1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e pasur me të varfër?

Bernd Gräßler24 Shkurt 2016

Varfëria godet drejtpërdrejt në Gjermani të papunët, të divorcuarit dhe pensionistët. Shoqatat e bamirësisë i mbështesin të dhënat e tyre në shifrat shtetërore. Por statistikat nuk kanë përfshirë brenda refugjatët.

https://p.dw.com/p/1I0lm
Deutschland Armutsbericht 2016 Symbolbild Bedürftige in Hannover
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

„Gjermania është vendi i pestë më i pasur në botë", thekson Ulrich Schneider drejtor i organizatës bamirëse, „Paritätische Wohlstandverband". Që nga viti i krizës 2009 prodhimi i përgjithshëm bruto në vend është rritur me më shumë se një gjysmë bilioni euro. Megjithatë gjithnjë e më shumë njerëz po dalin jashtë rrjetit të mirëqenies. Schneider bazohet në raportin e ri për varfërinë, bazë e të cilit janë të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2014. Veçanërisht të prekur janë sipas këtij raporti të divorcuarit që mbajnë familjen vetëm, të papunët dhe pensionistët. Edhe viti shumë frytdhënës ekonomik 2014 nuk ka sjellë ndonjë reduktim të varfërisë në këto shtresa. Nuk dihet nëse kjo tendencë negative e rënies në varfëri do mund të ndalet.

Ulrich Schneider Hauptgeschäftsführer Deutscher Paritätischer Wohlfahrtsverband
Ulrich SchneiderFotografi: picture alliance/Eventpress Stauffenberg

Shtresat e varfra në Gjermani

Gati 15% e gjermanëve konsiderohen të varfër. E parë nga ana statistikore në Europë Gjermania renditet në mes. Në ndryshim nga varfëria ekzistenciale në shumë rajone të botës, këtu bëhet fjalë për një „varfëri relative të ardhurash". Ajo prek sipas BE-së të gjithë ata njerëz që fitojnë më pak se 60% e të ardhurave mesatare në një vend. Në Gjermani për shembull për nënat e divorcuara kjo do të thotë të fitojnë 1192 Euro në muaj.

Por në vitet e fundit në Gjermani është rritur me shpejtësi edhe rreziku i varfërisë për pensionistët. Rajoni më problematik është ai i Ruhr-it me rreth 20% njerëz të varfër. Organizata Gjermane për Ndihmën ndaj Fëmijëve kritikon faktin që shërbimet sociale që u ofrohen fëmijëve të familjeve të varfra nuk mjaftojnë për një barazi pjesëmarrjeje në jetën shoqërore. Presidenti i kësaj organizate, Thomas Krüger deklaroi se kuota e varfërisë tek fëmijët me prindër të ndarë, tek familjet me shumë fëmijë dhe ato me sfond migrimi kap shifrën e 19%.

Por ky raport nuk ka përfshirë fluksin e refugjatëve. Sipas ekspertëve refugjatët do mund të bëhen pjesë e statistikave vetëm pasi ata të kenë ekonominë e tyre shtëpiake dhe të mos jetojnë më në qendrat e pranimit apo strehimoret e azilantëve. Schneider thekson se edhe pa refugjatët, në Gjermani jetojnë 1 milionë të papunë afatgjatë dhe deri në vitin 2020 nevojiten 400.000 apartamente banimi të pagueshme edhe nga shtresat me të ardhura të ulta.

Günter Burkhardt, Geschäftsführer der Menschenrechtsorganisation Pro Asyl
Günter Burkhardt, Pro AsylFotografi: picture-alliance/dpa

Kujdes me refugjatët

Ndërsa drejtuesi i organizatës Pro Asyl, Günter Burkhardt e ka paralajmëruar qeverinë gjermane nga vendimet e gabuara në politikën e azilit që do mund të rrisin rrezikun e varfërisë tek refugjatët. Sipas tij propozimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të kushtëzuar vendqëndrimin e azilantëve do t’u vështirësonte atyre gjetjen e një vendi pune. Po ashtu edhe refuzimi i kurseve të gjuhës për grupe të caktuara refugjatësh nuk shihet si zhvillim pozitiv nga Pro Asyl.

Sipas organizatës bamirëse "Paritätische Wohlfahrtsverband" çelësi për luftimin e varfërisë qëndron tek ndryshimi rigoroz i politikës financiare e fiskale. "Luftimi i varfërisë do të thotë rishpërndarje e pasurisë në vend."