1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reportazh: Të rinjtë boshnjakë ëndërrojnë për Gjermaninë

21 Qershor 2016

Bosnje-Hercegovina konsiderohet një "vend i sigurtë origjine", por ekonomia e këtij vendi është e rrënuar, të rinjtë duan të largohen. Daniel Heinrich ka biseduar me disa prej tyre në Sarajevë.

https://p.dw.com/p/1JAOK
Bosnien Sarajevo Goethe Institut Sprachkurs
Nxënësit e Institutit Goethe, SarajevëFotografi: DW/D. Heinrich

Instituti Goethe në Sarajevë: Arkitekturë betoni e socializmit, kati i tretë, ashensori nuk funksionon, në "dhomën Berlin" të institutit është nxehtë. Dina Rizvo ndjek orarin me rreptësi, çdo gjë është në vendin e duhur, si buzëkuqi ashtu edhe fustani veror i hekurosur mirë. Ajo punon prej tre vitesh si mësuese e gjermanishtes, por rrallëherë ka përjetuar një stuhi të tillë regjistrimesh. "Numri i kursantëve rritet nga viti në viti. Ata që ndjekin kursin kanë arsye nga më të ndryshmet." Ka nga ata që mësojnë gjermanisht se duan të shkojnë tek bashkëshorti në Gjermani, por edhe juristë të diplomuar që ndërrojnë profesion e bëhen infermierë të gatshëm për t'u punësuar në Gjermani, thotë mësuesja.

Gjermania preferohet: Kjo jo vetëm, sepse shumë boshnjakë gjatë luftës së Jugosllavisë erdhën në këtë vend, ndër të tjera edhe Berlini është një destinacion i preferuar. Por admirimi për Gjermaninë nuk do të ishte kaq i madh, sikur gjendja në vend të mos ishte kaq e vështirë. Karsten Dummel drejton fondacionin "Konrad Adenauer" në Sarajevë. Ai e kritikon sistemin arsimor në vend. "Për fat të keq ka shumë nevojë përmirësimi në sistemin arsimor që nga kopshti deri në Universitet." Në Bosnje shumë vetë vajtojnë ende sistemin arsimor jugosllav, shkolla e asaj kohe ishte shumë e mirë, por "koha e Jugosllavisë ka marrë fund dhe nuk ka ndryshuar shumë."

Brain Drain i të kualifikuarve

Paralizimi i politikës ka sjellë pasoja të rënda: Diplomat universitare boshnjake nuk njihen jashtë, ndërkohë që në vend sundon papunësia. Tek të rinjtë ajo kap shifrën 60%. Kjo bën që edhe të diplomuarit të ndërrojnë drejtim për të gjetur një punë jashtë.

Bosnien Sarajevo Dina Rizvo Lehrerin für "Deutsche Sprache" am Goethe Institut
Mësuesja Dina RizvoFotografi: DW/D. Heinrich

Lejla Ibisevic mëson gjermanisht prej dy muajsh. Politologja vjen tre herë në javë për pesë orë në Institutin Goethe. "Dua të punoj në Gjermani si infermiere, sepse në Bosnje nuk gjen punë." 26 vjeçarja thotë me droje se situata është e vështirë për të, të gjithë të afërmit, e familja e saj janë në Bosnje, në Gjermani ajo nuk ka askënd. Ibisevic është pjesë e programit "Triple Win" i "Shoqërisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar" të Gjermanisë, me të cilin qeveria gjermane kërkon të zgjidhë nevojën urgjente për infermierë dhe kujdestarë të moshuarish në vend. Por sipas Bankës Botërore nga Bosnja-Hercegovina janë larguar në vitet e fundit rreth 10.000 vetë të kualifikuar, një shifër katastrofike për një vend me vetëm 4 milionë banorë.

Dritë në fund të tunelit pafundësisht të gjatë

Olaf Deussen punon në zyrën e BE-së në Sarajevë. BE ka një imazh pozitiv në Sarajevë, thotë ai. "Problemi kryesor për njerëzit është papunësia, njerëzit duan punë e po të shikosh se çfarë ka arritur BE në Europën Juglindore këto vitet e fundit, kjo mund të jetë edhe një shembull për Bosnjen." Karsten Dümmel nga fondacioni Konrad Adenauer e miraton pro shton se vërtet "anëtarësimi në BE është dritë në fund të tuelit. por ky tunel është shumë i gjatë, rruga në BE është shumë larg."

Porträt Karsten Dümmel
Karsten DümmelFotografi: cc-by-sa/Freseniust

Edhe në institutin Goethe, mësuesja Dina Rizvo i mirëkupton nxënësit e saj. Madje edhe ajo vetë ka menduar nganjëherë të largohet nga vendi. Rroga e saj mjafton sa për të mbuluar shpenzimet kryesore të jetesës. "Po qe se do të isha pesë vjet pa punë, sigurisht do të bëja të njëjtën gjë", thotë Rizvo. Nxënësit miratojnë me kokë, qeshin ndoshta për shkak të gazetarit gjerman në kurs, dhe ulin kokën mbi librat e gramatikës. Jo vetëm për shkak të vështrimit të rreptë të mësueses, ata nuk lenë dyshim se e kanë seriozisht me mësimin e gjermanishtes. Megjithëse është e premte mbasdite, megjithëse është nxehtë në ndërtesën prej betoni të epokës socialiste.