1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagon Serbia pas votimit për ushtrinë në Kuvendin e Kosovës

14 Dhjetor 2018

Autoritetet e Serbisë e kundërshtuan fort vendimin e Parlamentit në Kosovë për ushtrinë. Sipas kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, “kjo nuk është një ditë që i kontribuon stabilitetit në rajon”.

https://p.dw.com/p/3A7S0
Großbritannien EU-Westbalkangipfel in London | Ana Brnabic, Premierministerin Serbien
Fotografi: Reuters/S. Dawson

"Serbia do të vazhdojë rrugëtimin e saj të paqes e të stabilitetit. Është një ditë e rëndë për Serbinë dhe konsideroj se pa rajon të qendrueshëm nuk ka as Serbi stabile e as ndonjë vend tjetër në rajon”, citojnë mediet në Serbi Ana Brnabiq.

Reagime pati menjëherë edhe nga veriu i Kosovës i banuar më shumicë serbe, ku përfaqësuesit politik të serbëve thanë, se "Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri”.

Në një konferencë për medie nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, subjekt politik ky që ka 10 deputetë në parlamentin e Kosovës, tha se "vendimi i autoriteteve të Prishtinës është i papranueshëm për serbët dhe se nuk ka asnjë fuqi”.

"Ne jemi këtu në vendin tonë me popullin tonë, ndërkaq që vendimi i sotëm ka treguar qartë që Prishtina nuk dëshiron paqe në këto hapësira. Kjo që kanë bërë sot në Prishtinë, mund të them lirisht që është një e shtënë mbi paqen. U bëj thirrje qytetarëve që të përmbahen dhe të mos bien pre e provokimeve dhe njëkohësisht i ftoj që të jenë syçelë”, tha Goran Rakiq, duke njoftuar se vendimin e kuvendit për themelimin e ushtrisë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq shihet prezencë e shtuar e forcave të sigurisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse nuk është shënuar ndonjë incident, por, tensioni mbetet i lartë. Disa autoblinda të KFOR-it janë vendosur mbi urën e Lumit Ibër që e ndajnë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë. Po ashtu, policia e Kosovës ka konfirmuar prezencën e shtuar në pjesën veriore me qëllim - siç deklaron - "shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm”.