1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet ndaj Iranit & Negociatat për koalicionin qeverisës kuq e zi në Gjermani

29 Tetor 2005

Me prioritet shtypi i sotëm gjerman trajton negociatat për koalicionin e madh qeverisë kuq e zi në Gjermani. Në shkrimet e tij gjejnë sot vënd përsëri reagimet ndaj deklaratave të presidentit iranian kundër shtetit të Izraelit.

https://p.dw.com/p/ArtA
Kryetarët e partive SPD dhe CDU, Myntefering dhe Merkel
Kryetarët e partive SPD dhe CDU, Myntefering dhe MerkelFotografi: dpa

"Die Welt" i komenton kështu reagimet ndërkombëtare pas deklaratave të presidentit iranian:
"Në unanimitet të pazakontë dënoi perëndimi deklaratat e fundit plot urrejtje të presidentit iranian kundër shtetit të Izraelit. Madje edhe nga Rusia që deri tani i ka dalë gjithnjë në mbrojtje Iranit sinjalizohet pas këtyre "deklaratave të papranueshme" gadishmëri për të aktivizuar më në fund Këshillin e Sigurimit ku ky rast duhej të ishte trajtuar prej kohësh. Demonstratat e përvitshme "Al Kud" në të cilat në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit shprehet pretendimi i botës islame për Jeruzalemin, janë një tjetër dokument i trishtueshëm për faktin që është pikërish urrejtja ajo që mban të bashkuar botën e fondamentalizmit. Ahmadinexhad nuk ka çfarë t'u ofrojë tjetër të papunëve në vendin e tij përveç zbavitjes së të qëlluarit me revolverë mbi flamurët e "sionizmit".

Mbi të njëjtën temë në "Wetzlarer Neue Zeitung" lexojmë:
"Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad luan me zjarrin. Por nuk ka rëndësi nëse sulmet verbale të presidentit do të demaskohen së shpejti si manovra për largimin e vëmendjes apo nëse ai vërtet kërkon ta vërë vendin e tij në krye të listës së "vendeve të boshtit të së keqes". Ajo që kërkohet tani janë reagimet e fqinjëve arabë. Në rradhë të parë është presidenti i palestinezëve Mahmud Abas që duhet të bëjë të qartë se e drejta për egzistencë e shtetit të Izraelit është e pacënueshme. Kjo do të ishte një masë në favor të klimës së mirëbesimit që mund ta ndihmonte të profilizohej Abasin deri tani të zbehtë në skenën politike."

Ndërrojmë temë me gazetën "Stuttgarter Zeitung" e cila komenton negociatat për koalicionin e madh qeverisës në Gjermani. Citojmë: "Për koalicionin kuq e gjelbër vitet më të mira ishin ato kur qytetarët dhe sipërmarrjet mund të mbështeteshin tek politika dhe e ardhmja mund të planifikohej. Kur kancelari Gerhard Shrëder në vitin 2000 shpalli reformën fiskale çdokush e dinte se çfarë e priste vitet e ardhshme. Objektiv i negociatave për koalicionin duhet të jetë tani hartimi i një plani të tillë pune. Fjalët e tepërta nuk ndihmojnë askënd."

Po për negociatat për koalicionin e madh qeverisës në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë:
"Nëse nuk do të ishte trysnia e ushtruar nga qytetarët për të patur më në fund një qeveri, nuk do të përjashtohej mundësia që negociatat aktuale s'janë veçse përgatitje për ndonjë koalicion shumëngjyrësh. Por drejtuesit e bisedimeve theksojnë se objektivi i tyre është ngritja e një qeverie kuq e zi. Shqetësimet e kryetarit të socialdemokratëve Myntefering se sa më thellë shkohet në këto negociata aq më të vështira bëhen ato dhe deklaratat e kryetares së kristiandemokratëve Merkel se nuk do të heqë dorë nga asnjë prej planeve të saj politike për sa kohë nuk është rënë dakort për një koncept të ri, kanë peshën e një zbukurimi në mur... "

Mbetemi në të njëjtën temë me gazetën "Kölnische Rundschau" e cila e përqëndron vëmendjen e lojën e forcës brenda unionit kristiansocial-kristiandemokrat. Në të lexojmë:
"Për Angela Merkelin mund të jetë diçka e këndshme ta lërë të presë kryetarin e CSU-së Shtojber i cili mëse njëherë ka vënë në pikëpytje hapur kompetencat e saj drejtuese. Ajo po tregon se nuk dëshëron dhe nuk do të lejojë t'i diktojnë çfarë të bëjë. Për këtë ajo ka mbështetjen e plotë të partisë së saj CDU në rradhët e së cilës loja po ndiqet madje me kënaqësi. Megjithatë loja e Merkelit mbetet e rrezikshme. Ajo çfarë mund të jetë e dobishme brenda unionit e dëmton nga jashtë. Në fund për të ruajtur fytyrën Shtojberit do t'i kalohen disa sektorë shtesë nga ministritë e tjera por do të jetë megjithatë një ministër i thjeshtë, jo më i pari mes të barabartëve. Sekretari i përgjithshëm i partisë liberale FDP, Dirk Nibel, e quan tragjike situatën në të cilën ndodhet Shtojber. Por tragjikja rrallë është kategori e politikës. Nga pikpamja politike Shtojber e ka nxjerrë veten në pozicion jashtë loje."