1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime nga BE: "Teherani e dinte, që do të kishte pasoja"

Bernd Riegert10 Janar 2006

Politikanë të nivelit të lartë në BE e ashpërsuan tonin pasi qeveria në Teheran hapi disa centrale të vulosura. Së shpejti ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, do të konsultohen në Berlin për qëndrimin e mëtejshëm

https://p.dw.com/p/Aqgh
Irani dhe energjia bërthamore, fotografi simbolike
Irani dhe energjia bërthamore, fotografi simbolikeFotografi: AP Graphics/DW

Apeli i presidentit austriak të radhës të Këshillit presidencial të BE-së, Volfgang Shysel, nuk solli asgjë. Vetëm në fillim të kësaj jave kancelari i bëri thirrje në Vjenë Iranit që të mbajë qëndrim të arësyeshëm. Pasi teknikët iranianë tani kanë hapur centralet e vulosura bërthamore, BE-ja është jashtëzakonisht e shqetësuar, vuri në dukje zëdhënësja e të ngarkuarit të BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana. Ky hap i ndërmarrë nga Teherani përbën shkelje të hapur të marrëveshjeve ekzistuese me BE-në.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer deklaroi të martën në Berlin: "Në mëngjes qeveria iraniane duket se filloi të hapë duke hequr vulat centralin bërthamor në Natan. Me këtë ajo ka kapërcyer kufirin, ndonëse e kishte të qartë që një hap i tillë nuk mund të mbetej pa pasoja. Unë kam folur ndërkohë me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, Mohamed el Baradei, dhe i kërkova këtij që sa më shpejt të përpiqet për të sqaruar, se cilat mund të jenë aktivitetet e tjera kërcënuese iraniane."

Bisedimet zyrtare me Iranin lidhur me programin e tij të diskutueshëm që janë planifikuar për më 18 janar tani rrezikohen seriozisht, theksoi zëdhënësi i qeverisë britanike në Londër.

BE-ja shpreson tani, që Kina dhe Rusia të shfrytëzojnë influencën e tyre ndaj udhëheqjes në Teheran. Rusia ka propozuar, ta furnizojë Iranin me lëndë djegëse bërthamore, në rast se Irani heq dorë nga qarkullimi i lëndëve të veta djegëse. Ky proces mund të jetë njëri prej kushteve për prodhimin e armëve bërthamore.

Ka shumë mundësi që Këshilli i Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore në Vjenë të meret sërish me programin bërthamor iranian. ShBA dhe BE kërcënojnë qysh nga vera e vitit të kaluar, se do të aktivizojnë Këshillin e Sigurimit në Nju Jork për këtë çështje.

Presidenti i radhës së Këshillit të BE-së, Volfgan Shysel në këtë stad është kundër sanksioneve, por ai nuk i përjashton ato si opcion për të ardhmen. Diplomatët e BE-së në Bruksel tërheqin vëmendjen, se vendet antare kanë interes të madh për tregtinë me Iranin. Përveç kësaj Irani posedon naftë dhe rreth 15% të rezervave botërore të gazit.

Qeveria në Teheran insiston, që energjinë bërthamore e përdor vetëm për qëllime paqësore civile. Agjencia ndërkombëtare Bërthamore megjithatë e ka akuzuar Iranin, se po shkel një sërë marrëveshjesh.