1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se sistemi rajonal proporcional ka nevojë për përmirësime

9 Korrik 2009

Rezultatet e aplikimit në Shqipëri, për herë të parë, të sistemit zgjedhor rajonal proporcional janë të qarta. Ky sistem nxorri nga përfaqësimi në Parlament 29 parti nga 35 që u futën në garë, dhe la vetëm 6 prej tyre.

https://p.dw.com/p/IkMK
Tirana
TiranaFotografi: Mimoza Dhima

Qeveria, që pritet të formohet, është një koalicion mes të djathtës fitimtare të zgjedhjeve me 71 vende në Parlament dhe të majtëve liberalë opozitarë të LSI, me 4 vende. Opozita përfaqësohet nga 66 deputetë, 65 të PS dhe një i PBDNJ.

Për Ilirian Celibashin, ish kryetar i KQZ dhe ekspert për sistemet zgjedhore dobia dhe vlerësimi i këtyre rezultateve do të varet nga përgjigja e një pyetjeje thelbësore: “A u përkthye drejt vota dhe vullneti i qytetarëve të Shqipërisë? A donin qytetarët e Shqipërise këtë Parlament dhe këtë qeveri? Nëse i japim përgjigje pozitive kësaj pyetjeje, kjo do të thotë që ky sistem zgjedhor ka funksionuar mirë,” thotë ai.

Përgjigja e kësaj pyetjeje kërkon kohën e vet. Një qëndrim serioz, i xhveshur nga paragjykimet do ta gjejë përgjigjen në rezultatet e qeverisjes Berisha - Meta dhe performancen e parlamentit te ri.

Ndërkohë, një pyetje tjetër është duke zotëruar në debatin e hapur në Tiranë, për sistemin zgjedhor rajonal proporcional: Çfarë i duhet Shqipërisë, në fazën aktuale të zhvillimit të saj politik dhe ekonomik, një qeveri e dobët dhe Parlament i fortë kur ekspertët e sistemeve zgjedhore dhe politikanët e dinë që këto janë rezultatet, në përgjithësi të sistemit zgjedhor rajonal proporcional. “Shqipëria ka nevojë të këtë një qeveri të fortë, përfaqësuese dhe në përgjithësi, sistemet proporcionale nuk e garantojnë këtë. Janë sistemet maxhoritare ato që ofrojnë një qeverisje të fortë, të qëndrueshme dhe krijojnë mundësi edhe për një opozitë të fortë ndaj qeverisë. Një opozitë e fortë, e qëndrueshme ka mundësi të realizojë reforma të thella, që për vende si Shqipëria në tranzicion e sipër, apo në përfundim të tranzicionit, janë komponent i domosdoshëm i zhvillimeve ekonomike dhe politike,” thotë Ilirian Celibashi.

E njëjta pyetje ngrihet edhe lidhur me reduktimin drastik të përfaqësimit të partive të vogla në Parlament. Sa i shkon ky rezultat realitetit ekonomik dhe politik të Shqipërisë? “Gati 30 përqind e interesave të elektoratit në Shqipëri, nuk përfaqësohet nga dy partitë e mëdha, PD- PS. Shqipëria ka një veçori për shkak të stadit të zhvillimit të saj politik dhe ekonomik, ku ende nuk kanë ndodhur shtresëzimet e mëdha social - ekonomike, që më pas i grupojnë njerëzit në disa alterrnativa politike të qëndrueshme, të cilat përmbushin interesat e këtyre grupeve, si ndodh ne vendet me demokraci të zhvilluar, ku funksionon demokracia dhe ekonomia e tregut, ku grupet sociale janë të konsoliduara dhe nuk kanë nevojë të kenë shumë parti. Në Shqipëri diapazoni i interesave të njerëzve është shumë i gjerë. Kjo bën, që elektorati të mos i shohë interesat e veta të përfaqësuara vetëm në dy forcat politike apo në tre -katër syresh dhe kërkon të gjejë një alternativë poltike në një forcë të pestë, gjashtë, të gjashtë apo të shtatë,” thotë Ilirian Celibashi.

Këto kushte e bëjnë disi të parakohshëm për Shqipërinë sistemin dy partiak PD – PS. Varianti më i mirë do të ishte ekzistenca e disa partive që rrjeshtohen me të majtën, të djathtën, madje edhe qendrën, thotë Ilirian Celibashi.

Realiteti shqiptar, konfiguracioni i Parlamentit dhe i qeverisë Berisha- Meta në provë, tregojnë që modeli spanjoll i sistemit rajonal proporcianal, që u aplikua në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka nevojë për adaptime dhe përmirësime. Por, që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë Kushtetuta e Shqipërisë. Për fat të keq, dy palët PD – PS, që e miratuan atë me konsensus, nuk parashikuan që përmirësimet të ndodhnin pa ndryshuar Kushtetutën, me një shumicë të cilësuar votash në Parlament ose ndryshe me 2/3 e parlamentit, përmes një procesi normal legjislativ.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama