1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime nga Gjermania lidhur me koalicionin Meta-Berisha

6 Korrik 2009

Reagimet gjermane lidhur me koalicionin Meta-Berisha janë të dyzuara.

https://p.dw.com/p/IiCI
Perkrahes te Berishes ne Tirane
Fotografi: AP

Për specialistin e vjetër të Ballkanit, Franz-Lothar Altmann, ky koalicion nuk ka shumë shanse të mbijetojë: "Unë parashikoj se Berisha dhe Meta do të përpiqen të masin forcat me njëri-tjetrin. Berisha për shkak të numrit të madh të votave dhe të pretendimeve të tij, ndërsa Meta për shkak të vetëdijes që do të ketë, se pa të Berisha nuk mund të qeverisë. Ai do të kërkojë ministri të rëndësishme, gjë që në fillim do të funksionojë, por me siguri që tek e fundit do të dështojë, për shkak të dallimeve të mëdha mes këtyre dy figurave.”

Michael Weichert, ndër të tjera përgjegjës edhe për Shqipërinë në Fondacionin Friedrich Ebert në Berlin, është më optimist: "Zoti Meta me sa duket u tregua shumë pragmatik, duke iu ofruar Berishës. Kjo do të funksionojë vetëm në se ka një konsens minimal ndërmjet këtyre dy udhëheqësve. Por nga ana tjetër raporti i votave mes dy partive është i madh. Kështu që do të ketë shumë debate në radhët e qeverisë, por ato nuk do të jenë të dëmshme, përderisa nuk do të vënë në rrezik funksionimin e qeverisë.”

Ndërsa Michael Alber, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Ekonomike gjermano – shqiptare përshëndet faktin që pati i krijuar nga rezultati i zgjedhjeve mundi të zgjidhej kaq shpejt dhe tani pret që po aq shpejt të krjohet edhe qeveria e re: "Ne si DAW do ta përshëndesnim në se në Shqipëri do të krijohej sa më shpejt një koalicion, që do të vazhdojë të kujdeset për fatin e Shqipërisë dhe që ta çojë atë përpara në këtë periudhë krizash. Për ne është e rëndësishme që koalicioni të vazhdojë kursin e reformave në sektorin e ekonomisë, të stabilizimit të të ardhurave dhe vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.”

Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani