1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qyteti i Drezdenit shet kontigjentin e shtëpive & Skandali i basteve për futbollin

Vilma Filaj-Ballvora11 Mars 2006

Shitja e të gjithë kontigjentit të shtëpive që posedonte qyteti i Drezdenit një investuesi amerikan preokupon komentatorët në shtypin e sotëm. Në përgjithësi reagimet janë negative. Në fokus të komenteve është edhe skandali i ri mbi bastet e futbollit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Arqz

Gazeta e Berlinit "Tageszeitung" lidhur me shtijen e shtëpive në Drezden shkruan: "Eshtë një shitje me rrisk. Në Drezden fondi imobiliar amerikan Fortress ka blerë për 1,7 miliardë euro 48.000 shtëpitë e qytetit. Por ç´do të ndodhë pas pak vitesh? Dikur shtëpitë më të mira do të shiten, e në këtë mënyrë mund të rriten sërish interesat e kredisë. Më pas për fondin do të jetë e më e vështirë që të menaxhojë fitimet e parashikuara. Ndaj ata do të përpiqen të rrjepin qiraxhinjtë. Të paktën në zonat me dendësi të lartë banimi kjo është e mundur", komenton "Tageszeitung".

Edhe më kritik është komentatori i "Berliner Zeitung": "Kryebashkiaku i Drezdenit Rosberg s´ka përse të jetë krenar. E ç´ka bërë ai? Ai vetëm sa ka shpërdoruar buxhetin në mënyrë të tillë, sa tani detyrohet të shesë thesarin më të madh, madje thesarin e vetëm për të shpëtuar veten, e ky thesar është kontigjenti i shtëpive të qytetit. Kjo nuk është ndonjë vepër heroike, por është dëftesa e publikuar vet për paaftësinë", vëren "Berliner Zeitung".

"Stuttgarter Nachrichten" komenton: "Joshja nuk është edhe aq e madhe: shembulli i Drezdenit nuk duhet të pasohet në Gjermani. Sepse mbyllja afatshkurtër e boshllëqeve buxhetore mund të kushtojë shtrenjtë në afatgjatë, aq më keq kur vjen puna të shesësh edhe plaçkat e trupit. Kur të vijë dita që qiraxhinjtë e parë s´do të kenë kapacitet pagese, do të dëgjohet klithma. Qiraxhinjtë nuk mund të kenë shpresë tek investuesi Forstress. Në tregun e kapitalit vlen vetëm fitimi, ndërsa ndjenja është një fjalë e huaj", nënvizon "Stuttgarter Nachrichten".

Tre muaj përpara kampionatit botëror të futbollit në Gjermani, zbulohet një skandali i ri bastesh. Prokuroria e Frankfurtit po heton për mashtrime dhe manipulime në ligën rajonale dhe në kategorinë e dytë të Bundesligës. Mbi këtë temë në gazetën "Märkische Allgemeine" që del në Potsdam lexojmë: "Liga gjermane e futbollit skandalin e ri disi e rezervuar po e quan si "dyshime fillestare për manipulim të basteve në pesë raste." Gjendja e fakteve është tani për tani e zbehtë. Prokuroria që drejton hetimet flet për katër arrestime, por nuk jep emra. S´është çudi që spekulimet e ekzagjerojnë. Aq më shumë që mund të hiqet një paralele me dyshimet e para të shfaqura në rastin e skandalit të basteve me arbitrin Robert Hoyzer. Edhe në këtë rast Federata Gjermane e Futbollit për një kohë të gjatë u përpoq të mos nxjerrë asgjë, derisa gjithçka që doli në shesh s´mund të fshihej më. Ka mundësi që akuzat këtë radhë të mos kenë bazë, por sidoqoftë në prag të fillimit të kampionatit botëror të futbollit të mbetet një shije e keqe, sepse ka kohë që futbolli e ka humbur virgjërinë e vet", komenton "Märkische Allgemeine".

Mjaft i ashpër është komentatori i "Schwarzwälder Bote" duke iu referuar Federtarës Gjermane të Futbollit: "Për futbollin gjerman në prag të botërorit 2006 në vend po mbushet kupa. Stadiumet janë një terren ideal për kriminalitetin e organizuar. Atje ku vihen baste sillen vërdallë edhe figura të dyshimta. Këto mund të zhduken vetëm duke ndaluar bastet. Por një gjë të tillë nuk e pranon kurrësesi Federata Gjermane e Futbollit. Tek e fundit ajo fiton fuqishëm prej tyre", shkruan "Schwarzwälder Bote".