1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reportazh nga Juniku

Ajete Beqiraj8 Dhjetor 2006

Për shkak të shkatërrimit masiv dhe zonës së minuar kthimi i banorëve të Junikut pas luftës nuk ka qenë i qëndrueshëm edhe në të dy fshatrat malore, Jasic dhe Gjocaj

https://p.dw.com/p/Arac
Nga jeta në fshat, Kosovë
Nga jeta në fshat, KosovëFotografi: AP


Junikasit, menjëherë pas luftës me donacione dhe më vetkontribut, mundësuan rifillimin e jetës normale. Por, edhe pse në dy fshatrat rrëzë bjeshkëve të Gjeravicës, Jasiq dhe Gjocaj, vërshuan shoqata të ndryshme vendore dhe ndërkombtare për deminim, shtrirja e gjërë dhe minimi i dendur në këto zona, ndikoi në zvarritjen e kthimit të të zhvendosurve në vatrat e veta.

Drejtori ekzekutiv I pilot njësisë komunale të Junikut, Ruzhdi Shehu, sjell hollësi të tjera: "Juniku ka qënë vend kufitar, ku edhe lëvizjet e qytetarëve dhe armatimi ka shku përmes kufirit është bërë furnizimi, mundë të them, i tërë Kosovës. Për këtë shkak edhe ka qënë një zonë në të cilën është ba edhe një shkatërrim masiv i policisë së Serbisë dhe një minim vërtet i specializuar".

Dikur, me shkollë, ambulancë e me të gjitha kushtet për jetesë, ndërsa sot veç një zone e shkretuar dhe fushë të minuar nga mbetjet e luftës së fundit në Kosovë. Të 300 shtëpitë e banuara prej 65 familjeve me rreth 600 banorë, sot janë vetëm gërmadha të banuara vetëm me dy pleq në njërin e në tjetrin, nga një familje me dy fëmijë, të cilët ecin me katër-pesë kilometra në ditë, për të ardhur në shkollë. Të
zhvendosurit, që nga vitit '99, jetojnë në të 120 shtëpitë e ndërtuara për kolonët serb, të ardhur në fillim të viteve të 90-ta.

Njëra prej, siç thonë ata, "refugjatëve në shpi t'vet" është edhe GanimeteJasiqi-40 vjecare, e cila me bashkëshortin, vjehrrën dhe të pesë fëmijët deri me tash ka jetuar me një ndihmë sociale prej 75 eurosh.

"Jetojmë një jetë mesatare, vec sa për bukë goje. Këtë dyqan të vogël e kap hap në një kampshtëpize. Tash me kanë ndërpre edhe socialin dhe tetë anëtarë veç me
këtë dyqan po ekzistojmë".

Përballë dyqanit të vogël, është një radhë tjetër shtëpish në të cilat jetojnë banorët e dy fshatrave kufitare, Jasiq dhe Gjocaj. Në oborrin e njërës prej tyre është një kasolle e drunjtë. Ndonëse mesditë, nga dera e hapur shihet një plakë e strukur nën jorgan. Një plakë, e cila ka harruar moshën e saj: "Vallahi loke nuk e di sa vjeç jam. Nuk i maj mend veç kom shumë!"

Ndonëse mesditë, ajo rri e strukur në shtrat, se as vatra e ndezur në kasollën e varfër nuk zbut të ftohtët që hyn nga të carat e murit të drunjtë: "Narth vallahi moj loke!...Po rrnojmë si faqja e zezë! Çka me ba?! Një vend qaty s'na nxan, rob shumë, kush s'ta din dertin!"

Njësoj thotë edhe Bajram Jasiqi-50 vjecar, i cili banon në dy dhoma me të nëntë anëtarët e tij: "Jepi zjem e fol sa të duash, kurrkush nuk vjen me na pa. E baj shpinë vet, po nuk kam pare! Nëntë anëtarë familje jetojmë në dy dhoma. Ma zi se n'luftë. Veç si nuk kërset pushka se krejt në këtë lagje, qeshtu jemi!"

Bajram Jasiqi flet për vështirësitë e kthimit si individe, mes pyjeve të dendura e gërmadhave, ne çfarë janë shndërruar fshatrat e tyre: "Nëse bëhet të kthehmi të gjithë...Por, më së pari të kontrollohet vendi se me shku 5-600 anëtarë familje,
dy fshatrat Jasiq e Gjocaj, shpërndahen njerëzit nëpër fusha, një njeri me ra në mina, sa kushton një jetë e një njeriu?! Ata po i kontrollojnë malet, bjeshkët e
ku jetojnë njerëzit nuk i kontrollojnë!"

Plaku 70 vjeçar, Asllan Gania nga fsahti Gjocaj, dëshiron të rikthehet sa më shpejt atje ku ka lënë jetën e tij. "S'ka njeri që nuk I pëlqen vendlindja. Pa marrë parasysh në c'kushte jeton, me vendlindjen se ndërrohet asgjë!"

Edhe Edona trivjecare, sikur është e vetdishme bukurive të fshatit buzë bjeshkës. Ajo kujton shumë mirë një vizitë të shkurtër gjatë verës, ku me të ëmën kish pirë uji te kroi I fshatit:

"M'pëlqen shumë me shku në bjeshkë...Shkoj me mbush ujë...Me pi ujë"

Por, sipas drejtorit ekzekutiv të pilot njësisë komunale të Junikut, Ruzhdi Shehut, kushti themelor për rikthimin e jetës në këto fshatra të bukura malore, është deminimi:

"Deminimi është kusht elementar edhe për investime të ardhshme. Pa një qertifikatë nga shoqatat e specializuara të cilat garantojnë që kjo pjesë është e deminuar, qytetarët nuk kanë besim të kthehen".

Pilot Njësia Komunale e Junikut është komunë në formim në Rrafsh të Dukagjinit.