1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendumi nuk do të ndikojë në përcaktimin e statusit

Bekim Shehu11 Tetor 2006

Zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë, thonë se nuk e mbështesin mbajtjen e referendimit të Serbisë për kushtetutën në territorin e Kosovës, mirëpo as nuk do ta pengojnë. UNMIK thotë se, referendumi i cili pritet të mbahet në fund të këtij muaji nuk do të ndikojë në përcaktimin e statusit final të Kosovës

https://p.dw.com/p/Arbx
UNMIK
UNMIKFotografi: DW

Administrata ndërkombëtare në Kosovë nuk do ta pengojë mbajtjen e referendumit të Serbisë për kushtetutën në territorin e Kosovës. Mirëpo zyrtarë të UNMIK-ut, thonë se ata nuk do ta mbështesin votimin për referendum. Një zëdhënës i UNMIK-ut, Neraj Sing, tha se referendumi serb për kushtetutën nuk do të ndikojë në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Sipas tij, çështja e statusit do të zgjidhet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe UNMIK u e mbështet këtë proces.

"Është ky proces dhe vetëm ky proces që do të përcaktojë statusin e Kosovës. UNMIK-u nuk e mbështet mbajtjen e referendumit në territorin e Kosovës por nuk do t'i ndalojë individët që të votojnë. UNMIK-u dhe KFOR-i do të mbajnë një mjedis të qetë dhe të sigurtë," tha zëdhënësi Singh.

Referendumi për kushtetutën e re të Serbisë në të cilën përfshihet edhe Kosova si pjesë përbërëse e saj, do të mbahet në fund të këtij muaji. Sipas autoriteteve serbe ai do të organizohet edhe në Kosovë dhe vendvotimet do të hapen në 19 komuna. Ata thonë se fletëvotimet do të shtypen në dy gjuhë, në atë serbe dhe shqiptare. Sipas zyrtarëve ndërkombëtar në Kosovë, forcat paqeruatëse, do të kujdesen për ruajtjen e stabilitetit në vend edhe gjatë mbajtjes së referendumit dhe të ndalojnë destabilizimin e mundshëm të situatës.

Autoritet serbe nga ana e tyre kanë thënë se për organizimin e referendumit në Kosovë, ata do të garantojë sigurinë e votuesve bashkë me UNMIK-un, OSBE-në dhe KFOR-in. Ata thonë se, sipas një liste të votimit nga viti 2OO4, ka 97 mijë votues në Kosovë. Udhëheqësit politik shqiptarë të Kosovës, ndërkaq mbajtjen e referendumit serb për kushtetutën në teritorin e Kosovës e cilësojnë një hap destruktiv të autoriteteve serbe. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se, miratimi i kushtetutës serbe, ku Kosova përkufizohet si pjesë integrale e saj është në kundërshtim me procesin e negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, mirëpo ata thonë se kjo nuk do të ndikojë në proces. Autoritet e Prishtinës thonë se, një veprim i tillë i kuvendit të Serbisë është akt politik dhunues i cili dëshmon se Serbia edhe në të kaluarën, por edhe tash është inkubator i konflikteve në Ballkan.