1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rajs mund të jetë e kënaqur me vizitën në Lindjen e Mesme, por...

Peter Filip17 Janar 2007

Ministrja e jashtme amerikane Kondoleza Rajs përfundoi vizitën e saj në Lindjen e Mesme. Në mbrëmje pritet për vizitë në Berlin ku do të flasë me kancelaren Angela Merkel për rezultatet e këtyre vizitave

https://p.dw.com/p/ArJg
Rajs në Egjipt me ministrin e jashtëm Ahmed Aboul Gheit
Rajs në Egjipt me ministrin e jashtëm Ahmed Aboul GheitFotografi: AP


Rajs ka rënë dakord për një takim trepalësh me presidentin palestinez dhe kryeministrin izraelit, por ende nuk dihet se kur do të mbahet ky takim. SHBA presin mbështetjen e shteteve arabe në luftën e Irakut.

Ministrja e jashtme amerikane Kondoleza Rajs mund të jetë e kënaqur me bilancin e vizitës së saj në Lindjen e Mesme. Ajo ka rënë dakord për një takim trepalësh me Presidentin palestinez Mahmud Abaz dhe Kryeministrin izraelit Ehud Olmert, ndërkohë që tetë shtete të rëndësishme arabe e kanë mbështetur strategjinë e re të presidentit Xhorxh Bush në Irak. Ministrat e jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë janë vënë në mënyrë demonstrative në anën e Uashingtonit dhe kanë përshëndetuar angazhimin amerikan në Irak.

Po a duhet të jetë me të vërtetë e knaqur Kondoleza Rajs?

Kjo është një pyetje më shumë hipotetike: konflikti izraelito-palestinez pret ide dhe propozime të reja, të cilat sekretarja Rajs vetëm sa i ka paralajmëruar. Eshtë për të dyshuar nëse këto propozime do të përgatiten deri në takimin trepalësh. Ndërsa sa i përket mbështetjes së tetë vendeve arabe: kumtesa e lëshuar në Kuvajt është gjithçka tjetër por jo edhe një paralajmërim serioz i solidaritetit në adresën e Xhorxh Bushit. Është ky një pranim i hapur se në mungesë të influencës ndaj Uashigntonit, pranohet edhe "ulërima e përbashkët me ujkun."

Kondoleza Rajs është tepër inteligjente, prandaj nuk pritet ndonjë intepretim tjetër përveç se kjo është një letër e hapur mbështetjeje e strategjisë në Irak. Të gjithë ata që janë mbledhur në Kuvajt janë të interesuar për ndërprerjen e vrasjeve dhe gjakderdhjes në Irak dhe që forcat irakiane duhet sa më shpejt të përgatiten për marrjen e pushtetit në dorë, me qëllim largimin sa më parë të trupave amerikane nga Iraku. Qoftë kjo edhe përmes një forcimi të përkohshëm të trupave amerikane në Irak.

Demokratizimi i Irakut rruga e vetme

Sekretarja amerikane e shtetit nuk duhet të harrojë edhe një gjë: asnjë prej bashkëbiseduesve në takimin e Kuvajtit nuk beson se tërheqja amerikane nga Iraku kalon përmes Iranit. Me fjalë më të qarta: askush nuk është i gatshëm që t'i japë Bushit dritën jeshile për ndonjë aventurë të re ushtarake në këtë rajon. Do të ishte ky një gabim fatal, edhepse presidenti Bush i sheh gjërat pak më ndryshe.

Pjesmarrësit e takimit të Kuvajtit janë vende me shumicë sunite dhe kanë rezervat e tyre ndaj shiitëve në Irak. Mirëpo e kanë të qartë se demokratizimi i këtij pushteti në Eufrat dhe Tigris, është rruga më e mirë për këtë vend. Ato kërkojnë mbrojtjen e pakicës sunite. Për Uashingtonin kjo do të thotë se duhet të tregojë më shumë iniciativë jo vetëm në konfliktin iraelito - palestinez por edhe në lojën e përbashkët me miqtë tradicionalë në konfliktin e Irakut.