1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezoluta 1244 të KS-it dhe Kushtetuta e Kosovës janë dy dokumente që nuk mund të bashkëjetojnë njëra me tjetrën

Bekim Shehu / Prishtinë 8 Gusht 2008

Në këtë situatë, ka kohë që kanë filluar përplasjet në qëndrime ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/Et6P
Shefi i UNMIK-ut, diplomati italian Zannier
Shefi i UNMIK-ut, diplomati italian ZannierFotografi: AP

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe qeveria e vendit janë dy mekanizma që vetën e shohin të plotëfuqishme në Kosovë, pavarësisht faktit që gjendja në terren është krejtësisht ndryshe. Qeveria, fuqinë e saj e bazon ne Kushtetutën e Kosovës, e cila u miratua gati dy muaj më parë, ndërkohë UNMIK-u thotë se akoma ka fuqi ekzekutive, sepse vepron në bazë të rezolutës 1244 të KS-it, e cila vazhdon të jetë në fuqi në Kosovë. Në një situatë të tillë, ka kohë që kanë filluar përplasjet në qëndrime ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë. Shefi i UNMIK-ut, Lambero Zannieri, thotë se ai i ka përgjegjësitë ekzekutive, mirëpo, vendimet e tij përpiqet t'i merr duke siguruar mbështetje në një masë të mundshme të pranuar që mos të zemërojë udhëheqësit politik të Kosovës.

"Përgjegjësitë ekzekutive janë dhe unë shoh hapësirë për përdorimin e tyre, përgjegjësi kryesisht në fushën e rendit dhe të ligjit. Unë i zbatoj ato, mirëpo në konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e Prishtinës apo me ndonjë palë tjetër," - thotë Lamberto Zannieri. Mirëpo, qeveria nga ana e saj, rolin e UNMIK-ut në Kosovë e sheh të përfunduar, ndërsa vetë zotin Zannieri, e cilëson një person që duhet të përfundojë procesin e rikonfigurimit të UNMIK-ut dhe të bartë përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës. Hajredin Kuqi, është zëvëndëskryeministër.

"Ne nuk e konkurojmë zotin Zannieri. Por, besoj se Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë dhe e punuar shumë mirë nga vendorët dhe është pranuar nga ndërkombëtarët dhe mendoj se Kushtetuta, është baza e plotë edhe politike edhe juridike mbi bazën e së cilës jetohet dhe veprohet në Kosovë. Në këtë drejtim edhe zoti Zannier, duhet t'i nënshtrohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës", thotë Hajredin Kuqi.

Zëvëndëskryeministri Kuqi, thotë se Prishtina zyrtare ka pranuar të bashkëpunojë me UNMIK-un, mirëpo këtë bashkëpunim ai e sheh si sukses të deritashëm.

"Ne në një mënyrë kemi pranuar rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe tranzicionin e plotë në EULEX. Duhet ta kemi të qartë se UNMIK-u, tash e tutje nuk është më organ qeverisës në Kosovë dhe veprimi i tij po shkon drejt shuarjes së plotë", thotë Kuqi.

Sidoqoftë shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, në këtë fazë po përpiqet të luaj rolin e një ndërmjetësi në përmirësimin e raporteve ndërmjet serbëve të Kosovës dhe institucioneve të këtushme dhe mundësisht, nisjen e dialogut për çështje teknike Prishtinë-Beograd. Autoritetet e Beogradit, nuk pranojnë të bisedojnë me udhëheqësit politik kosovar, por vetëm më UNMIK-un. Ndërkohë, udhëheqësit politik kosovarë thonë se ata mund të bisedojnë me Beogradin, por vetëm në cilësinë e dy vendeve fqinjë dhe asesi për statusin. Nisja e dialogut, tash për tash, duket e pamundur. Analistët thonë se prania në Kosovë e rezolutës 1244 të KS-it dhe Kushtetuta e Kosovës, janë dy dokumente që nuk mund të bashkëjetojnë njëra me tjetrën. Për pasojë ata shohin ngecje të proceseve në Kosovë. Hendeku edhe më i madh sipas tyre po krijohet nga pamundësia e shtrirjes së misionit të BE-së EULEX, në të gjitha rajonet e Kosovës, sidomos në vendbanimet serbe ku qeveria dhe misioni EULEX, pothuaj nuk janë fare të pranishme.