1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rashkoviq - Iviq: Përfaqësuesit serbë në Kosovë nuk janë legjitim

Bahri Cani13 Shtator 2005

Intervistë me kryetaren e Qendrës koordinative serbe për Kosovë e Metohi, Sanda Rashkoviq - Iviq

https://p.dw.com/p/AqtQ
Parlamenti i Serbisë dhe Malit të Zi
Parlamenti i Serbisë dhe Malit të ZiFotografi: AP


DW: Zonja Rashkoviq - Iviq, Bashkësia e shtetit Serbi Mali i Zi këto ditë konfirmoi zgjidhjen tuaj në postin e kryetares së Qendrës koordinative serbe për Kosovë e Metohi. Cilat janë motivet tuaja për pranimin e kësaj detyre?

Rashkoviq - Iviq: "Motivet janë të shumëfishta. Unë jam nënkryetare e Partisë Demokratike të Serbisë. Si politikane e kam për detyrë të arsyetoj besimin e treguar prej partisë dhe qeverisë. Është ky motivi politik, ndërsa ai emocional është se të merresh me Kosovën e Metohinë paraqet një sfidë e jashtëzakonshme. Për ne serbët ajo paraqet një pjesë të identitetit dhe një vend ku jemi rritur."

DW: Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë detyrë?

Rashkoviq - Iviq: "Prioritet do të kenë dy çështje: pjesa politike dhe bisedimet për standardet, si dhe puna në terren. Duhet të shikojmë se si mund t'i ndihmojmë njerëzit në terren, por edhe refugjatët në Serbi, sepse jeta e të zhvedosurve gjithandej në botë është shumë e rëndë."

DW: Më parë ju keni deklaruar se ndër prioritetet tuaja kryesore do të jenë edhe decentralizimi i pushtetit dhe kthimi i të zhvendosurve...

Rashkoviq - Iviq: "Natyrisht. Decentralizimi i pushtetit është një prej atyre standardeve të cilat duhet të realizohen. Me decentralizimin e pushtetit do të mundësohej kthimi i të zhvendosurve."

DW: Qeveria e Beogradit dhe serbët e Kosovës deri tani nuk kanë pranuar asnjërin prej dy propozimeve të Qeverisë së Kosovës, por as të Unmikut, për decentralizimin e pushtetit. Cilat janë kërkesat tuaja kryesore për decentralizimin?

Rashkoviq - Iviq: "Unmiku ka ofruar një koncept evropian të decentralizimit të pushtetit, i cili do të ishte i shkëlqyeshëm për Francën, për shembull. Me këtë propozim ofrohen shërbime më të mira në nivelin e pushtetit lokal. Mirëpo anashkalohen disa prej elementeve më të rëndësishme, siç është fakti se siguria ende nuk është në nivelin e duhur, që dëshmon edhe incidenti i fundit i plagosjes së policëve në Shterpcë. Të mos flasim për vrasjen e dy serbëve të para dy javësh. Ndërkohë që po vazhdon një proces i ngjashëm me atë të shpërndarjes së kapilarëve, i largimit të joshqiptarëve nga Kosova, sepse ata nuk po shohin ndonjë perspektivë. Ekonomia është e dobtë, njerëzit nuk po kthehen, siguria ështe e dobtë, Kfori edhe më tej duhet të përcjellë fëmijët në shkolla. Decetnralizimi nënkupton që njerëzit në afërsi të kenë mësuesin, mjekun, gjykatësin dhe priftin e tyre. Kjo ka të bëjë me të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë e Metohi: serbët, shqiptarët, ashkalitë, romët e të tjerët. Kjo është baza psikologjike e decentralizimit të pushtetit."

DW: Qeveria serbe ka paraqitur edhe një projekt të saj për decentralizimin e pushteit. Por shumë forca politike shqiptare atë e quajnë vetëm hapi i parë drejt kantonizimin e më vonë edhe ndarjes së Kosovës. A është ndarja e Kosovës qëllimi juaj i fundit?

Rashkoviq - Iviq: "Unë e di se pala shqitpare ka frikë nga ndarja e Kosovës. Më besoni pala serbe nuk po insiston për ndarje. Propozimi për decentralizimin është një koncept i mirë. Ardhmëria e Evropës është pikërisht decentralizimi dhe forcimi i pushtetit lokal. Nëse duam futjen në Evropë, e unë jam e sigurt se e duam, atëherë decentralizimi është rruga më e mirë."

