1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reduktimi i KFOR-it lajm i mirë për Kosovën

6 Shkurt 2010

KFOR-i: vazhdimi i reduktimit të trupave nuk duhet të krijojë tek qytetarët e Kosovës shqetësim për sigurinë e tyre.

https://p.dw.com/p/LuRO
Në foto: ushtarë gjermanë të KFOR-it.
Trupat e KFOR-it do të reduktohen në më pak se 4.000 ushtarë.Fotografi: AP

Ushtarakët e KFOR-it në Kosovë thonë, se prania e 10 mijë paqeruajtësve atje është e mjaftueshme në këtë fazë, për garantimin e një mjedisi të qetë për të gjitha komunitetet. Zvogëlimi i trupave të KFOR-it, gjatë vitit 2010 do të vazhdojë edhe më tej dhe kjo forcë pas vitit 2010 do të ketë më pak se 4.000 trupa. Por ushtarakët e KFOR-it, porosisin qytetarët e Kosovës e në veçanti komunitetin serb, që mos të shqetësohen për sigurinë e tyre. Sipas tyre, trupat e KFOR-it, megjithë reduktimin, mbeten operacionale dhe të gatshme të veprojnë në çfarëdo situate që mund të paraqitet në terren.

KFOR-i ngre njësitë "battle groups" për administrimin e situatave në terren

Zëdhënësi i KFOR-it, nënkoloneli Hans Peter Buch, i tha Deutsche Welle-s, se pas reduktimit në fazën e parë, brenda KFOR-it janë krijuar formacione të reja të quajtuara “Battle Groups”. Këto njësi, janë të vogla në numër por, shumë fleksibël dhe efektive për çdo lloj situate në terren. Buch tha, se nuk sheh ndonjë tregues për përkeqësim të situatës së sigurisë: “KFOR-i tani ka në Kosovë rreth 10 mijë trupa. Ai ka riorganizuar komplet strukturën e tij në grupe më të mira shumëkombëshe. Kemi grupe më të vogla, por më mirë të përgatitura, shumë më fleksibël dhe mund të jemi në çdo cep të Kosovës për një kohë shumë të shkurtër nëse paraqitet nevoja. Për sigurinë e njerëzve në Kosovë, nuk ka ndryshuar asgjë”.

Reduktimi i trupave tregues i përmirësimit të situatës së sigurisë

Reduktimi i KFOR-it në këtë fazë në 10 mijë trupa dhe reduktimi mëtejshëm në më pak se 4.000 trupa, që u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, janë lajme të mira për udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës. Për ta ky është një tregues, se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme. Por një nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, thekson, se reduktimi i KFOR-it është një sinjal i keq për sigurinë e serbëve. Ai thotë se KFOR-i edhe gjatë viteve të shkuara nuk ka pasur as vullnet e as gatishmëri për të siguruar serbët e Kosovës. "Sikur KFOR-i gjatë këtyre dhjetë vjetëve, të dëshironte t'i mbronte serbët, ka pasur shumë raste. Por kemi parë se gjatë mandatit të KFOR-it, më shumë se 200 mijë serbë kanë lëshuar Kosovën“, thotë Marko Jakshiq.

Nënkoloneli gjerman Hans Peter Buch, thotë, se për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, nuk ka ndryshuar asgjë edhe pse KFOR-i redukton trupat e tij: “Sa i përket çështjes së sigurisë mund të them se ka shënuar shumë përparime dhe reduktimi nuk ndikon aspak në uljen e sigurisë për qytetarët e Kosovës”.

Ekspertët: veriu i Kosovës vazhdon të jetë i rrezikuar nga destabilizimi

Në foto: ura mbi Ibër, simbol i ndarjes së Mitovicës.
Situata në veri ende e paqendrueshme.Fotografi: Nikos Pilos

Ekpertët e çështjeve të sigurisë, pajtohen me konstatimet e zyrtarëve të KFOR-it, se situata e sigurisë për momentin është e qendrueshme. Megjithatë tërheqin vëmendjen, se në veri të vendit situata e sigurisë ka tendenca të vazhdueshme për destabilizim. Ramadan Qehaja, Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, shpjegon: “Reduktimi drastik i trupave KFOR-it që u krye më parë dhe reduktimi i pritshëm, janë pak të hershëm. Këtë e them sepse në veri të Kosovës kemi një situatë të sigurisë shumë të brishtë, me tendencë përkeqësimi. (...)Dihet se sidomos në veri, ka struktura paralele të cilat vazhdimisht krijojnë probleme”.

Reduktimi i trupave të KFOR-it duhet të ecë paralelisht me forcimin e strukturave të sigurisë në vend

Zoti Qehaja thotë, se reduktimi i trupave të KFOR-it, do të duhet të ndodhë në mënyrë paralele me fuqizimin e rolit të institucioneve kosovare të sigurisë: "Këtu kam parasysh në radhë të parë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila edhe pse thuhet se është operacionalizuar, është dashur që paraprakisht të marrë disa detyra nga njësitë e KFOR-it, të cilat nuk janë më në Kosovë. Kemi edhe policinë e Kosovës, së cilës është dashur t'i krijohen mundësi më të mëdha veprimi. Po shihet se për momentin kjo polici ka probleme subjektive dhe objektive”.

Forcat paqeruajtëse në Kosovë, 10.000 trupat e mbetura, në këtë fazë janë duke zhvilluar vazhdimisht stërvitje në të gjitha rajonet e Kosovës për të dëshmuar para qytetarëve aftësinë për të vepruar. Manovrat e KFOR-it, janë të përqëndruara më shumë në veriun e Kosovës me shumicë serbe, ku edhe prania e organeve kosovare të sigurisë është më e vogël.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani