1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët në Evropë - Zgjidhja e problemit jo vetëm me para por duke çarë qarkun e diskriminimit

30 Gusht 2010

Qëkurse Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së, shumë romë nga këto vende e kërkojnë fatin e tyre në Francë. Por ato janë të padëshiruar. Që nga fillimi i vitit Franca ka kthyer mbi 8.000 romë në Bullgari dhe Rumani

https://p.dw.com/p/Oz1K

Sipas vlerësimit të OKB-së në Evropë jetojnë gjithsej deri në dymbëdhjetë milionë roma. Ata përbëjnë minoritetin më të madh të Evropës. Më shumë se dy të tretat e tyre jetojnë në Evropën Lindore dhe në Ballkan.

Jo vetëm në Francë, por kudo në Evropë po intensifikohen konfliktet për romët. Romët bien në sy me traditat e tyre, me mënyrën e tyre të jetesës dhe me pamjen e tyre. Pikërisht për këtë arësye ato janë mjaft të përshtatshëm për t' u trajtuar si pretekst për të gjitha problemet e mundshme sociale, ndaj të cilave nuk ka zgjidhje të shpejtë. E kështu ndodh edhe në Francë.

Të pretendosh që vetëm pak mijë romë janë problemi më i madh social në Francë, kjo nuk ka asnjë bazë serioze. Qeveria franceze e di, që dëbimet e ndërmarra prej saj nuk janë në përputhje me të drejtën e BE-së. Vetëm për këtë arësye përmes ofertave me para në dorë i hidhet manteli i vullnetit të lirë largimit të menjëhershëm të romave drejt Rumanisë apo Bullgarisë.

Eshtë naivitet shpresa, se me këtë zgjidhen të gjitha problemet e atyre komunave franceze, të cilat nuk duan t' i pranojnë romët dhe ndaj vatrave të krizës në zonën e tyre të qytetit reagojnë me përforcimimin e masave të izolimit. Shumica e të dëbuarve, siç e tregon e kaluara, shumë shpejt kthehen, sepse ata janë të mësuar me diskriminimin.

Por si qytetarë rumunë dhe bullgarë atyre nuk u duhet vizë. Ata nuk janë qytetarë të BE-së të klasit të dytë, paçka se i bëjnë si të tillë. Askush nuk mund t'i pengojë ata, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes së lirë të vendbanimit. Madje edhe legjitimiteti i masave franceze kundër kampeve ilegale të romëve është i diskutueshëm dhe aktualisht objekt i një hetimi të Komisionit të BE-së.

Edhe për këtë arësye do të ishte mirë, që të luftohen kufizimet kundër romëve në kokat e shumicës së shoqërisë. Romët nuk janë domosdoshmërisht romë. Ata dallohen për vlerat dhe mënyrën e tyre të jetesës, por ata i bashkon i njëjti fat. Ato janë të spostuar në skajet e shoqërisë edhe atje, ku përbëjnë dhjetë përqind të popullsisë - në Rumani.

Integrim para së gjithash do të thotë që të çahet qarku i mbyllur i diskriminimit. Deri më sot kjo nuk është arritur. Shumë milirda euro ka vënë BE-ja në dispozicion tetë vitet e fundit për projekte nga më të ndryshmet për romët. Por tek shumica e njerëzve s' ka mbërritur më shumë se sa lëmoshë.

Ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm me para. Shpesh herë mungon tek të dyja palët vullneti dhe gatishmëria për t' i hapur ndaj njëri-tjetrit botët e izoluara, ku ato jetojnë. Nëse askush nuk do të kujdeset për rininë, nëse askush nuk nxit arsimin dhe kualifikimin, ky është natyrisht edhe një problem për bashkësinë e romëve. Nëse në fund askush nuk dëshiron t' i punësojë romët qofshin edhe me kualifikimin më të mirë apo t' u japë atyre një banesë normale jashtë slum-ve, ku ato jetojnë, atëherë ky është një problem i të gjithëve.

E ky problem nuk mund të zgjidhet me më shumë para të BE-së, të cilat tek e fundit përdoren vetëm që romët të mos e shqetësojnë Evropën.

Koment nga Andreas Meyer-Feist

Redaktoi: Esat Ahmeti