1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultate pozitive në drejtim të lirisë së lëvizjes në Kosovë. Veriu ende mbetet zonë problematike

Bekim Shehu14 Korrik 2005

Liria e lëvizjes se qytetarëve të gjitha komuniteteve në Kosovë mund të cilësohet një proces i sukseshëm deri me tani. Në 92 % të territorit të Kosovës, qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm, mirëpo, problem akoma mbetet veriu i Kosovës. Kështu u konstatua në takimin e grupit punues për lirinë e lëvizjes dhe kthim të qëndrueshëm, zhvilluar sot në Prishtinë

https://p.dw.com/p/Aqtu
Zonë sigurie në Kosovë
Zonë sigurie në KosovëFotografi: AP


Grupi punues që angazhohet për lirinë e lëvizjes dhe kthimet e qëndrueshme, konstatoi sot, se janë shënuar rezultate të dukshme, sidomos në lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, mirëpo, sfidë akoma mbetet kthimi i personave të zhvendosur. Në një takim që grupi punues zhvilloi sot, u tha se në shumicën e komunave të Kosovës, qytetarët e të gjitha komuniteteve përfshirë edhe ata të komunitetit serb lëvizin lirshëm. Por, pjesë e këtij suksesi nuk llogaritet edhe veriu i Kosovës. Lutfi Haziri, është ministër i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës.

Autoriteti i institucioneve të Kosovës realisht edhe i administratës ndërkombëtare është i zbehtë në pjesën veriore të Kosovës dhe sipas ministrit Haziri, shqetësues është fakti se ndikimi i strukturave paralele serbe në këtë pjesë është shumë i madh.
Mënyra më e mirë dhe e menduar që do të sjellë rezultate është shpërbërja e këtyre strukturave paralele nëpërmjet zbatimit të procesit të decentralizimit edhe pse ky projekt është cilësuar si rrezik politik. Megjithatë, sipas, ministrit Haziri, kjo është oferta më e mirë e zgjedhur një zgjedhje sië thotë në mes të mirës dhe së keqes ku qytetarit do t'i jepet e drejtë në vendimmarrje. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës, UNMIK-u dhe forcat paqeruajtëse, kanë hartuar gjithsej 26 projekte të përfshira në strategjinë për kthim të qëndrueshëm. Politikat implementuese të këtyre projekteve kushtojnë 2 milion euro të zotuara nga qeveria e Kosovës. Ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me vendet fqinjë Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Me këtë të fundit tashmë është nënshkruar një emorandum për kthimin e 18 mijë refugjatëve.
Sidoqoftë, akoma nuk është hartuar një listë e saktë e të gjithë personave të zhvendosur nga Kosova, thekson Haziri, për faktin se që nga përfundimi i luftës ka pasur një sërë listash të hartuara dhe njëra me tjetrën nuk kanë pasur ngjashmëri në shifra. Grupi punues për liri të lëvizjes dhe kthim të qëndrueshëm nuk do të punojë bazuar në këto shifra, por të drejtë kthimi në Kosovë kanë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë jetuar këtu, që kanë pronën private dhe posedojnë një dokument indentifimi që dëshmon se personi ka qenë qytetar i Kosovës. Sa i përket kthimit të pjesëtarëve të komunitetit serb, ka 12 mijë persona që deri tani janë kthyer në Kosovë, mirëpo edhe dhjetëra mijëra të tjerë pritet t'i përfshijë plani për kthimin e personave të zhvendosur.