1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut mbeten të vështira

Peter Kujat14 Korrik 2008

Në Korenë e Veriut gjatë fundjavës një ushtar vrau një turiste 58-vjeçare nga Koreja e Jugut. Incidenti errësoi një ofertë për bisedime të Seulit drejtuar vendit komunist fqinj.

https://p.dw.com/p/EcAU
Përkulje para një statuje të Kim Ir Senit në Korenë e Veriut
Përkulje para një statuje të Kim Ir Senit në Korenë e VeriutFotografi: AP

Ishte një takim më shumë se fatkeq: vetëm pak minuta përpara daljes së tij përpara parlamentit koreano-jugor presidenti Lee Myung-bak mësoi për vdekjen e një turisteje koreano-jugore në Korenë e Veriut. Ai respektoi megjithatë tekstin e fjalimit dhe i propozoi Koresë së Veriut të pranonte fillimin e një dialogu të gjerë.

Kështu Lee ndërmori një ndryshim të qartë kursi. Me marrjen e postit në muajin shkurt të këtij viti ai kishte deklaruar se do të rishqyrtonte të gjitha marrëveshjet me Korenë e Veriut përsa kohë ajo nuk do të bënte publik programin bërthamor dhe të eliminonte të gjitha armët bërthamore. Por zhvillimet ndërkombëtare morën një tjetër rrjedhë. Koreja e Veriut paraqiti në muajin qershor një listë për programin e saj bërthamor dhe më pas SHBA njoftuan se do të hiqnin vendin komunist nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin. Presidenti koreano-jugor Lee Myung-bak u gjend i vetëm me politikën e tij. Nën presion të fortë të politikës në vendin e tij ai shpresonte që me ndryshimin e kursit ndaj fqinjit verior të bënte diçka për të përmirësuar vlerat e dobëta të popullaritetit.

"Përparimet në lidhje me publikimin e të dhënave mbi programin bërthamor koreano-verior lejojnë përmirësimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen reciproke për arritjen e zhvillimit ekonomik për të dyja palët. Koreja e Jugut është e gatshme të hyjë në bisedime serioze me Veriun."

Mes dy shteteve të armiqësuara që prej përfundimit të luftës së Koresë në vitin 1953 egziston një marrëveshje armëpushimi por jo një marrëveshje paqeje. Tensioni mbeti i lartë derisa ish presidenti koreano-jugor Kim ndërmorri një kurs për një afrim të kujdesshëm i cili mundësoi për herë të parë një takim të nivelit të lartë në vitit 2000 me përfaqësues të dy Koreve. Kjo politikë përcaktoi më pas raportet mes dy vendeve dhe përmban ndër të tjera bashkëpunimin ekonomik mes tyre si dhe hapjen e disa lokaliteteve në veri për turistët koreano-jugorë. Këtu bën pjesë edhe rajoni përrreth malit Kumgang në afërsi të kufirit të përbashkët në brigjet lindore të Koresë së Veriut. Atje të premten në mëngjes një turiste koreano-jugore depërtoi pa dashje në një zonë të ndaluar ushtarake. Sipas të dhënave të Koresë së Veriut ajo nuk kishte ndaluar edhe pas thirrjeve të përsëritura të rojeve dhe kishte nisur të vraponte. Një ushtar kishte hapur më pas zjarr duke e plagosur rëndë gruan. Ajo vdiq gjatë rrugës për në spital.

Një zëdhënës i ministrisë koreano-jugore për bashkimin deklaroi: "Eshtë e rëndësishme të kryhet një hetim i saktë i ngjarjes. Qeveria do të marrë masat përkatëse."

Por Koreja e Veriut ishte shumë e shpejtë në hedhjen e fajit fqinjit jugor dhe kërkoi nga Koreja e Jugut kërkonte falje për sjelljen e gabuar të turistes. Qeveria koreano-jugore e hodhi poshtë të djelën këtë kërkesë dhe kërkoi nga ana e saj akses në vendngjarje për hetuesit e saj. Ofertën e vërtetë politike të presidentit koreano-jugor për rifillimin e bisedimeve mes dy vendeve të armiqësuara, përballë ngjarjeve të fundjavës, e mori era.