1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultatet e zgjedhjeve evropiane

Bernd Riegert14 Qershor 2004

Zgjedhjet shfrytëzohen për të shprehur pakënaqësinë me qeveritë

https://p.dw.com/p/ArH4
Ndarja e vendeve në Parlamentin Evropian
Ndarja e vendeve në Parlamentin Evropian

Në thuajse të gjitha 25 shtetet e Bashkimit Evropian qytetarët e shfrytëzuan mundësinë për të ndëshkuar me anë të votës qeveritë e tyre. Me përjashtim të Greqisë dhe Spanjës ku vetëm pak kohë më parë zgjedhjet parlamentare çuan në ndërrimin e qeverive, zgjedhësit reaguan ndaj temave të ndryshme kombëtare, duke filluar që nga lufta në Irak për Britaninë e Madhe e deri tek reformat shoqërore në Gjermani. Në shtetet e mëdha të BE-së Gjermani, Britani e Madhe, Francë dhe Itali partitë qeverisëse pësuan pjesërisht humbje dramatike.

Presidenti në largim i Parlamentit Evropian Pat Cox tha, se zgjedhje të tilla ndëshkuese nuk i bëjnë mirë Evropës:

"Duhet të gjejmë një rrugë për ta bërë Evropën më shumë pjesë të zgjedhjeve evropiane, pasi ajo nuk është ende shumë e pranishme në zgjedhjet e veta. Këtë po e predikoj që prej 12 muajsh dhe rezultatet tregojnë se kisha të drejtë."

Sipas shpërndarjes paraprake të vendeve në parlament fitues janë sërish konservatorët, të cilët janë fraksioni më i fuqishëm i parlamentit që prej vitit 1999. Ata morrën 269 mandate. Grupi i dytë është ai socialist me 199 vende. Në vendin e tretë dhe të katërt renditen liberalët dhe të gjelbërit. Meqënëse asnjë nga fraksionet nuk ka shumicën, kryetari i fraksionit konservator Hans Gerd Pöttering bëri dje thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit të praktikuar deri tani:

"Tani ka rëndësi që ato fraksione që duan ta çojnë Evropën përpara, ta bëjnë këtë gjë me vendosmëri, sepse duhet të shfrytëzojmë çështjet ku mendimet tona përputhen në interes të së ardhmes së kontinentit tonë."

Në Poloni, Çeki, Danimarkë, Suedi dhe Austri i përmirësuan dukshëm rezultatet kundërshtarët dhe skeptikët ndaj Evropës. Në Britaninë e Madhe Partia e Pavarësisë, e cila lufton për daljen e Mbretërisë nga BE-ja, fitoi 18 për qind të votave. Tani kundërshtarët e Evropës dhe grupime të tjera të djathta mund të formojnë një fraksion të vetin në Parlamentin Evropian duke ndarë një pjesë të konservatorëve të vjetër. Sipas presidentit Cox këta do të përbëjnë vetëm 1/12 e vendeve.

Pas shuplakës për socilistët në Poloni dhe fuqizimit të kundërshtarëve të Evropës qeveria e atjeshme duket të jetë krejt e paaftë për veprim. Në këndvështrimi i Brukselit kjo do ta vështirësojë së tepërmi përfundimin e bisedimeve mbi kushtetutën evropiane, të planifikuar për javën e ardhshme.