1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rajs, Shteinmajer, Solana dhe Ferrero-Valdner do të diskutojnë për Kosovën

Vilma Filaj-Ballvora19 Mars 2007

Kosova do të jetë një ndër temat e bisedimeve gjatë vizitës që do të zhvillojnë në Uashington ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Valter Shteinmajer, përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana dhe komisionerja për marrëdhëniet me jashtë e BE-së, Benita Ferrero-Valdner.

https://p.dw.com/p/ArXY
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Rusia ka kërkuar që bisedimet për Kosovën të zhvillohen me një tjetër ndërmjetësues të OKB-së, njoftojnë agjencitë e lajmeve në fundjavë. Është e rëndësishme, që serbët dhe shqiptarët e Kosovës të vazhdojnë bisedimet mbi statusin e ardhshëm tha të shtunën ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov. Në rast, se ndërmjetësuesi i deritanishëm Marti Ahtisari nuk ëhstë në gjendje të arrijë më shumë se deri më sot, atëherë duhet të gjendet një ndërmjetësues tjetër.

Ahtisari i deklaroi të përfunduara pa sukses bisedimet përpara pak ditësh dhe propozimin e tij mbi të ardhmen e Kosovës ia ka dorëzuar Këshillit të Sigurimit. Rusia e kritikoi këtë hap si të nxituar. Plani i Ahtisarit parashikon një pavarësi të kufizuar të Kosovës, që duhet të mbikqyret prej BE-së. Ndërkohë që udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës e ka pranuar këtë, Serbia e hedh poshtë propozimin e tij.

Lavrovi tani sinjalizoi për herë të parë, që Rusia nuk do ta bllokojë automatikisht planin në Këshillin e Sigurimit, në rast se serbët do ta refuzojnë atë. Një veto varet në mënyrë vendimtare prej pozicioneve të të dyja palëve, tha ai. "Ne nuk mund të jemi më serbë se serbët dhe as nuk mund të themi, që në çdo rast do ta bllokojmë zgjidhjen që nuk u pëlqen palëve", është shprehur Lavrov.

Ndërkaq Kosova do të jetë një ndër temat e bisedimeve, krahjas Lindjes së Mesme si dhe programit atomi të Iranit, gjatë vizitës që do të zhvillojnë në Uashington ministri i jashtëm i Gjermanisë, Frank-Valter Shteinmajer, përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana dhe komisionerja për marrëdhëniet me jashtë e BE-së, Benita Ferrero-Valdner. Të tre diplomatët e nivelit të lartë nga BE-ja të dielën udhëtojnë për në Uashington. Në fokus janë marrëdhëniet mes BE-së dhe ShBA si dhe përgatitja e takimit të nivelit të lartë në fund të prillit.