1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refuzohet projekti i grupit arab SHBA bllokojnë rezolutën

12 Nëntor 2006

ShBA bllokuan të shtunën në Këshillin e Sigurimit një rezolutë për dënimin e sulmit të artilerisë izraelite në Rripin e Gazës. Dhjetë nga pesëmbëdhjetë antarët e Këshillit të Sigurimit votuan pro dhe katër abstenuan

https://p.dw.com/p/Aqo7
Një palestineze në varrimin e 19 të vrarëve nga sulmi izraelit
Një palestineze në varrimin e 19 të vrarëve nga sulmi izraelitFotografi: AP

Refuzimi nga një antar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit si ShBA mjafton që një rezolutë të hidhet poshtë. Ambasadori i ShBA në OKB, Xhon Bollton tha, se projektrezoluta e paraqitur nga shtetet arabe është e njëanshme dhe e motivuar politikisht

Jo-ja ishte e prerë, me zë të lartë dhe mëse e qartë, Në Këshillin e Sigurimit fuqia me të drejtë vetoje, ShBA, hodhi posshtë rezultën, që synonte dënimin e sulmit të artilerisë izraelite në një bllok banimi në Beit Hanun në Rripin e Gazës. Si pasojë e këtij sulmi në mërkurën më 8 nëntor gjetën vdekjen 19 palestinezë.

Xhon Bollton, ambasadori i ShBA në OKB, shprehu keqardhjen për këtë incident, theksoi megjithatë, se teksti i projektrezolutës është i papranueshëm: "Kjo rezolutë nuk paraqet një pamje të drejtë të ngjarjeve aktuale në Rripin e Gazës. Në këtë mënyrë nuk mund të bëhet asnjë hap më tej drejt paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Ndërkohë që ne punojmë pa u lodhur pikërisht për këtë."

Me jo-në e ShBA rezulta u hodh poshtë. Katër vende të tjera abstenuan në votim. Teksti gjatë ditëve të fundit u zbut disi, për të mundësuar aprovimin e rezolutës nga antarët e Këshillit të Sigurimit. Ambasadori francez de La Sabliere pas votimit u shpreh i zhgënyjer: "Unë mendoj, se teksti i rezolutës ishte i peshuar. Ai do të kish qenë sinjali i duhur në adresë të të dyja palëve: që Këshilli i Sigurimit është i shqetësuar për atë që ndodh në Rripin e Gazës, që ne na vjen keq për vdekjen e civilëve dhe që ne jemi të preokupuar për mbrojtjen e popullsisë civile. Shpresoj, që refuzimi i këtij teksti nuk do të japë shkas për ashpërismin e tensioneve në rajon."

Në bazë të rezolutës Izraeli duhet të dënohej për operacionin ushtarak në Rripin e Gazës dhe duhej t´i bëhej thirrje që ai të tërheqë të gjitha trupat. Njëkohësisht projektrezoluta ishte edhe një thirrje në adresë të palës palesitneze, që t´i japë fund dhunës dhe të mos godasë më me mortaja në drejtim të territoreve izraelite. OKB-ja duhej që të bashkëpunonte intensivisht për stabilizimin e situatës në rajon.

Vëzhguesi i palestinezëve në OKB Mansur kritikoi faktin që kjo rezolutë dështoi. Por ai deklaroi, se palestinezët nuk duan të dekurajohen prej kësaj: "Ne asnjëherë nuk do të humbasim besimin ndaj parimeve të mëdha të Kartës së OKB-së. Besimi ynë në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit nuk do të lëkundet. Ne gjithmonë do të vimë këtu derisa të ketë drejtësi."

Por për t´i parë rezultatet e tjera në Këshillin e Sigurimit, palesitnezëve u duhet fillimisht që të bëjnë për vete ShBA, sepse këto sërish u treguan si partner i besueshëm i Izraelit duke bllokuar rezolutën e dytë brenda këtij viti, që parashikonte dënimin e aksioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.