1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rastësi apo jo?

15 Nëntor 2007

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në disa tema të politikës së jashtme.

https://p.dw.com/p/CHrJ
Duke lexuar gazetën Peshawar, Pakistan, 4 nëntor, 2007
Duke lexuar gazetën Peshawar, Pakistan, 4 nëntor, 2007Fotografi: AP

Për gjendjen në Pakistan, ku dy opozitarët Buto dhe Sharif kanë lidhur aleancë kundër Sharafit, në gazetën e Berlinit, TAGESZEITUNG ndër të tjera lexojmë: "As Buto dhe as Sharifi nuk e kanë treguar veten si kryeministra të aftë, në kohën e politikës së tyre aktive. Të dy u shkarkuan nga postet e kryeministrave për shkak të akuzave për korrupsion- Buto madje dy herë. Nën të dy këta, korrupsioni dhe nepotizmi lulëzuan në stil të gjerë. Kjo ndoshta është një shpjegim për faktin se pse puçi i Musharafit i vitit 1999 gjeti mbështetje te një pjesë e madhe e popullit. Në fakt, gjenerali e tregoi veten më të aftë se sa paraardhësit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët vazhduan traditën feudaliste, e cila është një traditë që pengon zhvillimin."

Gazeta DIE WELT regjistron sulme të reja të Pekinit kundër politikës së kancelares Angela Merkel, pasi ajo i rezervoi një pritje Dalai Lamas: "Takimi i Merkelit me Dalai Laman në shtator ishte një pikë kulmore e politikës së saj të re të të drejtave të njeriut dhe të vlerave", shkruan revista politike "Liaowang" ("Vështrim i përgjithshëm") dhe pret që të bëhet edhe më keq. "Që prej dy vjetësh kursi i Berlinit ndodhet në "ndryshim". Si kriter i qëndrimit të shteteve të Azisë u shpall fakti nëse këto vende kanë sisteme demokratike. Në Kinën në ngjitje Gjermania sheh konkurentit që po rritet, i cili duhet të frenohet", mendon revista kineze "Liaowang". Ndërsa revista "World Affairs", që kontrollohet nga ministria e jashtme kineze e akuzon kancelaren se drejtohet në politikën e jashtme nga përfytyrime vlerash."Në kontaktin me Kinën metodat diplomatike janë të thjeshta dhe të ngurta", shkruan kjo revistë.

Rastësi apo jo? Sot ministri i financave Peer Steinbrück u desh të anullonte një takim të planifikuar në fillim të dhjetorit me ministrin kinez të financave. Si shkak u dha axhenda shumë e ngjeshur e ministrit kinez. Takimi do të zhvillohet vitin e ardhshëm"

Anullimin e vizitës së ministrit gjerman të financave në Kinë, gazeta FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND e konsideron skandal. "Një skandal i tillë duhet të jetë shkas për të bërë një bilanc në marrëdhëniet gjermano-kineze. Kina deri tani është mjaftuar me atë, që sjelljet që nuk i pëlqenin të Berlinit t'i ndëshkonte me spica diplomatike. Këto janë sinjale që të zemërojnë, megjithatë janë sinjale të zakonshme dhe legjitime. Por nëse këto sinjale do të kthehen tani gjithnjë e më shumë në aksion ndëshkimor, i cili mund të ketë vetëm synimin e ndëshkimit, atëherë Gjermania duhet t'i bëjë veshët shurdh dhe këtë mbi kufijtë partiakë. Gjithçka tjetër do ta ftonte Pekinin që të ushtronte presion shpesh, edhe herë të tjera. Se cilin takon kancelarja dhe ç'politikë të jashtme ndjek ajo, kjo vendoset në Berlin- dhe askund tjetër."

Bundestagu gjerman votoi për zgjatjen e mandatit të trupave gjermane në Afganistan, në operacionin Endurin Freedom. Për këtë temë, në gazetën DRESDNER NEUESE NACHRICHTEN ndër të tjera lexojmë: "Koalicioni vendosi në mënyrë të ndërgjegjshme të votojë ndaras, për zgjatjen e mandatit të ISAF-it në Afganistan dhe për Enduring Freedom, angazhimin e diskutueshëm në luftën kundër terrorit. Rezultati nuk qe kaq i ndryshëm, sa druhej qeveria. Kështu, në tetor 453 deputetë votuan me Po për ISAF-in dhe dje ishin 414 që votuan pro zgjatjes së mandatit të OEF-it. Kjo është shprehje e kuptimit të fakteve dhe marrje e një përgjegjësie jo të lehtë. Kjo votë ka para së gjithash karakter sinjali. Nga njëra anë ajo u drejtohet aleatëve, të cilët aktualisht janë në vijën e parë, si kanadazët dhe hollandezët. Nga ana tjetër, kjo votë u thotë afganasve, se ata nuk lihen vetëm në një situatë të vështirë."