1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet ndaj deklaratave të presidentit iranian për shkatërrimin e Izraelit & Samiti i BE-së

28 Tetor 2005

Shtypi i sotëm gjerman i kushton vëmendje reagimeve ndërkombëtare pas deklaratave të presidentit iranian për shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Në qendër të shkrimeve është sot dhe samitit i BE-së.

https://p.dw.com/p/ArtB
Toni Bler në parlamentin europian në Strasburg
Toni Bler në parlamentin europian në StrasburgFotografi: AP

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan për Iranin:"Indinjimi i njëzëshëm ndërkombëtar ndaj deklaratës së presidentit iranian Ahmadinexhad nuk duhet të na gënjejë: fakt është që bashkësia ndërkombëtare ende nuk ka gjetur një politikë të mirë ndaj këtij njeriu dhe forcave që qëndrojnë pas tij. Një përjashtim i Iranit nga Kombet e Bashkuara siç kërkohet tani nga Izraeli duket jo realist dhe nuk do të kishte thuajse asnjë efekt. Qeveria në Teheran e mbështet pushtetin e saj në burimet e lëndës së parë në vend, gjendjen e keqe në Irak dhe në lojën me frikën e vendeve të tjera ndaj një bombe atomike iraniane. Kjo e fundit pas fjalëve të presidentit Ahmadinexhad duhet të bëjë të mendojnë të gjithë ata në perëndim të cilët përballë ashpërsimit të fronteve në polemikën për energjinë bërthamore thonë me gjysmë zëri se ndoshta armatimi nuklear i Iranit thjesht duhet pranuar. Një objektiv i raketave iraniane mund të ishte Izraeli."

Mbi të njëjtën temë "General Anzeiger" që del në Bonn shkruan:
"Thirrja e padëgjuar e presidentit iranian për 'zhdukjen e Izraelit nga harta e globit' u ka dhënë të drejtë të gjithë atyre që kanë dyshime mbi qëllimet paqësore të Teheranit. Ai hedh një dritë të errët mbi rolin e tij në Lindjen e Afërt dhe të Mesme dhe çon në shkallëzimin e konfliktit rreth programit bërthamor të Iranit. Përveç kësaj kërcënimi i njëkohshëm i Hamasit kthen në siguri dyshimin e hershëm për lidhje të ngushta të tij me Teheranin. Me atentatin e përgjakshëm në Hadera Hamasi jo vetëm ka minuar përsëri proçesin e paqes në Lindjen e Afërme por mesa duket siç u lajmërua dhe nga Ahmadinexhad ka hapur edhe një valë të re dhune. Informacionet që njoftojnë se Irani strehon mbi 20 udhëheqës të El Kaidës duhen vlerësuar gjithashtu nën këtë dritë. Jo vetëm Izraeli por edhe pjesa tjetër e botës duhet të alarmohet."

Së fundi mbi temën e Iranit citojmë nga "Stuttgarter Zeitung":
"Xhestet e indinjatës duhet të pasqyrohen në veprime. Me të drejtë perëndimi në çështjen e konfliktit bërthamor ka nguruar gjatë për kalimin e temës Këshillit të Sigurimit. Por tani kjo duhet ndjekur me prioritet. Megjithatë do të jetë e vështirë të binden Kina dhe Rusia se duhet bërë me shumë se marrja e një vendimi për sanksione pa pasoja. Irani duket se në politikën e tij mbështetet në përçarjen e Europës, pavendosmërinë e Kombeve të Bashkuara dhe mbi faktin që ShBA kanë mjaft probleme në Irak. Tani perëndimi ka mundësinë të tregojë se mullahët në Teheran i kanë bërë gabim hesapet."

Lidhur me samitin e BE-së gazeta "Financial Times Deutschland" shkruan: "BE ka një problem imazhi. Në shumë vende anëtare ajo perceptohet si burokraci, ndihmëse e globalizimit. Kjo fuqi e padukshme bëhet nga ana tjetër përgjegjëse për rënien shoqërore të shumë qytetarëve. Prandaj Komisioni i BE-së pati një ide për të përmirësuar imazhin dhe për të propozuar një fond me të cilin për rreth 500 milionë euro në vit do të zbuten "efektet shok të globalizimit". Kryeministri britanik Toni Bler si mikpritës i samitit të BE-së e ka pranuar këtë ide të marrë. Natyrisht jo se është i bindur por sepse përpiqet që kështu të korrigjojë imazhin e tij si modernizues i ftohtë në Europën kontinentale. Do të ishte absurde nëse rezultati i presidencës së Blerit do të ishte një buxhet hije në formën e një "fondi të globalizimit."

Mbi të njëjtën temë në "Frankfurter Neue Presse" lexojmë:
"Nga këndvështrimi gjerman është pozitive që koalicioni i madh i planifikuar funksionon mirë në rrafsh europian. Kancelarja e emëruar Angela Merkel njoftoi në një intervistë se do të vazhdojë përpjekjet e qeverisë aktuale për një buxhet kursimtar të BE-së. Kancelari në post Gerhard Shrëder në këtë vijë vendosi veton ndaj fondit të globalizimit të kërkuar nga Komisioni Europian dhe Toni Bler që pritet të zbusë efektet e ndryshimit të strukturës në rajonet e krizës. Kjo edhe sepse në projektin disa miliardësh Gjermania si kontribues neto duhej natyrisht të jepte përsëri shumën më të madhe."