1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët lampeduzë

Tilman Klajnjung /Romë25 Gusht 2008

Kampi i pranimit të refugjatëve në Lampedusa është në prag të kolapsit. Kryetari i bashkisë së Lampeduzës do të ndalojë me dekret ardhjet e reja, deri në zbrazjen e kampit.

https://p.dw.com/p/F4Tg
Vala e refugjatëve në Lampedusa nuk ndërpritet
Vala e refugjatëve në Lampedusa nuk ndërpritetFotografi: picture-alliance/ dpa

"Ata jetojnë këtu si kafshët, mes plehrave, në urinën e tyre!" Kryetari i bashkisë së Lampeduzës Bernardino de Rubeis zgjedh fjalë të forta për të përshkruar gjendjen në kampin e refugjatëve të ishullit të tij:

"Do të nxjerr një dekret, që në këtë vend të mos lejohet të hyjë asnjeri, përpara se të zbrazet."

Fundjavën e kaluar (23./24.8.) u kapën disa qindra refugjatë nga Afrika veriore. Në kampin e pranimit në Lampeduzë jetonin përkohësisht më shumë se 2.000 vetë. Ky është rekord i ri këtë verë, e cila po i thyen të gjithë rekordet. Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme, në krahasim me periudhën e vitit të kaluar gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti në Itali numri i imigrantëve të paligjshëm është dyfishuar në më shumë se 15.000.

Zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara, Laura Boldrini:

"Për mua është e rëndësishme, që autoritetet t'i zhvendosin sa më shpejt refugjatët, pasi kampi në Lampeduzë duhet të jetë i lirë për të pranuar refugjatë të rinj."

Boldrini nuk e konsideron ide të mirë atë të kryetarit të bashkisë për ndalimin e pranimeve. Këta njerëz nuk kanë zgjidhje tjetër, thotë ajo:

"Duhet kuptuar që këta që vijnë janë njerëz. Ata marrin arratinë nga zonat e luftës dhe nuk paraqesin kurrfarë kërcënimi."

Por kryetari i bashkisë së Lampeduzës gjykon ndryshe. Ai kërkon më shumë roje dhe që kampi të rrethohet me tela me gjëmba. Madje nëse autoritetet lejojnë edhe më shumë refugjatë në kamp, ai kërcënon me padi për cenim të sigurisë publike:

"Njerëzit në Lampeduzë, turistët, nuk mund t'i ekspozohen një rreziku të tillë. Imigrantët largohen nga kampi për të blerë cigare ose alkool. Para disa ditësh kapa vetë disa që ishin pirë me tri shishe Whiskey.”

Për të hënën ishte planifikuar evakuimi i 500 refugjatëve nga kampi. Por me kaq gjendja mund të përmirësohet vetëm lehtë, sepse në një vend të parashikuar për 800 vetë jetojnë rreth 1.500. Megjithatë Federico Miragliotta, drejtori i kampit të pranimit paralajmëron që gjendja të mos dramatizohet:

"Situata është plotësisht nën kontroll. I vetmi dallim nga situatat e njohura është se ka më shumë polici. Por duhet të them se në kamp nuk ka kurrfarë tensionesh."

Dhe varka të tjera me refugjatë do të vijnë nga Afrika. Kjo është e sigurt, sepse Deti Mesdhe është aktualisht veçanërisht i qetë dhe organizatat kontrabandiste e shfrytëzojnë këtë fakt. Shumë refugjatë humin jetën në këto varka të pasigurta dha ata që kanë fat mbërrijnë në Lampeduzë.