1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rënia e murit befasoi edhe Bashkimin Sovjetik

7 Nëntor 2009

Kur 20 vjet më parë muret ranë në Berlin, të gjithë u befasuan. Edhe Bashkimi Sovjetik. Michail Gorbatschov u informua me vonëesë. Zhvillimet në RDGJ (DDR) nuk i kishte parashikuar as vetë shërbimi sekret KGB.

https://p.dw.com/p/KQWC
Gobaçovi dhe Kohli - lideri sovjetik fillimisht ishte i befasuar, por nuk reagoi.Fotografi: AP

Atë mëngjes të 9 nëntorit 1989, Vjaçeslav Koçemasov, ish-ambasadori sovjetik në RDGJ /DDR përpiqej të telefononte me shefin e tij, ministrin e Jashtëm Eduard Shevarnadze. Çështja ishte urgjente: Berlini Lindor kërkon t`i lehtësojë qytetarëve të tij vajtjen në Republikën Federale (Gjermania Perëndimore) dhe pyet nëse Bashkimi Sovjetik do të ishte kundër. Por në Moskë kërkush nuk del në telefon, sepse në Bashkimin Sovjetik festohej 72 vjetori i Revolucionit të Tetorit. Udhëheqja shtetërore nuk është e arritshme. Një zëvendës i ministrisë së Jashtme ruse jep jo shumë i sigurt dritën jeshile për planet e shokëve, siç i quanin rusët gjermano lindorët.

Në mbrëmje punonjësit e ambasadës sovjetike ndoqën në televizion konferencën e shtypit të Günter Schabowski-it. Ata pësojnë shok kur Schabowski, anëtar i Byrosë Politike, bën të ditur hapjen e murit, sepse aprovimi rus ishte dhënë vetëm për kalime të reja në kufirin gjermano - çek.

Hapja e kufirit dhe rreziku nga "zgjidhja kineze"

Günter Schabowski bei der Pressekonferenz am 09.11.1989
Günter Schabowski (1989)Fotografi: picture-alliance/ dpa

„Sipas njohurive të mia ... kjo hyn në fuqi menjëherë, pa humbur kohë“, deklaroi Schabowski.

Pastaj ndodh diçka që sot duket e pabesueshme. Në vend që të informojnë menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm Mihail Gorbaçov, ambasadori Koçemasov merr medikamente gjumi dhe fle. Kur disa orë më vonë, dhjetramijëra gjermano-lindorë vërshojnë për në Berlinin Perëndimor, zëvendësambasadori Igor Maksimiçev i telefonon Kremlimit duke provokuar ndonjë reagim të pamenduar. Maksimiçevi mendon për ata që preferojnë "zgjidhjen kineze".

Në verë të 1989-ës, udhëheqja kineze kishte shtypur me tanke protestat në Sheshin e paqes qiellore. Gorbaçovi e kishte përjashtuar mundësinë e një skenari të tillë. Megjithatë një telefonatë nga Berlini atë natë do të ishte kuptuar si sinjal alarmi. Diplomati sovjetik mendon të mos telefonojë.

„Hapja e Murit kishte të bënte me një vendim të udhëheqjes së RDGJ-së, një pjesë e së cilës ishte aprovuar edhe prej nesh. Për mua gjendja ishte e tillë, që më pëlqente më shumë të dëgjova Gorbaçovin të thoshte: 'mos e dramatizoni ngjarjen'. Pra unë nuk e informova Moskën. Rënia e Murit nuk ndodhi fshehurazi, por ndodhi para syve të gjithë botës", thotë ai.

KGB-ja e befasuar

Edhe Shërbimi Sekret Sovjetik është i befasuar. Ivan Kuzmin punonte në vjeshtën e 1989-ës si shef informativ i përfaqësimit të KGB-së në RDGJ.

Im Focus KGB 03.03.2007 Emblem
KGB-ja

„Udhëheqja e Bashkimit Sovjetik ishte e bindur se rendi politik në RDGJ ishte i pakëndshëm. Kjo kishte të bënte me edukimin ideologjik. Pra nuk kishte prognoza për zhvillim krizash", thotë ai.

Kuzmin sheh konferencën e shtypit të Schaboëski-t në televizion. Por atij kjo ngjarje nuk i duket e rëndësishme. Ai shkon për të fjetur pa kuptuar se disa kilometra më tutje hapen postblloqet në drejtim të Perëndimit. Në mesnatë Kuzmin zgjohet nga një thirrje telenofike prej qendrës së KGB-së në Berlin-Karlshorst. Një oficer e informon se kufiri është hapur. Ndryshe nga ambasada sovjetike, KGB-ja dërgon një raport të gjatë në Moskë mbi gjendjen. Mëngjesin tjetër (10 nëntor 1989) filluan reagimet, kujton Kuzmini.

„Moska reagoi me histeri. Çdo 30 minuta vinte një telegram ose një telefonatë: Çfarë ka ndodhur? Unë u tregoja çfarë kishte ndodhur në qytet. Ne në Berlin ndjenim sa e rrezikshme ishte gjendja dhe i trembeshim konflikteve të mëdha, të cilat mund të kërkonin edhe përfshirjen e trupave. Mendoj se mund të thuash se ka qenë një mrekulli që kjo nuk ndodhi", kujton ai.

Kur flet për trupat, ai ka parasysh të ashtuquajturat trupa perëndimore, rreth 350 mijë ushtarë sovjetikë të stacionuar në Gjermaninë Lindore pas përfundimit të luftës. Gjatë kryengritjes popullore në RDGJ më 17 qershor 1953, Moska ndërhyri kundër popullit të RDGJ-së. Kurse më 1989 ushtarët qëndruan në kazerma. Gorbaçovi përshëndeti rënien e Murit, për të cilën mësoi më 10 nëntor. Ministri i tij i Jashtëm Shevernadze i dha ushtrisë sovjetike udhëzimet që të mos përzihen në çështjet e brendshme të RDGJ-së.

Autor: Roman Goncharenko/Aida Cama

Redaktoi: Bahri Cani