1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformimi i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut urgjentisht i domosdoshëm - Qëndrimi gjerman në sesionin e sivjetshëm të Gjenevës

Nina Werkhäuser13 Mars 2005

Sot (14.mars) fillon në Gjenevë sesioni i përvitshëm i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ky komision i krijuar në vitin 1946 mbikqyr në të gjithë botën respektimin e të drejtave të njeriut. Të enjten në këtë konferencë do të flasë edhe MPJ gjerman Joshka Fisher. I ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Tom Kënigs, sqaron për DW qëllimet e Gjermanisë në këtë konferencë.

https://p.dw.com/p/ArQB
Pamje nga mbledhja e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë
Pamje nga mbledhja e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në GjenevëFotografi: AP

Mbledhja e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut është sa për të larë gojën, sepse forumi më i lartë global për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e përmbush fare rrallë qëllimin për të cilin është krijuar, ngase shtetet anëtare nuk duan t'u përmendet emri për të keq. Në këtë komision bëjnë pjesë 53 prej 191 vendeve anëtare të OKB-së, ndër to edhe Kina, Sudani, Zimbabvja dhe Nepali. Dhe kur është fjala për të dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut në këto vende, atëhere ato i bllokojnë rezolutat dhe në shumicën e rasteve kanë sukses. Për këtë Tom Kënings, i ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, mendon se ka ardhur koha që ky komision të reformohet:

"Mekanizmi i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut është tepër i ngathët. Disa prej procedurave të tij kanë kohë që janë amortizuar dhe për këtë është urgjentisht e domosdoshme një reformë." - mendon Kënigs.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ka kohë që e kuptuar domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe po punon për një reformë. Si gjithmonë reformat në radhët e OKB-së janë një proces tepër i lodhshëm dhe i koklavitur. Ideja themelore e kësaj reforme konsiston që të 191 vendet anëtare të OKB-së të kenë një vend dhe një të drejtë vote në Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Këtë ide e mbështet edhe qeveria gjermane, sepse në këtë rast do t'u vinte fundi taktikave të vendeve të ndryshme si dhe diskutimeve të pafund, se përse në tryezën e këtij forumi kanë të drejtë të ulen vende që kanë një bilanc mizerabël në lidhje me të drejtat e njeriut. Në një rast të tillë nuk do të jenë më të nevojshme as marrëveshje të tilla si ajo mes vendeve të BE-së, sipas së cilës si rregull BE-ja i refuzon të gjitha kërkesat për të hequr nga axhenda e diskutimeve këtë apo atë temë. Këtë taktikë, e cila në shumicën e rasteve rezulton e sukseshme, e ndjekin vende të ndryshme, të cilët janë të interesuar që tema të caktuara të mbeten tabu. Me taktika të menduara mirë përjashtohen nga diskutimet tema të tilla si trajtimi i të burgosurve në kampin amerikan në Guantanamo, shtypja e opozitës në Kinë apo politika ruse ndaj Çeçenisë.

Qeveria gjermane do të angazhohet në Gjenevë edhe për të arritur të drejtën për ujë të pishëm për të gjithë si dhe të drejtat e popujve indigjenë. Këtë vit Gjermania nuk do të paraqesë një rezolutë të vetën, por mbështet rezolutat për forcimin e tolerancës fetare dhe atë kundër zhdukjes së njerëzve.

Edhe pse rezoluta fillimisht s'është gjë tjetër vetëm se një copë letër, Tom Kënigs, mendon se ajo nuk është krejt pa vlerë: "Ky është një instrument, i cili i konsideron të paligjshme shkeljet e të drejtave të njeriut dhe që dëshiron t'u heqë legjitimitetin - në radhë të parë kundrejt vetë qytetarëve të vendeve të tyre - qeverive që shkelin të drejtat e njeriut. Për disa ky është një argument i fortë, për disa të tjerë jo, por në një perspektivë afatgjatë është jashtëzakonisht i fortë."