1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime të organizatave humanitare pas valës së atentateve në Irak

Andreas Noll29 Tetor 2003
https://p.dw.com/p/AqwG

"Ndihmësit duhet të jenë në Irak, pasi kush do të shuaj zjarrin, duhet të jetë pranë tij."

Wolfgang Nierwetberg i organizatës humanitare HELP po i lë hë për hë në Bagdad bashkëpunëtorët e tij. Me mbështetjen e personelit vendas që nga mesi i muajit prill pesë punonjësit gjermanë shpërndajnë ndihma në Irak. Javët e ardhshme me financimin e Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme organizata do të nisë me heqjen e minave. Por pas atentatit ndaj Kryqit të Kuq Nierwetberg i ka urdhëruar kolegët të qëndrojnë në shtëpi:

"Do të presim edhe disa ditë dhe në rast se gjendja nuk përmirësohet, atëherë do të na duhet t'i tërheqim njerëzit tanë që andej."

Nierwetberg ka përshtypjen se puna e organizatave të ndihmës çmohet nga shumica dërrmuese e irakianëve. Fakti që ishte pikërisht Kryqi i Kuq që u kthye në cak të sulmeve i ka befasuar plotësisht atë dhe kolegët. Si reagim i parë thuajse të gjitha organizatat i kanë rritur masat e sigurisë për bashkëpunëtorët e tyre. Pjesë e tyre është dalja vetëm në grupe në rrugë dhe ngarja e automjeteve të padallueshme.

Por megjithëse puna e organizatave të ndihmave është e rrezikshme, tradicionalisht ato qëndrojnë larg ushtarakëve, të secilës palë qofshin ata. Ato nuk duan të shihen si palë konflikti dhe ngulin këmbë në paanësinë e tyre.

Si reagim ndaj atentatit mbi selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në muajin gusht Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë të re për të mbrojtur më mirë punonjësit e organizatave të ndihmave. Në të thuhet se sulmet ndaj organizatave humanitare do të vlerësohen si krime lufte dhe si të tilla do të ndëshkohen.

Për Hans von Sponeck-un, ish-bashkërenduesin e OKB-së për ndihmën humanitare në Irak kjo nuk mjafton. Ndryshe nga më përpara ai kërkon vendosjen me çdo kusht të organizatave të ndihmave nën mbrojtjen e trupave pushtuese:

"Besoj se mbrojtja në një masë të caktuar, çfarë ne kurrë nuk e deshëm, do të jetë e domosdoshme. Gjatë kohës sime në Bagdad unë isha kundër shoqërimit nga ushtarë. Do të ishte keq sikur organizatat ndërkombëtare të tërhiqeshin tani."

E të njëjtit mendim është edhe qeveria amerikane. Ministri i saj i Punëve të Jashtme Colin Powell i ka bërë thirrje Kryqit të Kuq, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave humanitare që ta vazhdojnë punën e tyre në Irak dhe u ka orfuar atyre mbështetjen:

"Shpresoj që organizatat humanitare do të qëndrojnë në lidhje të ngushtë me organet tona për të marrë ndihmë. Kjo nuk duhet të jetë detyrimisht mbështetje e drejtpërdrejtë, por ndihmë e tillë që e bën më të sigurt mjedisin e punës së këtyre organizatave."