1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet pas tërheqjes nga shitja të enciklopedisë maqedonase

1 Tetor 2009

Pas vendimit të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, kanë ardhur edhe reagimet e para. Tërheqja u bë pas protestave të shumta të shqiptarëve brenda dhe jashtë Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/JvdO
Enciklopedia e re e kontestuar maqedonase.
Enciklopedia e re e kontestuar maqedonase.Fotografi: Petr Stojanovski

Vendimit i paraprinë edhe vlerësime të ekspertëve, se enciklopedia përmbante të pavërteta dhe ofendime për popullin shqiptar, si dhe informacione të shtrembëruara për rolin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

Ivanov: Ka shkencë për politikën por nuk duhet të ketë politikë në shkencë

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, vlerëson se në një shoqëri demokratike dhe liberale secili duhet të mbaj përgjegjësi për veprimet e veta, politikanët në politikë ndërsa shkencëtarët në shkencë. Të dyja palët mbajnë përgjegjësi para opinionit, për veprimet e tyre, u shpreh Ivanov . "Enciklopedia e Akademisë ka shkaktuar reagime dhe kritika të ashpra në shoqëri, prandaj vendimi për tërheqjen dhe ripërpunimin e saj duhet përshëndetur. Ka shkencë për politikën por nuk duhet të ketë politikë në shkencë. Shkenca duhet të bazohet në fakte, të jetë e paanshme dhe të mos ndërhyjë në kundërthëniet e politikës së përditshme", u shpreh Presidendi i Maqedonisë Gjorgje Ivanov.

Lëvizja qytetare "Zgjohu" kërkon vënien para përgjegjësisë të grupit redaksional

Lëvizja qytetare “Zgjohu” shprehu mirënjohje për të gjitha ata që kontribuan njëzëri në tërheqjen e enciklopedisë nga shitja. por kërkoi vënin para përgjegjësisë të kolegjit redaktues, për siç u tha, "përkeqësimin e situatës në Maqedoni dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike". "Tendenca për të cënuar karakterin multietnik të shtetit nga ana e akademikëve, nuk mund të kalojë pa u dënuar, për të evituar aventura të tilla të rrezikshme në të ardhmen, vlerësuan përfaqësues të lëvizjes qytetare “Zgjohu”. “Në pritje të Kuvendit të Akademisë, ku do të shqyrtohet përgjegjësia e përpiluesve të enciklopedisë, lëvizja 'Zgjohu' bën të ditur, se asgjë më pak se largimi i plotë i kolegjit redaktues, me në krye fajtorin kryesor, Bllazhe Ristovski, nuk do të jetë e pranueshme për popullin shqiptar”, deklaron Teuta Zllatku nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Menduh Thaçi e vlerëson të pamjaftueshme tërheqjen e enciklopedisë nga shitja

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, deklaroi, se tërheqja e enciklopedisë është vetëm një mashtrim politik i radhës i qeverisë së Maqedonisë. "Nëpërmjet kësaj enciklopedie vërtetohen bindjet e ngulitura antishqiptare dhe tërheqja e saj, nuk mund t'i eliminojë këto bindje, sepse ato janë të ngulitura thellë në mendjen e qeverisë. Veprimi i duhur do të ishte dorëheqja e qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme", kërkoi Menduh Thaçi.

Përpara selisë së qeverisë së Maqedonisë, kanë protestuar simpatizantë të partisë shqiptare BDK, të cilët ishin kundër botimit të enciklopedisë, dhe maqedonas në mbrojtje të saj. Veç fyerjeve dhe parullave me sharje, nuk u shënuan incidente të tjera më të rënda.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani