1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ripërtëritja ka nevojë për pikëpamje

Auron Dodi28 Nëntor 2006

Komentatorët e shtypit gjerman të së martës e përqendrojnë vëmendjen në Kongresin e Partisë Kristjandemokrate Gjermane, që po mbahet në Dresden

https://p.dw.com/p/Armm
Merkel në Kongresin e CDU-së
Merkel në Kongresin e CDU-sëFotografi: AP

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG bën këtë karakterizim për Kongresin:

"Karakteri i këtij kongresi është formësuar nga dëshpërimi i fshehtë, e i pashprehur për burgosjen në koalicionin e madh qeveritar. Në të njëjtën masë që është e lumtur CDU-ja për drejtimin e koalicionit nga kancelarja e kësaj partie, në të njëjtën masë është ajo e pasigurtë për perspektivat e së ardhmes: çfarë mund dhe çfarë duhet të bëjë ajo, për të pasur mundësi të realizojë herën tjetër vetveten më mirë. Peter Mülleri mori anën e kryeministrit të landit të NRW, Rytgers dhe bëri mesazh qëndror të Kongresit të Partisë së Dresdenit, drejtësinë. Në këtë mënyrë, CDU-ja kërkon të shpëtojë nga era e rëndë që të dëmton në zgjedhje se propagandon reforma për hir të reformave"

ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Mainc e vlerëson pozitivisht debatin për drejtimin e Partisë Kristjandemokrate Gjermane, CDU:

"A mund t'i ndodhë CDU-së gjë më e mirë se sa një debat pasionant për më shumë drejtësi sociale? Me siguri jo. Kongresi i Partisë në Dresden shqetësohet, por atje nuk ka revolta. Ky kongres është një ventil i mrekullueshëm për të gjitha ata që kanë probleme me koalicionin e çuditshëm qeveritar me SPD. Krahu i punëmarrësve më në fund nuk i varros pa i shprehur mendimet dhe thotë se në të kaluarën e groposur nën tokë. Zemër politike, ç'të duhet më?"

SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih është kritike ndaj kancelares Merkel:

"Edhe e bëshmja ka nevojë për një vizion, thotë kancelarja në kongresin e partisë. Por është e kotë të kërkosh tek ajo edhe vizione minimale. Gjethet e qepës së njomë në çdo supë notojnë në sipërfaqe. Edhe Angela Merkeli e bën këtë, në çdo kongres partie- në fillim Lajpcigu, pastaj Dyseldorfi, tani Dresdeni. Qartësia e politikës së saj të jashtme mungon krejtësisht në politikën e saj të brendshme. Ajo e propagandon ripërtëritjen e ekonomisë sociale të tregut si një detyrë "e cila vendos për të ardhmen e vendit tonë", por nuk thotë si ka ndërmend ta kryejë këtë detyrë. Ripërtëritja ka nevojë për një pikëpamje. Kjo asaj i mungon"

Tonet kritike ndaj Merkelit i vazhdon edhe FRANKFURTER RUNDSCHAU, e cila ndalet në mënyrën e drejtimit të partisë nga Merkeli:

"Kush mund të jetonte me grindjen, e cila gjoja nuk është grindje, më mirë se Angela Merkeli? Ajo i mundëson Merkelit jo së fundi, që t'i japë nuanca politikës së saj, pa kaluar në autokritikë. Nëse Rytgersi nuk do të ekzistonte, ajo do të qe e detyruar ta shpikte atë. Sepse energjia destruktive, e cila vërdalloset nëpër parti, aq më tepër pas zhgënjimeve të mëdha, mund të shkarkohej shumë tek ajo, nëse nuk do të ishte Rytgersi nga Dyseldorfi. Kështu Merkeli ngrihet si integruese e madhe mbi ujërat e turbulluara të mosmarrëveshjeve ndërpartiake. Shtimi i votave pro saj në zgjedhjet për kryetare e tregon qartë: Merkeli qeveris më e sigurtë se kurrë nga froni."

MÄRKISCHE ALLGEMEINE, që botohet në Potsdam është gjithashtu e mendimit se Merkeli është përfituesja nga mosmarrëveshjet brenda partisë:

"Ka një fitimtar të madh në këtë ditë të parë të Kongresit të CDU-së. Ai quhet Angela Merkel. Pas mërmëritjeve të pakënaqura për profilin e unionistëve dhe për stilin e saj ngurues qeverisës, ajo korri një rezultat të shkëlqyeshëm në rizgjedhjen e saj. Dhe në trajtimin e mosmarrëveshjes së Rytgersit për t'u paguar për një kohë më të gjatë para të papunëve më të moshuar, metoda Merkel rezultoi e suksesshme dhe me pak dhimbje: duke shfrytëzuar me aftësi rrugët proceduriale, dokumenti nga Dyseldorfi përfundoi në kosh të plehrave- dhe nëse ka një humbës të këtij kongresi partiak, atëherë ai është autori i dokumentit, Jyrgen Rytgers. Ai kishte kundër vetes krahun pro ekonomisë së partisë dhe anëtarët e partisë nga Lindja e Gjermanisë: në Lindje të Gjermanisë do të mbështeteshin vetëm pjesë të propozimit të tij, nga përparësitë nuk do të përfitonte askush."