1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rohan: Moszgjidhja e problemit të Kosovës rëndon mbi Evropën

Deutsche Welle20 Shkurt 2007

Ndihmësi i Ahtisaarit Albert Rohan, ka tërhequr vëmendjen që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre në lidhje me Kosovën:

https://p.dw.com/p/ArYM
Albert Rohan
Albert RohanFotografi: AP

"Pasojat negative të moszgjidhjes së problemit do të binin para së gjithash mbi Evropën, e cila është përfaqësuar më së shumti me personel civil dhe ushtarak në Kosovë," - ka thënë ai në një intervistë dhënë të përditshmes vjeneze, Wiener Zeitung, në prag të bisedimeve ndoshta të fundit shqiptaro-serbe.

Diplomati austriak thotë se me shumëkombësi në Kosovë nuk mund të nënkuptohet bashëjetesa ndërmjet etnive, por jetesa e etnive pranë njëra tjetrës: "Kjo ka qenë kështu qysh në kohën e Jugosllavisë dhe ndoshta nuk do të ndryshojë aq shpejt. Ne duam të arrijmë që komuniteti serb të mbetet në Kosovë dhe ata që kanë ikur të kthehen," ka thënë Rohan.

Pyetjes se a mund ta ngushëllonte perspektiva evropiane Serbinë për humbjen e Kosovës, Rohan i është përgjigjur: "Qëllimi nuk është që të ngushëllohet dikush. Por Serbia duhet të ketë ndjenjën që është e mirëseardhur si anëtare në Bashkimin Evropian, në se ajo i plotëson kushtet për këtë. Meqënëse Serbia është e prirur ta ndjejë veten të keqkuptuar nga bota, është e rëndësishme që të përsëritet vazhdimisht: "Ti je e mirëseardhur!". Rohan nuk e beson se kursi i afrimit të Serbisë drejt BE-së do ta zbusë qendrimin e saj ndaj çështjes së Kosovës. "Këto nuk kanë lidhje me njëra tjetrën", tha ai më tej.

Diplomati austriak gjithashtu propozon që Bashkimi Evropian të rekrutojë fuqi punëtore për të ndihmuar në reduktimin e papunësisë në Kosovë: "Nuk do të largoheshin të gjithë njerzit nga Kosova, por vetëm një numër i kontrollueshëm," - ka thënë Rohan. "Kjo do të ishte një ndihmë që nuk do t'i kushtonte bashkësisë ndërkombëtare, ndryshe nga qindra milionat që i harxhon për subvencionim."