë të shqetësuar për mundësinë e shtyrjes së statusit për vitin e ardhshëm edhe pse grupi negociator i Kosovës akoma zyrtarisht nuk ka ndonjë sinjal, që vendimi për të ardhmën e Kosovës nuk do të merret këtë vit. Në këtë linjë, anëtarët e grupit negociator të Kosovës kanë ndërmarrë një nismë që tu shpjegojnë nga afër qytetarëve të Kosovës rrjedhën e procesit të
bisedimeve për statusin dhe në këtë mënyrë të evitojnë çdo mundësi për ndonjë pakënaqësi të shprehur të qytetarëve që do të mund të dëmtojë procesin e
bisedimeve.

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës qëndruan në Mitrovicë dhe u thanë qytetarëve shqiptarë se procesi i decentralizimit të pushtetit lokal kërkon kohë, në këtë kuadër edhe për qytetin e Mitrovicës sipas tyre është menduar një formulë e
integrimit të qytetit.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se, për çështjen e Mitrovicës ka tensione dhe tensionet sipas tij, shkaktohen vazhdmisht nga autoritet e Beogradit. Kosovës, tha Presidenti, i nevojitet një situatë stabile, një qëndrueshmëri institucionale dhe funksionale që nga
niveli qëndror deri tek ai lokal. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku nga ana e tij, i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë të durueshëm, sepse procesi i bisedimeve për të ardhmën e Kosovës sipas tij, është në fazën përfundimtare.

Takimi i anëtarëve të grupit negociator të Kosovës u zhvillua në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës me qytetarë shqiptarë, pa asnjë pjesëtar të pakicës serbe.
Këta të fundit ka dy ditë që vazhdojnë të festojnë miratimin e kushtetutës së Serbisë e cila në preamblën e saj Kosovën e përcakton si pjesë të Serbisë. Qytetarët serbë, pas miratimit të kushtetutës u shprehen të bindur se Kosova do të mbetet brenda
teritorit të Serbisë. Mirëpo, grupi negociator i Kosovës, ftoi qytetarët serbë që ta pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, të integrohen në shoqërinë kosovare ndërsa, nga përfaqësuesit e serbëve kërkuan që të inkuadrohen në institucionet e përbashkëta.