Rebel, hero, mendjemadh - Julian Assange u arrestua

Policia britanike ka arrestuar themeluesin e Wikileaks, Julian Assange të enjten (11.04). Më parë Ekuadori i hoqi Assange azilin diplomatik. Assange i trembet një procesi në SHBA.

Të enjten (11.04) policia britanike arrestoi themeluesin e platformës investigative Wikileaks, Julian Assange në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Sipas Scotland Yard, 47 vjeçari është dërguar në komisariatin e policisë. Më parë Assange humbi azilin diplomatik në ambasadën e Ekuadorit. Në fillim të vititi 2012, Assange u arratis në ambasadën ekuadoriane për t'i shpëtuar një ekstradimi në Suedi dhe një procesi gjyqësor në SHBA.

Sipas të dhënave, Assange u mor në arrest në bazë të një urdhërarresti të lëshuar në qershor 2012 nga një gjykatë britanike. Urdhërarresti u lëshua pasi Assange nuk u paraqit në një orar të gjykatës. Platforma investigative Wikileaks kritikoi tërheqjen e azilit diplomatik për Assange si "ilegale" dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në një deklaratë të publikuar në Twitter thuhet se ambasadori ekuadorian ka "ftuar" policinë britanike të arrestojë Assange.

Julian Assange

Marrëdhënia mes Julian Assange dhe palës ekuadoriane ishte keqësuar muajt e fundit. Javën e kaluar Wikileaks paralajmëroi nga një dorëzim i mundshëm i themeluesit të saj. Arsye ishte, sipas tyre, publikimi i fotove, videove dhe bisedave private të presidentit ekuadorian, Lenin Moreno. Në tetor Ekuadori kishte filluar të kufizonte vizitat për Assange dhe mjetet e komunikimit.

Moska e kritikoi arrestimin e Julian Assange. "Dora e 'demokracisë' mbyt " lirinë", shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Saharova në Facebook. Kurse Ekuadori reagoi duke thënë, se ka qenë e drejta e këtij vendi të kufizojë azilin, Julian Assange.

Hero dhe i kritikuar

Julian Assange, që ishte shumë i interesuar për teknikën e kompjuterave që në moshë të re lindi në Australi. Pas divorcit të prindërve ai jetoi në shumë vende të ndryshme. Assange u martua në moshën 18 vjeçare dhe u bë shumë shpejt baba. Por martesa nuk rezistoi gjatë.

Në themelimin e platformës investigative, Wikileaks në vitin 2006, Assange ishte figura qendrore. Wikileaks premtonte me zbulimet e saj të hidhte një vështrim në veprimet joetike të qeverive dhe firmave. Por për kritikët, Assange ishte një aktor mendjemadjh, që me publikimin e informacioneve rrezikonte madje edhe jetë njerëzisht. Platforma e tij u bë e njohur sidomos për publikimin e informacioneve mbi dokumente të brendshme për luftën në Irak dhe Afganistan.

Australiani 47 vjeçar është figurë e debatuar edhe brenda skenës së hakerave. Kritika ka pasur për stilin autoritar të tij dhe madje edhe akuza për dhunim seksual në Suedi, ku edhe u ngrit një aktakuzë, që më vonë u rrëzua.

Por shumë të tjerë e nderojnë Julian Assange si hero dhe e quajnë mjaft karizmatik. Gjatë qëndrimit të tij në ambasadën e Ekuadorit ai ka pasur vizita nga figura të njohura, si Lady Gaga apo Pamela Anderson.



la/(dpa, afp)


Më shumë për këtë temë

Na ndiqni!