DW: Nuk më jeni përgjigjur për planet serbe për ndarjen e Kosovës. Çfarë mendoni ju për këto koncepte, të cilat në Beograd mund të dëgjohen shpesh?

Rashkoviq - Iviq: "Unë jam udhëheqëse e një organi qeveritar. Kreu i shtetit kundërshton ndarjen e Kosovës. Mendon se Rezluta 1244 e KS të OKB ofron garanca të mjaftueshme për ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit tonë. E drejta ndërkombëtare poashtu mbështetë tërësinë territoriale. Prandaj ndarja e Kosovës nuk është temë për të cilën duhet të flasim. Sa i pëkreët palës shqiptare: është plotësisht i gabueshëm mendimi pavarësi dhe asgjë tjetër. Midis pavarësisë dhe shtetit të centralizuar nga vitet 90-ta, ekzistojnë një sërë opsionesh të tjera, për të cilat duhet dhe mund të flasim."

DW: Kur jemi tek bisedimet: kur do të fillojë dialogu politik me palën kosovare, e kam fjalën për nivelin shtetëror mes Beogradit dhe Prishtinës?

Rashkoviq - Iviq: "Fillimi i dialogut me Prishtinën varet prej palës shqiptare. Për fat të keq, zoti Rugova është sëmurë rëndë. Prandaj nuk dihet se si do të zhvillohen gjërat dhe si do të organizohen këto bisedime. Mendoj se duhet pritur shërimi i tij. Kryeministri Koshtunica është i hapur për bisedime me kryeministrin e Kosovës, zotin Kosumi. Unë do të shkoj në Vjenë me 16 të këtij muaji, ku do të jetë edhe ministri kosovar, zoti Haziri. Ne se bashku do të bisedojmë për decentralizimin. Pra, disa negociata në një nivel më të ultë do të fillojnë. Ndoshta ky do të jetë edhe një sinjal pozitiv, për takime në nivelin e presidentëve dhe kryeministrave."

DW: Këto ditë ju jeni takuar edhe me të deleguarin e posaçëm të OKB, Kai Eide. Mendoni se raporti i tij do të jetë pozitiv dhe se në vjeshtë do të fillojë procesi për zgjidhjen e statusit përfunditmar të Kosovës?

Rashkoviq - Iviq: "Bisedimet për stautusin e Kosovës do të fillojnë pa marrë në konsideratë raportin e zotit Eide, për të cilin shpresoj se do të jetë real. Pala serbe nuk do të lejojë të bisedohet vetëm për statusin, por paralelisht do të bisedohet edhe për standardet. Ne mendojmë se standardet nuk janë plotësuar dhe nuk do të lejojmë që ato të mbeten në veresi."

DW: Në një intervistë në vitin 2001, si komisionere e Serbisë për refugjatë, ju personalisht më keni thënë se refugjatët të cilët brenda pesë vitesh nuk kthehen në shtëpitë e tyre, nuk do të kthehen kurrë. Çështja e kthimit të refugjatëve është një prej standardeve të cilat duhet të plotësohen dhe në të cilat insistoni edhe ju. A mendoni se pas gjashtë vjetësh, mund të ketë kthim masiv të serbëve në Kosovë?

Rashkoviq - Iviq: "Nuk e besoj se do të ketë kthim masiv, sepse kanë kaluar gjashtë vjet nga dëbimi i tyre prej Kosovës. Literatura dhe teoria thonë se vetëm 30 përqind e refugjatëve kthehen në shtëpitë e tyre. Pra sikur kjo të realizohej, do të thotë se në Kosovë do të ktheheshin rreth 60.000 refugjatë. Kjo dotë duhej të qetësonte palën shqitpare, sepse do të ishte shumë absurde që ajo si shumicë të ketë frikë nga kthimi i 60.000 njerëzve. Në aspektin psikologjik është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë të drejtën e zgjedhjes: të kthehen apo jo. Kthimi nënkupton edhe kthimin e pasurisve, dhe natyrisht lirinë e lëvizjes dhe sigurinë, si parakushtet më të rëndësishme. Nga përvojat e Bosnje - Hercegovinës dhe Kroacisë e dimë se pa lirinë e lëvizjes dhe siguri, nuk mund të ketë as kthim të të zhvendosurve."

