1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformat e qeverisë në Berlin & Vrasja e ariut Bruno

27 Qershor 2006

Ndër temat që komentohen në shtypin e sotëm janë diskutimi për reformat në Gjermani dhe politika që po ndjek qeveria e koalicionit të gjerë mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Vëmendje komentatorët i kushtojnë edhe vrasjes së ariut të murmë, të ardhur nga Tiroli në Bavari.

https://p.dw.com/p/ArpE
Ariu Bruno, para se të vritej
Ariu Bruno, para se të vritejFotografi: picture-alliance/ dpa

Lidhur me politikën reformave të qeverisë komentatori i së përditshmes "Münchener Merkur" heq një paralele me Kampionatin Botëror të Futbollit duke nënvizuar: "Nëse kancelarja, Angela Merkel, duartroket për kombëtaren gjermane, ajo duhet të shtrojë pyetjen: përse nuk arrin të njëjtën gjë edhe ekipi qeveritar i përbërë nga kristiandmeokratët dhe socialdmeokratët. Arësyet janë mëse të qarta: Traineri Jyrgen Klinsman qysh në fillim pati një koncept të qartë, që e vuri në jetë pavarësisht nga kritikat. Kancelaren mund ta kritikosh për faktin, se s´ka asnjë linjë të qartë në marshin përmes xhunglës së reformave. Klinsmani ia doli gjithashtu që nga një ekip individualistësh të krijojë një skuadër. Ndërsa në ekipin e Merkelit triumfon zelli për t´u profilizuar. Lojtarët e klubit socialdemokrat dhe ata të unionit konservator në Berlin po e pengojnë me faulle njëri-tjetrin në atë masë, sa që nuk po e kuptojnë, se vendi rrezikohet të skualifiokohet në konkurrencën ndërkombëtare", komenton "Münchener Merkur".

Mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "Frankfurter Allgemeine Zeitung" që trajton çështjen e reformës në sistemin e sigurimit shëndetsor: "Fillimisht koalicioni i konservatorëve dhe liberalëve humbi besimin e zgjedhësve, më pas iu desh koalicionit të socialdemokratëve dhe ekologjistëve që të shpallin falimentin, ndërsa tani koalicioni kristiandemokrat-socialdemokrat (...) po përpiqet të dalë nga moçali i kostove të shëndetsisë duke marrë miliarda prej buxhetit të federatës, (...) por koalicioni nuk i ka 16 deri në 24 miliardat e nevojshme, ose të paktën ato ende s´ekzistojnë. Eshtë e drejtë legjitime që shumica parlamentare të kërkojë ndryshimin e sistemit brenda kuadrit kushtetues. Do të ishte një procedurë më kuptimplotë të projektohej fillimisht një sistem të qëndrueshëm dhe më pas të vendosej për pranimin ose refuzimin e tij. Koalicioni në të kundërt ka vendosur fillimisht për ndryshimin dhe po kërkon tani sistemin.", vëren "Frankfurter Allgemiene Zeitung".


Ariu i murmë, Bruno, i mërguar nga Tiroli në Bavari s´jeton më. Pasi u bë problem për zonën ku qarkullonte e hante ndonjë bagëti duke u zhdukur më pas, autoritet e landit dhanë urdhër për ta vrarë atë. Janë të shumta gazetat që e komentojnë sot këtë temë kryesisht duke theksuar nevojën për rujatjen e kafshëve të rralla. Gazeta e Këlnit "Express" komenton: "Tani ai s´jeton më: Bruno, ariu, që për pesë javë na mbajti në ankth. Pak pasi hyri në fuqi në mënyrë misterioze urdhëri për ta qëlluar, Brunoja përfundoi në qiellin e arinjve. Plumbi vdekjeprurës për ariun dy vjeçar ka tronditur republikën. Ndërsa mbrojtësit e kafshëve reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar duke kërcënuar me vrasjen e gjuetarëve dhe të ministrit të mjedisit të Bavarisë. Natyrisht
është fatkeqësi që ariu i parë, që shkeli në Bavari qysh prej 170 vjetësh, jetoi vetëm dy vjet. Natyrsisht është keq, që Brunos iu desh ta paguajë me jetë "strofkullën e keqe të fëmijërisë" dhe kuriozitetin e vet. Por sa të mëdha do të kishin qenë britmat, nëse airu mërgimtar do të kish sulmuar ndonjë bujk, apo ndonjë çiklist. Sado që ne na hyri në zemër ariu, ai konsiderohej si ariu problematik - gjë që së fundi duhet ta kuptojnë mbrojtësit e mjedisit.", tërheq vëmendjen "Express".

Ndërsa "Allgemeine Zeitung" që del në Mainc shkruan: "Ariu ka vdekur, problemi është zgjidhur. E shtëna ndaj kësaj kafshe bredharake ishte një krim ndaj zhdukjes së jetës. Por ishte e paparashikueshme, nëse një kafshë, përhapja e së cilës duhej t´i interesonte të gjithëve, stilizohet si një problem, ateherë s´mund ta ndalësh histerinë. Burokratët vendosin, si në rastin konkret të frymëzuar nga kryeministri bavarez Shtojber, që me mënyrën si flet jo vetëm i krijon "arinjtë problematikë", por i bën ata edhe të dëmshëm njëkohësisht. Ndaj një kafshë s´mund t´i mbijetonte gjatë kësaj.", thekson "Allgemeine Zeitung".


Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Pforzheimer Zeitung": "Të bën përshtypje fakti, që landi i Bavarisë kish më të rëndësishëm shmangien e këtij problemi se sa mbrojtjen e natyrës, e kjo edhe pse ariu s´kish rrezikuar asnjë njeri. Mesazhi tragjik i goditjes vdekjeprurëse është i qartë: natyra e egër s´ka ç´kërkon në Bavari. Ndaj ju arinj, nëse iu dhimbset jeta, më mirë qëndroini larg Bavarisë.", ironizon "Pforzheimer Zeitung".