1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezolutë për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Bekim Shehu / Prishtinë18 Tetor 2012

Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo rezolutë tash i hap rrugë fillimit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/16SCI
Fotografi: AP/Montage DW

Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo rezolutë tash i hap rrugë fillimit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëheqë me qeverinë. Shefi i grupit Parlamentar të kësaj partie Adem Grabovci, para deputetëve tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një çështje thelbësore për rajonin dhe ky hap demonstron në praktikë qëndrimin paqësor të Kosovës. “Kjo rezolutë nuk ka të bëjë vetëm me bisedimet, por në radhë të parë me normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve sovrane Kosovës dhe Serbisë. Rezultatet që do të dalin nga rezoluta do të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues”. Kjo, rezolutë do të largojë edhe prezencën e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Qeveria e Kosovës akoma nuk ka publikuar ndonjë plan se cilat çështje do të diskutohen në dialogun politik me Serbinë. Ditë më parë zëvëndës-kryeministri Hajredin Kuçi, pati deklaruar se qeveria në këtë fazë ka një plan inicial dhe atë do ta koordinojë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-së.

Shqiptarë të Kosovës duke festuar pavarësinë
Shqiptarë të Kosovës duke festuar pavarësinëFotografi: AP

Vetëvendosja vazhdon të jetë kategorike kundër bisedimeve Kosovë-Serbi

Rezoluta e kuvendit të Kosovës për normalizimin e raporteve me Serbinë u inicua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u mbështetë nga të gjitha partitë politike parlamentare me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosja e cila është kategorike kundër bisedimeve Kosovë-Serbi. Shefi i grupit parlamentar i kësaj partie opozitare, Glauk Konjufca, thotë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të bëhet vetëm në dy mënyra. “Ose duhet ta kompletojmë sovranitetin tonë, pra, shpërbërjen e strukturave të paligjshme të Serbisë në Kosovë, marrjen e kufijve, kontrollimin e integritetit territorial, bllokimin e mallrave serbe e kështu me radhë. E kjo do të thotë që shtetësia jonë për Serbinë bëhet një fakt i kryer dhe i paprekshëm. Ose nënshtrim ndaj kërkesave të Serbisë, akomodim i interesave të saj, që janë: pranimi i Serbisë si hise në veri, vendosja e fusnotës pra, marrëveshjet që Serbisë nuk ia cenojnë Kushtetutën”, thotë Glauk Konjufca.

Sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, bisedat e ardhshme Kosovë-Serbi, do të udhëheqen nga Bashkimi Evropian, por një rol të rëndësishëm në këto bisedime, do të luajnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy udhëheqësit kryesorë politik në Kosovë e Serbi, kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti serb Tomisllav Nikoliq, tashmë kanë konfirmuar gatishmërinë për të nisur dialogun, por asnjëri akoma nuk e kanë bërë publik planin se për çfarë saktësisht do të bisedojnë Prishtina dhe Beogradi. Sidoqoftë, disa nga ambasadorët në Prishtinë të vendeve më të industrializuara, thonë se është me rëndësi që të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për këtë proces, i cili pritet të sjell relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.