DW: Një prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballen institucionet e Kosovës, i cili vështirëson në masë realizimin e disa standardeve, është mospjesmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës. Cili është sugjerimi juaj: të futen apo jo në institucione?

Rashkoviq - Iviq: "Unë sugjeroj që në këto kushte të mos futen në institucione të Kosovës. Ju e dini se në vitin 2001, unë personalisht jam angazhuar për pjesëmarrje në zgjedhje. Në zgjedhje morën pjesë 67 përqind e votuesve, por gjërat nuk kanë ndryshuar: refugjatët nuk janë kthyer, fëmijët shkojnë në shkollë nën përcjelljen e Kforit, nuk ka siguri, edhe më tej kemi vrasje dhe frikësime. Pra, pjesëmarrja në institucione nuk solli asgjë."

DW: Mospjesë marrja në institucione zvogë lon rolin e serbëve në Kosovë dhe forcon atë të Qeverisë në Beograd. Si e shihni ju rolin e serbëve në Kosovë: duhet të marrin pjesë ata në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës apo jo?

Rashkoviq - Iviq: "Këta serbët që tani duan të marrin pjesë në pushtet, nuk kanë kurfarë legjimitieti. Në zgjedhje ka marrë pjesë një përqindje minimale e zgjedhësve serbë. Do të thotë: këta serbë nuk janë përfaqësues legjitim."

DW: Pra, sipas jush, pala shqitpare s'ka pse të bisedojë me serbët e Kosovës, por vetëm me Qeverinë e Beogradit, si përfaqësuese legjitime e dalur nga zgjedhjet?

Rashkoviq - Iviq: "Qeveria e Serbisë është legjitime, sepse pas saj qëndrojnë zgjedhësit. Mirëpo kjo qeveri nuk do të bëjë asgjë pa konsultime të gjëra me të gjithë faktorët relevant dhe më pak relevant, të joshqiptarëve nga Kosova e Metohia."

DW: Zonja Rashkoviq - Iviq, cili është koncepti juaj për zgjidhjen e statusit të Kosovës? Si mund të zgjidhet kjo çështje?

Rashkoviq - Iviq: "Kreu i shtetit është dakorduar me formulën më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi. Unë mendoj se ky duhet të jetë status, të cilin Kosova kishte sipas kushtetutës së vitit 1974, deri në centralizimin e pushtetit në krahinë prej Sllobodan Millosheviqit. Pra, duhet të ketë pushtetit ligjëdhënës, ekzekutiv dhe gjykatat."

DW: A mund t'i numëroni disa argumente, pse shqiptarët, të cilët ishin në luftë me regjimin e Millosheviqit, tani do të pranonin një zgjidhje të këtillë?

Rashkoviq - Iviq: "Sepse kjo zgjidhje është reale. Kosova dhe Metohia është pjesë e territorit të Serbisë. E drejta ndërkombëtare nuk lejon krijimin e një shteti të pavarur, prej një bashkësie etnike, vetëm për shkak se në një pjesë të territorit përbën shumicën. Me siguri që ju kujtohet Krajina në Kroaci. Unë kurrë nuk do të doja që shqiptarët të përjetojnë fatin e serbëve të Krajinës, por edhe ata e kishin idenë e krijimit të një shteti të pavarur në territor të huaj, dhe nuk kanë kaluar mirë. Me siguri që shqiptarët nuk do të përjetojnë këtë fat, por nuk mund të kenë pavarësi në qoftë se bashkësia ndërkombëtare i përmahet normave juridike."

DW: Në mediat serbe këto ditë lexova se nga zyra e të ngarkuarit të BE për politikën e jashtme dhe sigurinë Havier Solana, thuhet se Kosova të ketë një lloj pavarësie të kushtëzuar. Propozime të ngjashme mund të dëgjohen edhe në Gjermani dhe qarqe tjera diplomatike. A do të ishte për Serbinë e pranushme ndonjë formë e tillë e pavarësisë së Kosovës?

Rashkoviq - Iviq: "Ju po më pyetni tepër herët për përgjigje në këtë pyetje. Qëndrimi ynë aktual ndaj kësaj çështje është: më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi."